Farsa e zgjedhjes së presidentit është pjesë e “Game of Thrones” në stilin kosovar

Shekulli - - THELLË} - Augustin palokaj

Të premten gjatë ditës e tërë bota priste zgjedhjen e presidentit. Ishte kryelajm në BBC, CNN, ndërsa as bastoret nuk kishin mbetur pa baste rreth asaj se kush do të zgjidhet president. Në raundin e parë kandidati i preferuar nuk arriti numrin e duhur të votave. Por më vonë ai u zgjodh duke marrë numrin e mjaftueshëm të votave. Pas zgjedhjes premtoi se do të niste procesin e reformave dhe ruajtjen, apo, më mirë, kthimin e imazhit të prishur të asaj në krye të së cilës u zgjodh, sepse paraardhësit e tij kishin bërë shkelje serioze të ligjit dhe u ishte ndaluar të ushtronin detyrën në atë post. Festoi po ashtu mirë me familjen, ndërsa zgjedhjen e tij e quajti një mrekulli duke pasur parasysh të kaluarën e tij. Shumëkush do të mendojë se kështu përshkruhet zgjedhja e Hashim Thaçit për president të Kosovës, por jo. Procesi i zgjedhjes së Thaçit nuk ishte një zhvillim ndaj të cilit “bota i kishte kthyer sytë”, siç mendojnë në Kosovë. Në fakt, qëmoti jashtë Kosovës pakkujt i intereson se kush është në cilin post në shtetin më të ri të Evropës. Që Thaçi të jetë lideri kryesor kanë interes një pjesë e burokratëve dhe diplomatëve, të cilët Kosovën e kanë përshkrim të vendit të tyre të punës. Sepse me Thaçin, pa marrë parasysh se çfarë mendojnë personalisht për të (e Thaçi do të zhgënjehej shumë sikur të dinte se çfarë flasin privatisht disa prej tyre për të) ata kanë arritur disa marrëveshje dhe atij i duhet për t’i zbatuar ato. “Nuk na intereson a janë të mirë apo jo, me rëndësi është që ne me ta të mund të kryejmë punë”, është qasja që në BE e kanë ndaj cilitdo lider në rajonin e Ballkanit e kjo vlen edhe për Thaçin. Fjala është për marrëveshjet me Serbinë. Interesi i madh i botës ishte për zgjedhjen e presidentit të ri të FIFA-s, ku në proces të gjatë zgjedhor, pa gaz lotsjellës, pa fjalime patetike, por në bazë të aleancave të shumta, tregtisë dhe lobimit, u zgjodh zvicerani Giani Infantino, i cili do të udhëheqë një organizatë me buxhet shumë më të madh sesa që ka Kosova dhe me një biznes shumëmiliardësh nëse merren parasysh bizneset e shitjes së të drejtave për transmetim ndeshjesh, përdorimit të logove e shumë të tjera. Në tërë atë tragjikomedi nga Kuvendi i Kosovës u dëgjuan edhe fjalë patetike që të bëjnë që të dhimbset edhe më shumë populli i Kosovës se kë e ka si përfaqësues. Shumë njerëz pa parime, pa integritet personal, qe tri herë brenda tri orësh ndryshojnë mendjen, që nuk duan ta kuptojnë se çfarë është përgjegjësia ndaj votuesit. Deputetët pranojnë vetë se “për hir të partisë kanë votuar edhe kundër parimeve personale”. Deputeti i cili ishte kundërkandidat për postin e presidentit nuk votoi për veten. As deputetja që e paraqiti kandidaturën e kundërshtarit të Thaçit, ani pse këtë e bëri duke qeshur dhe në mënyrë joserioze, duke thënë se “ai është kandidat i denjë për postin e presidentit”, nuk votoi për të. Sikur të ishte sport që të dy do të denoncoheshin me dënim të përjetshëm për të ushtruar profesionin, sepse për mashtrim duhet të ketë edhe sanksione. E futja në garë pa qëllim që të fitosh është mashtrim; e mashtrimi sanksionohet. Nejse: Thaçi mund të gëzohet se e ka deklasuar kundërkandidatin e tij me rezultat 71 me 0. Një rezultat për të cilin do t’i kishin lakmi shumë politikanë të botës, gjithsesi jo nga bota demokratike. Në debat u dëgjua edhe zonja Melihate Tërmkolli duke u bërë pyetje deputetëve: “A jeni me Amerikën apo me Rusinë?”