Basha, tabelë qitjesh, "kryqëzohet" nga grupi

Zbardhen debatet në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Basha propozon bojkotin e Kuvendit, Ruli, Bregu, Topalli, Bumçi dhe Strazimiri kundër, i kërkojnë llogari për indiferencën e treguar me grupin

Shekulli - - THELLË} - Isuf kurtaj isufkurtaj@shekulli.com.al

Zhvillimet brenda Partisë Demokratike janë intensifikuar. Në epiqendër të kritikave është sërish kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i cili si në të gjitha mbledhjet e fundit të grupit parlamentar, është përdorur si tabelë qitjeje nga ligjvënësit e djathtë. Njësoj si mbledhjet e kaluar dhe ajo e ditës së djeshme i është rikthyer rutinës së zakonshme, ku në njërën anë kemi deputetët e gardës së vjetër që kritikojnë kryetarin për aksionet e pamenduara mirë dhe në anën tjetër kreun demokrat që mundohet të neutralizojë situatën, duke iu shmangur përballjes, përmes ndryshimit të rrjedhës së mbledhjes. Sulmet në drejtim të kreut demokrat dje kanë ardhur nga deputetja Majlinda Bregu dhe ish-ministri Genc Ruli, të cilët kanë kritikuar aksionet aventureske të numrit një të PD-së. Që situata të mos të dilte jashtë kontrollit, siç ndodhi dy javë më parë, ku Basha për t’i ikur presionit të deputetëve u detyrua të braktisë mbledhjen, dje në çastet kur debati po përshkallëzohej, ka ndërhyrë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili drejtoi gishtin kundër të gjithëve. Në fillim i ka tërhequr veshin kreut demokrat për aksionet e më pas dhe grupit parlamentar, duke i thënë se angazhimi i tyre nuk ka qenë në nivelet e duhura.

Polemika

Çështja që ka ngjallur polemika në mbledhjen e djeshme ka qenë protesta e grave të PD-së, e cila është kundërshtuar nga disa deputete. Ka qenë deputetja Majlinda Bregu, e cila dy ditë më parë, jo vetëm që refuzoi të shkonte në protestën e grave demokrate por e ka cilësuar atë si të dështuar dhe i ka kërkuar llogari liderit demokrat, Lulzim Basha për këtë çështje. “Nuk je tek Blendi Fevziu apo te Sokol Balla këtu, që të më japësh përgjigje televizive”, tha Bregu. Basha, tashmë i mësuar me kritikat e deputetëve të tij, e ka ndryshuar temën e diskutimit, duke iu drejtuar deputetëve nëse janë për bllokim të parlamentit apo për bojkot total të tij. Dhe në përpjekjen e dytë për t’iu shmangur debatit, Basha “doli huq”, pasi pyetjes së tij iu përgjigj Genc Ruli, një nga kritikët më të zëshëm. Deputeti demokrat u shpreh se bojkoti për të cilin shqetësohet Basha duhet menduar mirë, pasi sipas tij PD nuk ka ndonjë kauzë aq të fortë sa për të bojkotuar Kuvendin. Meraku i Rulit në rast bojkoti është se në ç’formë do të bëhet rikthimi në Parlament i opozitës. Asnjë nga deputetët nuk ka mbështetur idenë e bojkotit, por vetëm bllokim të Parlamentit. Nga ana tjetër, kritika pa pasur edhe Sali Berisha, i cili tha se marrëdhëniet mediatike të grupit nuk kanë qenë në nivelin e duhur. “Ne kemi bërë një betejë parimore për drejtësinë. Venecia dëshmoi sa i drejtë ishte qëndrimi ynë, por njerëzit janë të paqartë”, është shprehur Berisha. Ai ka kërkuar që opozita të përqendrohet te Byroja e Hetimit dhe Reforma në Drejtësi, pasi Komisioni i Venecias në rekomandimet e fundit i ka dhënë të drejtë PD-së.

Të gjithë kundër Bashës

Përveç Majlinda Bregut e Genc Rulit, Bashës dje i janë vënë kundra dhe deputetët Jozefina Topalli, Arben Imami, Gent Stazimiri dhe Aldo Bumçi. Ata kanë debatuar fort me kreun demokrat Basha për sjelljen e PD-së dhe lidershipit të saj në marrëdhënien me grupin parlamentar, si dhe aksionin politik të opozitës. Mësohet se Topalli ka kërkuar që PD-ja të mos sillet si organizatë joqeveritare (OJQ). Ish-nënkryetarja ka kërkuar që PD-ja të shtojë aksionin opozitar dhe të dalë në protesta. Gent Strazimiri gjithashtu ka qenë një nga deputetët që ka kërkuar nga Basha të nxjerrë PD-në në protesta. Ndësa deputeti Aldo Bumçi kërkoi që Basha të mos sillet si Edi Rama me grupin parlamentar. I ashpër ka qenë edhe vet ish-kreu demokrat Sali Berisha. “PD nuk ka sqaruar qytetarët për dekriminalizimin, por edhe për reformën në drejtësi”. Sipas Berishës, mesazhet e PD-së dhe sqarimet e saj nuk kanë qenë të plota”. Ish-kryeministri ka bërë ironi me kryedemokratin Basha. “Këtë punën e mesazheve dhe sqarimeve të opinionit ju e dini më mirë”, theksoi Berisha në fund të fjalës së tij. Ndërkohë në grupin e PD-së ka plasur e qeshura, pas batutës së Berishës.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.