Të zbulosh talentin në hapësirën ku mungon liria

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve, çelën ekspozitën “Edukimi përmes artit”, me punimet artistike dhe artizanale të të burgosurve nga e gjithë Shqipëria

Shekulli - - THELLË} - Dorjana bezat

Arti në vetvete është shprehje e emocioneve, por ai erdhi krejt i veçantë në Galerinë Kombëtare të Arteve ditën e djeshme. Të dënuar nga institucione të ndryshme të ekzekutimit të vendimeve penale hapën një ekspozitë me piktura dhe me punë artizanale, të krijuara në burg. Pa masa kufizuese brenda ambientit të Galerisë, të dënuarit kanë biseduar lirshëm me pjesëmarrësit, duke prezantuar punimet e tyre. Teknikat dhe mesazhet e këtyre krijimeve ishin nga më të ndryshmet, që nga pamja e qelisë me hekura, deri te peizazhet dhe qiejt me yje. Në mënyrë simbolike në këtë aktivitet u ndanë edhe tre çmime. Ekspozita u vizitua nga ambasadorë, intelektualë, familjarë të të dënuarve dhe nxënës të shkollave të Tiranës. Hyrja në ekspozitë është falas dhe ajo do të qëndrojë hapur vetëm dy ditë.

I dënuari për vrasje: Te piktura gjej qetësi

Mirush Ajazi, 41-vjeçar, ishte një prej të burgosurve, të cilët morën pjesë në ekspozitën “Edukimi përmes artit”. Ai ishte prezantuar në këtë ekspozitë me katër piktura të realizuara me vaj në kavanacë. Pikturat ishin emërtuar: “Dy luanët”, “Zambakët e bardhë”, “Muzg” dhe “Pylli”. “Të pikturuarit e kam talent, pasi kam mësuar ta bëj vetë, pa ndihmën e asnjë trajtimi. Pasi hyra në burg, ku po shlyej dënimin për vrasje, kam pasur më shumë mundësi për t’u marrë me talentin tim. Piktura është një formë, me të cilën unë shtyj kohën. Edhe në ambientet ku vuaj dënimin më është krijuar mundësia për ta ushtruar këtë pasion. Sa herë mërzitem, marr penelin dhe humbas mes ngjyrave. Kam për të shlyer edhe 5 vjet e 10 muaj dënim, që do të thotë se më duhet të pres gjatë për lirinë”, u shpreh ai. Në vitin 2012 Mirushi plagosi me thikë një 17-vjeçar, duke i shkaktuar më vonë edhe vdekjen, në autobusin e linjës Kamzë-Tiranë. Mirushi tregon se, është penduar për këtë akt dhe se gjithçka kishte ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. “Sinqerisht nuk doja ta vrisja, por jam pak gjaknxehtë. Atë ditë kam qenë edhe i dehur”, u shpreh ai. Ngjarja erdhi pas një grindjeje për motive të dobëta, në afërsi të Institutit Bujqësor në Kamëz, midis tij dhe 17-vjeçarit, Napolon Mustafa, të dy nga Bathorja. Plagët e marra kanë qenë fatale për adoleshentin, i cili nuk iu mbijetoi dot dhe ndërroi jetë në spital. Në këtë ekspozitë të parë të tij, Ajazi shoqërohej edhe nga familja e tij, prindërit, bashkëshortja dhe vajza 5-vjeçare, Miralba.

Sa herë mërzitem, marr penelin, humbas mes ngjyrave dhe pikturoj çfarë imagjinoj

I dënuari për trafik narkotikësh: Natyra është frymëzimi im

Niku Beqiri, 25 vjeç, fitoi çmimin e tretë në këtë ekspozitë dhe përfitoi një set me telajo, penela dhe bojëra. Ai po shlyen dënimin për veprën penale të “prodhimit e trafikimit të lëndëve narkotike” në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Peqin. Në këtë ekspozitë, ai u paraqit me dy telajo të emërtuara “Natë me hënë” dhe “Kokë kali”. “Piktura gjithmonë më ka pëlqyer, por para se të hyja në burg nuk merresha shumë me të. Më tërhiqte më tepër hashashi. E konsumoja dhe e tregtoja. Derisa më kapi policia dhe u dënova me katër vjet e tetë muaj. Pikturën nisa ta praktikoja fillimisht në paraburgim, në Elbasan. Një mbështetje të madhe më dha edhe stafi i riedukimit. Më tepër më tërheq natyra. Fakti që jam i kufizuar në pak metra katror, më bën të mendoj gjithmonë për natyrën jashtë atyre mureve dhe gjithë këtë imagjinatë e hedh në telajo”, u shpreh ai.

Mirush Ajazi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.