. Thuajse është fjala për luftën në Siri e jo për procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. E nëse zonja Tërmkolli do të mundohej të kuptonte përgjigjen me siguri se nuk do ta kishte të vështirë të kuptonte se në fakt pikërisht në mesin e atyre që mundësuan zgjedhjen e Thaçit ka të tillë që janë me Rusinë. Të tillë janë së paku disa nga deputetët e Listës Srpska. Le të shkojë në veri të Kosovës zonja Tërmkolli e atje mund të shohë më shumë flamuj të Rusisë se kudo tjetër në Evropë, do të shohë shumë foto të Putinit. Prandaj edhe kur paraqesin dilema të tilla le të kenë kujdes se përgjigjja mund të jetë e kundërt nga ajo që ata mendojnë. Ajo që ra në sy derisa zonja Tërmkolli fliste si në pazar ishte qeshja që bënin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Qeshnin sikur donin të thoshin “Ah sa mirë po ua bën kjo”. Në fakt, Thaçi dhe Mustafa më shumë po merren me shtyrje, me ofendime, përmes “Facebookut”, me kush kujt po ia “lëshon” më shumë sesa me përpjekje serioze për ta nxjerrë vendin nga kriza. Vërtet është ofenduese dhe e papranueshme edhe gjuha e opozitarëve dhe ofendimet e tyre. Por ata që janë në pushtet kanë edhe përgjegjësinë më të madhe. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nuk kanë treguar nivelin e duhur të përgjegjësisë. Ata kanë përdorur ofendime të rënda po ashtu. Thaçi ka provokuar rëndë duke i quajtur qyqarë protestuesit paqësorë. Mustafa e ka humbur qëmoti kontrollin. Dhe të tillë i kanë bërë edhe mbështetësit e tyre. Këtu duhet thënë se Thaçi dhe PDK-ja po tregojnë ditëve të fundit një nivel më të madh të përmbajtjes sesa Mustafa dhe LDK-ja. Mustafa nuk po i kursen as vetë anëtarët e partisë së tij, të cilët mendojnë ndryshe. Mustafa madje e ka futur zyrtarisht edhe vetë partinë e tij LDK në fushatë kundër personave nga pozita. Në emër të LDK-së, me kumtesa zyrtare, njolloset një deputet i opozitës duke përdorur fjalë qesharake dhe akuza të cilat më nuk janë në modë se kinse “ka lidhje me një shtet fqinj!”. Nëse ka menduar në Serbinë, atëherë është fakt e jo akuzë se askush nuk ka më shumë lidhje me atë shtet sesa disa anëtarë të qeverisë Mustafa. Ai në qeverinë e tij ka njerëz që shkojnë në Beograd për të marrë këshilla se si të veprojnë. Në qeverinë e tij Mustafa ka ministra që kur thonë “qeveria ime” mendojnë në qeverinë e Serbisë. Përpjekjet e Listës Srpska dhe të kryeministrit të Serbisë që të lënë përshtypje se ata nuk e kanë mbështetur zgjedhjen e Thaçit president janë qesharake po ashtu. Ato mund të kenë për qëllim shlyerjen e dëmit që mund t’i bëjë një mbështetje e tillë vetë Thaçit në Kosovë, por edhe Listës Srpska dhe Vuçiqit në mesin e serbëve. Pse Vuçiqi atëherë nuk doli me porosi para votimit se ai “nuk do të ishte i lumtur sikur Thaçi të mos zgjidhet president”. Në Bruksel nuk e fshehin se tash Qeveria e Kosovës do të duhej të siguronte së pari mundësinë e Serbisë që të zhvillojë zgjedhjet për parlamentin e saj edhe në territorin e Kosovës zbatimin e marrëveshjes për Bashkësinë/ Asociacionin e Komunave dhe se këtë e ka pasur si motiv Lista Srpska kur ka mundësuar zgjedhjen e Thaçit president. Zgjedhja e presidentit më së lehti mund të karakterizohet si një farsë. Farsë e cila, për fat të keq, pasqyron edhe ndasinë e madhe në Kosovë, ndasi të cilën kësaj radhe e vërejti edhe Bashkimi Evropian. Hashim Thaçi mund të jetë simbol i shumë gjërave, por jo i unitetit. Ai mund të quhet simbol i luftës për çlirim (sepse ishte në krye të UÇK-së), mund të quhet edhe “simbol i pavarësisë” (sepse e lexoi Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë), mund të jetë edhe “simbol i pajtimit me Serbinë” (sepse ka udhëhequr dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë), por simbol i unitetit nuk ka qenë asnjëherë. Në fakt ai deri më tash ka qenë më shumë simbol i ndarjes. Emërimi i tij shef i delegacionit të Kosovës në Rambouillet kishte