Punimet e të burgosurve në GKA

Shekulli - - THELLË} -

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve, çelën një ekspozitë unike me punimet artistike dhe artizanale të të burgosurve nga e gjithë Shqipëria. Ekspozita nën titullin domethënës “Edukimi përmes artit”, është një risi në llojin e vet, pasi kjo është hera e parë që personat me liri të kufizuar ekspozojnë punimet e tyre në një institucion kombëtar të kësaj rëndësie, siç është Galeria Kombëtare e Arteve. Ekspozita u mbajt dje në sallën “Motra Tone” të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku të pranishëm për të parë nga afër punimet ishin drejtues të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, punonjës socialë që njohin dhe nxisin aftësitë krijuese të personave të privuar nga liria, familjarë të të burgosurve, përfaqësues nga organizatat që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, etj. Mes punimeve të shumta u përzgjodhën tre fitues. Çmimi i parë shkoi për Vesel Hoxhën nga burgu i Elbasanit, me pikturën “Natyrë e qetë” (shegë në tryezë), i cili përfitoi mundësinë e një ekspozite personale me punimet e tij, që do të përgatitet në muajt në vijim. Çmimi i dytë shkoi për Albana Lazaj, burgu “Ali Demi”, për punimet artizanale në grep, qëndisje dhe objekte me rruaza, e cila përfitoi mundësinë e botimit të një katalogu. Çmimi i tretë shkoi për Niku Beqiri, burgu Peqin, për pikturën “Natë me hënë”. Ai fitoi një set me telajo, penela dhe bojëra. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, u shpreh se, “kjo ekspozitë prezanton një diversitet punimesh, që shprehin qartë botën e brendshme apo edhe pendimin në lidhje me atë që ka ndodhur”. “Punimet demonstrojnë qartë, se këta individë tani mendojnë dhe sillen ndryshe dhe janë të përgatitur për ri-integrimin në shoqëri”, theksoi ndër të tjera Zoto. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët përgjatë dy ditëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.