Dekriminalizimi, SHBA nis zbatimin, u refuzon vizat gjykatësve

PD dhe PS, pas debateve për aktet nënligjore, nuk bien dakord për formularin e vetëdeklarimit. Diskutimet vijojnë sot para seancës

Shekulli - - THELLË} - Suela topi s.topi@shekulli.com.al

Ndërsa mazhoranca dhe opozita debatuan për orë të tëra, pa mundur të gjenin dakordësinë për aktet nënligjore që do të mund të vënë në zbatim ligjin për dekriminalizimin, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nisur të marrë masa kundër zyrtarëve shqiptarë të korruptuar. Vetë ambasadori amerikan, Donald Lu, pohoi dje në përgjigje të një qytetari, se ambasada e SHBA-së ka nisur refuzimin apo pezullimin e vizave për gjyqtarë të korruptuar. Lu është kufizuar për të dhënë emra, por ka theksuar se SHBA-ja mbështet ligjin e dekriminalizimit dhe se lufta ndaj korrupsionit është prioriteti kryesor i qeverisë amerikane në vendin tonë.

Deklarata e Lu

Ambasadori Lu, i pyetur nga një qytetar se pse SHBA-ja nuk ndërhyn direkt tek politikanët shqiptarë kur e di shumë mirë që ata janë të korruptuar, u përgjigj se: “Pyetje shumë e mirë. Absolutisht, korrupsioni është prioritet kryesor i qeverisë së SHBA-së në Shqipëri. Ne jemi duke ndërmarrë masat tona, por edhe me shoqërinë civile dhe udhëheqësit shqiptarë. Vitin e kaluar, ne pamë se si partitë politike hoqën disa kandidatë kriminelë nga zgjedhjet. Politikanë të tjerë të korruptuar apo me të shkuar kriminale janë arrestuar apo kanë dhënë dorëheqjen. Ne, gjithashtu, mbështesim zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin. Së fundmi, qeveria e SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara disa gjykatësve të korruptuar, duke iu refuzuar apo anuluar vizat. Ky është vetëm fillimi. Ne kemi shumë më tepër punë për të bërë për të luftuar korrupsionin”. Deklarata e ambasadorit amerikan u bë në të njëjtën ditë kur mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate të gjata për aktet nënligjore që do të mund të vënë në zbatim ligjin për dekriminalizimin, të miratuar me konsensus nga palët.

Këshilli i Mandateve

Demokratët dhe socialistët debatuan 4 orë në Këshillin për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin sa i përket akteve nënligjore e në mënyrë të veçantë formularit të vetëdeklarimit, dokumentit kryesor që do të shërbejë për të pastruar poli- tikën por dhe administratën publike. Por të dyja palët edhe pse ishin dakord për t’u ulur në një tryezë, secila kishte variantin e saj për këtë dokument. Demokratët e kishin dorëzuar formularin e vetëdeklarimit që më 23 shkurt, ndërsa socialistët paraqitën zyrtarisht dokumentin dje në mbledhje. Dhe çështja që ndau palët ishin pikërisht pyetjet që shtrohen aty. Socialistët pyesin në formular nëse zyrtari është i dënuar ndonjëherë me një vendim të formës së prerë ndërsa listojnë të gjitha veprat penale të përcaktuara në ligjin konsensual. Por kjo nuk është e mjaftueshme për demokratët të cilët e nisin procesin e verifikimit që tek ndalimi apo arrestimi. A jeni ndaluar apo arrestuar ndonjëherë dhe nëse po brenda apo jashtë Shqipërisë, pyesin demokratët nëpërmjet formularit të vetëdeklarimit. Ata detajojnë gjithashtu që institucioni që do të verifikojë vetëdeklarimin është prokuroria, çka nuk parashikohet nga socialistët. Por socialisti Taulant Balla ndërsa mori si shembull Arben Ristanin, tha nuk mund të tejkalohet ligji. “Zoti Ristani, ju kërkoj ndjesë për shembullin që do të marr dhe unë sinqerisht mendoj që rasti juaj nuk përfshihet në këtë; por përse t’i futesh ti një hullie juridike për të plotësuar arsyet e ndalimit tuaj në një formular?”, tha Balla. Kundërargumentet për të i solli demokrati Oerd Bylukbashi, i cili këmbënguli në verifikimin e formularit nga organi i akuzës. “Verifikimi i drejtpërdrejtë nga institucionet dhe në këtë rast është prokuroria, është një element kyç i ligjit. Heqja e këtij elementi heq gjysmën e mekanizmit verifikues që ka ligji, pra e cungon dhe e bën jo efektiv ligjin”, deklaroi përfaqësuesi i demokratëve në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi. Por socialisti Fatmir Xhafaj tha se vullnet i partive nuk mund të dalë mbi Kushtetutën. Këto debate kanë vijuar edhe në mbledhjen me dyer të mbyllura pa mundur të gjendet një zgjidhje. Në mbylle të mbledhjes kuvendi informoi se për çështjet që mungon dakordësia, diskutimi do të vijojë sot.

Faksimile e formularit sipas PD-së

Ambasadori amerikan, Donald Lu

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.