shkaktuar ndarje dhe mospajtim me LDK-në. Emërimi i tij si kryetar i Qeverisë në kohën kur Kosova kishte edhe Qeverinë Bukoshi në ekzil ishte po ashtu ndarje. As brenda UÇK-së nuk kishte siguruar një unitet, sepse kishte fraksione që nuk ishin në anën e tij. Tash shumë ish-bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë të tij janë kundër tij dhe ai nuk i mbajti në anën e tij dhe nuk siguroi të jenë unikë. Thaçi pa dyshim ka mbështetës në Kosovë, por ka edhe kundërshtarë. Shumë pak ka njerëz në Kosovë të cilët janë indiferentë ndaj Thaçit, ose janë me të ose kundër tij. E në rrethana të tilla ai nuk mund të quhet si unifikues i popullit. I tillë do të mund të quhej vetëm sikur të ishte zgjedhur me votën e drejtpërdrejtë të popullit e jo me pazare politike. Sidomos kur është fakt se LDKja nuk i mori votat duke premtuar se do ta bëjë Thaçin president, por duke premtuar se do të jetë kundërshtare e fortë e PDK-së. Mustafa dhe Thaçi, duke pohuar se ata që mundësuan votimin e presidentit mbrojnë shtetin dhe ata anëtarë të LDK-së që e bënë këtë treguan lojalitet ndaj partisë, sikur dërgojnë porosi se “Thaçi është shteti, ndërsa Mustafa është partia”. Gjithsesi një porosi që nënçmon edhe vetë Kosovën nëse fati i saj do të duhej të varej nga një njeri, kushdo qoftë ai. Situata në Kosovë është shumë e rëndë, mund të bëhet edhe e rrezikshme. Ajo që është dëshpëruese, është mungesa e liderëve të cilët vërtet do ta vinin interesin e vendit dhe të qytetarëve para interesave dhe inateve personale. E gjithë kjo që ndodh është një luftë për pushtet, një lloj “Game of Thrones” në stilin kosovar. Dy anët masin muskujt, dikush përmes protestave dhe akteve vandaliste, dikush përmes përdorimit dhe keqpërdorimit të policisë. Dikush duke u bazuar në aleanca me ata që deri vonë i kishin kundërshtarë, aleanca me ata të cilët edhe sot janë kundërshtarë të shtetit të Kosovës, aleancë me Amerikën, Evropën, Serbinë dhe Turqinë, e dikush duke u mbështetur në popullin. Në këtë testim muskujsh në Kosovë kuptohet si dobësi nëse dikush lëshon pe. Pikërisht sikur në serialin “Game of Thrones”, ku mbretëritë e ndryshme dhe mbretërit përmes lidhjes së aleancave, përmes mashtrimeve, përmes shantazheve, frikësimeve e intrigave, luftojnë për pushtet duke mos zgjedhur mjete. Fjalori i politikanëve është i tillë saqë, të mos ofendohen ndaj këtij konstatimi, mund të thuhet se kanë nevojë edhe për psikolog dhe psikiatër. Gjithnjë e më pak ka logjikë në atë që thonë. Termat që përdoren janë: “tradhtarë, qyqarë, ikje me bishta nën shalë, kullotje, sahanlëpirës, shovinistë, fashistë, rrahës të grave, terroristë, prorusë, të kuq, të zinj, kriminelë e gjithçka. E kanë shndërruar edhe shtetin në një platformë sikur rrjetet sociale grinden mes vete. Sillen sikur tifozë futbolli e mendojnë se janë liderë të nivelit botëror. Flasin për “integrime në BE dhe NATO”, ndërsa shtetin e kanë futur në një kaos nga i cili e ka vështirë të dalë. Gjithnjë e më shpesh edhe jashtë Kosovës dëgjojmë se “do të ishte mirë sikur të gjithë këta politikanë të shkojnë, të largohen”, por kur dëgjoj pohime të tilla më kujtohet edhe kundërpyetja e një kolegu: “E ku të shkojnë?”. Është jo e shëndoshë për një shoqëri, për një skenë politike, që aktorët kryesorë do të insistojnë që gjithmonë të mbeten në politikë, mundësisht edhe në pushtet, sepse nuk kanë ku të shkojnë dhe nuk kanë çfarë të bëjnë më në jetën e tyre. Prandaj qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për vazhdimin e “Game of Thrones”, jo serialit filmik të njohur në botë, por një realiteti kosovar. Sepse jeta politike në Kosovë është bërë sikur një “reality shoë”.

Marrë nga koha.net

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.