Letra e sotme

Z.Basha, e shkatërruat sportin siç bëtë me Tiranën

Shekulli - - THELLË} -

Tirana rritet dita-ditës edhe pse njerëzit e shohin kryeqendrën e Shqipërisë si një mundësi për të gjetur veten e tyre në këtë xhungël të lënë pas dore nga kryetari i saj, që në 4 vjet qeverisje nuk ka bërë asgjë për njerëzit që i dhanë votën. Asgjë, në asnjë sektor, duke bërë që epiqendra e shqiptarëve në mbarë botën të humbasë dinjitetin e saj. Nën këtë kaos të viteve e veçanërisht të muajve të fundit është edhe sporti kryeqytetas, terrenet sportive, palestrat e shkollave etj., pra sporti në përgjithësi, që janë lënë në mëshirë të fatit e askush nuk kujtohet për to. Vërtet për të ardhur keq, që një qytet me gati 1 milion banorë të vuajë ende paaftësinë e menaxhimit të një fushe kaq të dashur për të gjithë njerëzit, siç është sporti. Sporti në Tiranë sot është lënë në mëshirë të fatit dhe ata njerëz që janë pranë Bashkisë do të dalin sot dhe në dy muajt e fundit të qëndrimit në detyrë nga guacka e tyre vetëm për të bërë premtime dhe për të dhënë ndonjë medalje, duke harruar se sporti bëhet në 365 ditë të vitit. Z.Basha, ndoshta e keni harruar takimin që zhvilluat me komunitetin e sportit, ku pas tij të gjithë ne kuadrot e sportit dolëm me bindjen se Bashkisë po i vjen një njeri që e do sportin dhe rininë, që për ne ishin shqetësimet kryesore. Por ju na gënjyet z.Basha. Vetëm vitin e parë të zgjedhjes tuaj, gjysma e atyre kuadrove që ishin atë ditë punuan një vit të tërë pa marrë asnjë qindarkë. Sportistët e K.S. Tirana kanë 4 muaj pa u paguar dhe kanë ikur në aktivitetet sportive me lekët e tyre. Trajnerët e jashtëm z.Basha edhe sot paguhen me pagën qesharake 9.000 lekë në muaj, megjithëse ne e miratuam 3 herë pagën prej 30.000 lekë në muaj. Ju latë të shkatërroheshin edhe ato pak terrene sportive që ishin ngritur e për këtë mjafton t'i hedhësh një sy ish-stadiumit Dinamo dhe të gjithë do të kuptojnë vizionin tuaj për sportin. Asnjë terren i ri sportiv apo asnjë palestër e re në 4 vite qeverisje, vetëm premtime e premtime, duke harruar që sporti nuk bëhet me premtime, por me punë e mund, projekte e vizione të qarta për të zhvilluar sport në një qytet, me stërvitje e sakrifica. Ai nuk kandidon më, por për fat të keq shkatërroi sportin ashtu siç bëri me Tiranën, ku në vend të terreneve sportive ndërtoi pallate, pa një vizion se rinia kërkon të bëjë edhe sport. Sa pak palestra e mjedise sportive ka sot në Tiranën tonë dhe kjo është për të ardhur keq, pasi rinia dhe sporti janë së bashku në rrugëtimin e tyre, por për fat të keq janë edhe kaq larg njëri-tjetrit. Sporti duhet ta bëjë këtë gjë, pasi ai afron rininë, i përket më së shumti rinisë dhe e largon atë nga veset. Por këtë gjë sporti ynë nuk po e bën dot e as njerëzit që e drejtojnë këtë sport, as kryetari Basha. Ndaj, sporti kryeqytetas lëngon ende, nuk po gjen dot identitetin e tij, pasi pa identitet janë edhe njerëzit që e mbajnë peng atë në Bashkinë e kryeqytetit, vetë z.Basha. Sporti është i të gjithëve, ndaj nuk duhet t'i kthejmë krahët e ta harrojmë, pasi ai më shumë se kushdo na bën krenar që jemi shqiptar.

Foto: Bashkia Tiranë

Basha me sportistët

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.