Zyra juridike e Kuvendit: Aktet nënligjore, antikushtetuese

Shekulli - - THELLË} -

Zyra juridike e Parlamentit nëpërmjet një memoje drejtuar kreut të kuvendit dhe Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i cilëson antikushtetues projektvendimet e propozuara nga Partia Demokratike për dekriminalizimin. Sipas zyrës juridike, duke qenë se projektvendimi ka karakteristikat e një akti normativ me fuqi në të gjithë vendin, ai del jashtë kompetencave të kuvendit. Zyra juridike bënte të ditur se, funksionin e vet kushtetues legjislativ, Kuvendi nuk mund ta ushtrojë përmes projektvendimeve, por nëpërmjet ligjeve. Për sa i përket përmbajtjes, zyra juridike vërente si shkelje kushtetuese faktin se, ky projektvendim, që votohet me shumicë të thjeshtë, i ngarkon Prokurorisë detyra, që sipas Kushtetutës ajo mund t’i kryejë vetëm me ligj. “Vendimi ka parashikuar rregulla të detajuara lidhur me mënyrën sesi do të veprojë organi i Prokurorisë për të bërë verifikimin e ekzistencës së kushteve të ndalimit, sipas ligjit, për personat për të cilët kërkohet verifikimi. Theksojmë se Kushtetuta në nenin 148, pikat 1 dhe 3 të saj parashikon se: ‘ Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër në shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. Në ushtrimin e kompetencave të tyre prokurorët u nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve’. Pra, edhe në këndvështrimin e nenit 148 të Kushtetutës të caktimit të detyrave të tjera për organin e prokurorisë, në funksion të zbatimit të ligjit 138/2015, do të duhet që këto detyra të përcaktohen jo me vendim Kuvendi, ashtu si propozohet, por me ligj”, thuhet në memo. Gjithashtu, në këtë dokument, argumentohet më tej se, bazuar në nenin 118, paragrafi i dytë i Kushtetutës, ligji 138/ 2015 ka autorizuar Kuvendin që me vendim të tij të rregullojë disa çështje, por në asnjë rast nuk e ka autorizuar atë për rregullimin e çështjeve të sipërpërmendura. “Mbi sa më sipër, vlerësojmë se projektvendimi i propozuar ka tejkaluar autorizimin e ligjit”, thuhet në memo.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.