Rriten taksat për biznesin, tregtarët padisin Veliajn

Biznesi kundërshton katër taksa të vëna nga bashkia e Tiranës me vendimin e marrë më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Ja ndryshimet për taksën e pastrimit dhe pse ajo është dyfishuar për kategoritë e biznesit

Shekulli - - THELLË} - Suela topi

Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë padit bashkinë e Tiranës për rritjen e taksave vendore. Kjo shoqatë kërkon shfuqizimin e këtyre taksave, duke i konsideruar ato si antikushtetuese dhe që falimentojnë sipërmarrjen e lirë. Sipas kreut të kësaj shoqate, Nikollaq Neranxi, kryebashkiaku Erion Veliaj nuk pati vullnet për të bashkëpunuar, por e reduktoi diskutimin në taksën e tavolinave dhe zënies së hapësirave publike. “Tashmë tabelat e rritjes së taksave janë bërë publike nga të gjitha mediat dhe për fat të keq të kryetarit, shifrat janë më kokëforta se çdo lloj propagande. Sot, me këto taksa falimenton edhe një biznes i vogël, i mesëm apo i madh, i cili nuk përdor asnjë metër hapësirë publike, sepse taksat e tjera të rritura në mënyrë skandaloze, janë të papërballueshme”, shprehet ai.

Padia

Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut ,nëpërmjet padisë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës, kërkon shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 59 për “Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të marrë nga këshilli bashkiak i kryeqytetit. Sipas kësaj shoqate, vendimi është në kundërshtim me ligjin për qeverisjen vendore dhe është i papajtueshëm me parimet kushtetuese. Shoqata argumenton se vendimi i këshillit bashkiak është marrë para se të hynte në fuqi ligji për taksat vendore. “Ligji 142/2015 ka hyrë në fuqi 15 ditë pas datës 22 janar 2016, që është edhe data e Fletores Zyrtare nëpërmjet të cilës është botuar ky ligj, në një kohë që vendimi nr. 59 i këshillit bashkiak është miratuar në datë 30 dhjetor 2015, dhe ka hyrë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Për sa më sipër, është evident fakti që në datën 30 dhjetor 2015, datë kjo në të cilën këshilli bashkiak ka miratuar vendimin objekt padie, ligji 142/2015 nuk kishte hyrë në fuqi”, argumentohet në padi. Për më tepër, thuhet në padi, neni 155 i Kushtetutës sanksionon se “taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Pra në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”. Paditësit kundërshtojnë ndryshimin e disa prej taksave të parashikuara në vendimin e këshillit bashkiak. Kështu ata shprehen kundër “taksës mbi truallin”, që sipas Shoqatës bie ndesh me ligjin e vitin 2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i cili parashikon në mënyrë shteruese vetëm dy lloje taksash: taksën mbi ndërtesën dhe taksën mbi tokën bujqësore. “Parashikim i taksës “mbi truallin” nga ana e Këshillit Bashkiak, si kategori e re e “taksës mbi pasuritë e paluajtshme”, bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, i cili përcakton që taksat e reja vendosen vetëm me ligj. Në këtë aspekt, vendosja e taksave të reja vendore është kompetencë ekskluzive e Kuvendit, çka do të thotë se kjo kompetencë nuk mund t’i delegohet asnjë autoriteti tjetër shtetëror apo ndonjë pushteti tjetër”, thuhet në padi. Një tjetër taksë e kundërshtuar është ajo e përfshirë në kategorinë “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”. Sipas Shoqatës, parashikohet një kategori e re takse, e cila si bazë ka çmimin e shitjes për metër katror dhe nivelin e taksës 8 % mbi këtë bazë, çka bie ndesh me përcaktimet e ligjit të 2006-s, i cili parashikon si bazë për përllogaritjen e taksës vlerën e investimit dhe nivelin e taksës 2- 4% mbi këtë bazë. Sa i përket taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore, biznesi argumenton se arsimimi është një objektiv social i shtetit dhe mund të realizohet vetëm me përcaktime ligjore dhe jo akte nënligjore normative të këshillit bashkiak. Lidhur me tarifën “për zënien e hapësirave publike”, biznesi pretendon se vendimi i bashkisë bie ndesh me vetë ligjin për taksat vendore ku parashikohet se këshilli bashkiak ka të drejtën të vendosë tarifa vetëm kur pagesat në buxhetin e bashkisë nuk janë taksa bashkiake. Një tjetër argument i biznesit është cenimi i parimit të proporcionalitetit i parashikuar në nenin 11 të Kodit të Procedurës Administrative, parimit të aftësisë paguese, por edhe parimit të bashkëpunimit me personat privat të parashikuar në nenin 13 të Kodit të Procedurave Administrative. Për të gjitha këto arsye Shoqata kërkon shpalljen si të pavlefshëm të vendimin nr. 59 dhe pezullimin e tij deri në shqyrtim të padisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.