Krizë refugjatësh te dera

Shekulli - - THELLË} -

Brenda disa ditësh mendohet, nga media botërore, se në Greqi, numri i refugjatëve sirianë dhe të tjerë, mund të arrijë në njëqindmijë persona që enden rrugëve, të uritur, të leckosur, në vuajtje të mëdha njerëzore. Çfarë duhet bërë ? Mendoj se gjëja e parë është të tregojmë në planin ideologjik dhe strategjik se shteti shqiptar, hapur dhe fort, mendon se kriza e refugjatëve është e zgjidhur në vendet ku ata kanë lindur, në trojet e tyre. Atje sot është kolera, drama, shkatërrimi, prandaj Shqipëria duhet të marrë pjesë, sa i takon, për të rivendosur paqen dhe qetësinë në ato vende, bashkë me fuqitë e mëdha botërore. Armëpushimi në Siri është një fillim në rrugë të mbarë. E dyta, ne duhet të kalkulojmë urgjent dhe realisht se në përputhje me buxhetet tona, me GDP tonë, me fuqinë tonë ekonomike, territorin, numurin e popullsisë, sa na bie të kontribuojmë për Europën që ajo ta zgjidhë problemin. Se Europa ka territore të gjera, ne çfarë kemi?, një rrip toke si komb, prej mijëvjeçarësh zhytur në kënetë buzë detërave, rrëzë maleve të ftohtë, dhe kaq janë mundësitë tona. Pasi të llogaritet kjo gjë, dhe pasi t'i bëhet thirrje popullsisë që të ndihmojë edhe vullnetarisht, sasinë e ndihmave t'ia propozojmë Europës, madje t'ia propozojmë edhe Greqisë që mban sot një peshë të madhe mikpritjeje, sikurse populli i dashur grek mirëpriti djemtë e gocat tona dy dekada më parë. Greqia është dhe ka qenë vend azili dhe mikpritjeje prej mijëravjeçarësh. Ne jemi vend i sulmuar prej hordhish pushtuese prej mijëravjecarësh. Mos bëjmë hipokritin. Vuajtjet e refugjatëve të uritur rrugëve të Athinës janë afër nesh, te gjitoni ynë. Mikpritja dhe solidariteti njerëzor, i sinqertë, me refugjatët, nuk tregohet vetëm kur ata kalojnë një hap në territorin tonë, sepse njerzillëku nuk ka lidhje me territorin se ku zhvillohet drama. Ja pra se çfarë duhet bërë, sipas meje, mos qëndrojmë pasivë, mos merremi vetëm me kulisa diplomatike, po ta bëjmë çështje qytetare, çështje shoqërore pjesëmarrjen tonë si komb në zgjidhjen e kësaj drame, edhe opozita duhet të zgjohet për këtë çështje, edhe ambientalistët, se kur thua se një pemë e prerë është një qenie e gjallë e vrarë, po një sirian, njeri si ti e si unë, i uritur, në Athinë, cfarë është??? Po nuk bëmë këtë brenda 24 orësh, më pas, kur kriza mund të na bjerë në kurriz do të ndodhemi përpara faktit të kryer dhe nuk do të kemi mundësi veprimi. Ne duhet të bashkojmë humanizmin me realizimin diplomatik dhe strategjik. Shqipëria i ka të gjitha mjetet të ndihmojë, të ngrihet në lartësinë e traditave tona të rezistencave heroike, por nuk i ka mundësitë që këtë solidaritet ta tregojë duke pritur valë spontane emigrantësh refugjatë në territoret e saj. E mbi të gjitha ne duhet t'i shkulim nga koka ndonjë faktori jo miqësor me kombin tonë që mund të na punojë edhe ndonjë rreng nëse nuk jemi të zgjuar dhe nuk veprojmë shpejt. Të na mësyjë në rrypin e tokës kënetore që na ka mbetur trashëgim nga historia, dhe që e kemi boshatisur sepse bëmë politika të gabuara urbanizimi duke mbipopulluar buzën e Lanës, si shtrat ujërash të zeza, e në vend të shqiptarëve që ikin nga sytë këmbët nëpër Europë, të sjellin popullsi nga Lindja e Mesme, që pasi të ngujohen këtu për disa dekada, më pas të vendosen përfundimisht. Kjo, që sigurisht nuk ka të bëjë fare me dëshirat e refugjatëve të shkretë që enden nëpër Ballkan, do të ishte një goditje fatale për kombin tonë. Atë që nuk ta bëjnë ushtritë e huaja që vijnë me dhunë, ta realizojnë emigrimet masive, paqësore, në kushte krizash, dhe historia e përbotshme, ajo e Ballkanit dhe e Mesdheut veçanërisht, e dëshmojnë katërcipërisht. Duhet vepruar brenda 24 orësh, sepse përndryshe në qindra vjet kombi në brezat e ardhëm do të na thotë vetëm një fjalë: Idiotët!

E plotë në www.shekulli.com.al

Refugjatë në kufirin Maqedoni-Greqi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.