Vetëvrasja, Naço shkarkon drejtorin e burgut në Peqin

Shekulli - - THELLË} -

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e burgut të Peqinit, Fatos Veliaj, si dhe shefin e sigurisë, Filip Ulndreaj. Shkarkimi i dy drejtuesve është bërë, pasi një i dënuar është vetëvarur në ambientet e qelisë së burgut të Peqinit, ku ai vuante dënimin. I dënuari Mario (Saimir) Ramaj 30 vjeç ishte ekstraduar nga Greqia dhe ishte i dënuar për veprat penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër”. Ai ishte dënuar me 25 vite burg në vitin 2014 dhe kishte vuajtur dy vite dënimin e tij, duke përfshirë këtu edhe kohën e paraburgimit. Ramaj është vetëvarur në ambientet e qelisë me çarçafët që kishte në dhomë. Ai është gjetur nga gardianët dhe është dërguar në ambientet e spitalit të burgut, ku ka ndërruar jetë më pas. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kohën kur po kryhej shoqërimi i të dënuarve nga ajrimi, nëpër dhoma. I dënuari e ka kryer aktin vetëvrasës me mjete rrethanore, çarçaf i përshtatur si litar. Në momentin kur është gjetur nga policët e regjimit të brendshëm, është kryer menjëherë ndërhyrja dhe i është dhënë ndihma e parë nga mjeku i institucionit. Më pas, është kryer shoqërimi për në spitalin rajonal, ku i dënuari nuk ka mundur të mbijetojë. Shefi i sigurisë Filip Ulndedaj ka qenë drejtor i burgut të Drenovës në Korçë, pak pasi u arratisën 7 të burgosur. Detyrë nga e cila u shkarkua në janar të vitit 2014. Vendimi për shkarkim u mor nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas zbulimit të fletëve të sharrave në qelitë e të dënuarve që ndihmuan në arratisjen e Admit Tafilit dhe 6 të dënuarve të tjerë. Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Peqin ka filluar aktivitetin në nëntor të vitit 2003.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.