Turizmi, toka 1 euro për investimet mbi 50 mln €

Shekulli - - RADAR} - Enver bylykbashi

Sipas VKM-së, investitorët strategjikë të veçantë mund ta përvetësojnë pronën shtetërore në rast se investimi realizohet i plotë

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme aktet nënligjore në lidhje me përdorimin e pronave publike për qëllime turistike. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave parashikohen rregullat e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Vendimi parashikon që këto pasuri vihen në dispozicion për një afat deri në 99 vjet. Sipas VKM-së, në rastin e investitorëve me status “Investitor strategjik i veçantë”, bazuar në ligjin nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, rast pas rasti, dhe nëse kjo kërkohet nga investitori, transferimin e të drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat, duke e kushtëzuar transferimin me realizimin e plotë të investimit. Aktet parashikojnë edhe garancinë, ku thuhet shprehimisht: “Para nënshkrimit të kontratës, aplikuesi fitues duhet të bëjë sigurimin e kontratës në masën 10 për qind, si garanci për institucionin në rastet e shkeljes së kontratës nga ana e tij. Garancia kthehet pas përfundimit të çdo faze të investimit, por jo më shumë se në tri këste, sipas fazave të investimit”. Në lidhje me kontratat simbolike, vendimi përcakton që pasuritë e paluajtshme shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilat vlera e propozuar e investimit kalon shumën 50 milionë euro, mund t’u jepen të tretëve me kontrata përdorimi, me tarifën simbolike 1 euro, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.