GJIROKASTRA - Shije dhe sharm

SHIJE - - FAQE 1 - Saimir MUZHAKA; fotot Bill MAZREKU

PPasdite. Mes Janari. Jemi një grup i madh, gjysma gjirokastritë e pjesa tjetër nga Tirana. “A janë vërtetë gjirokastritët ata që shfaqen nëpër barcaleta? A e heqin vezën nga tigani amvisat, teksa marrin vesh që burri i tyre po bie nga tarraca?” E si mund të të shpëtojnë batuta të tilla teksa gjendesh m’u në zemër të atij qyteti të përbotshëm?! “Përgjigjen jua jap unë”,- flet rrufeshëm Kudretja. E ne, të gjithë, sy e vesh, presim përgjigjen e saj, ndonëse e dimë se jemi në të njëjtën linjë mendimi me të.…

“Do të shkojmë në atë qytetin e veçantë! Me shtëpitë e vjetra e të fortifikuara, me çatitë e gurta, do shikojmë atë kështjellën e fortë që e ngritur në shkëmb dominon gjithë qytetin… Do përshkojmë kalldrëme të gurta e do të ndeshim monumente kulturore. Do të shijojmë atë djathin që në Gjirokastër e qajnë! Epo do të shikojmë edhe shtëpitë e të mëdhenjve. Do të kalojmë bukur në Gjirokastër!” Të gjitha komentet e sipërpërmendura që zunë pjesën më të madhe të rreth 235 kilometrave që duhet të përshkosh nga kryeqyteti për në Gjirokastër duket të jenë thënë nga disa turistë eksplorues që e shkelin qytetin për herë të parë. Jo! Të gjithë kemi shkuar mbi një herë në qytetin e gurtë. Por kjo është magjia: ai qytet të josh sa herë… Nëse makina është e mirë dhe shoferi manovron po kaq mirë, Gjirokastrën e arrin shpejt: për rreth 3 orë e 40 minuta gjendesh në zemër të pazarit. Marrim djathtas nga aksi kombëtar dhe nisim tatëpjetën. Ja ku është qyteti! “Ky është qyteti që përshkruan Kadare?!”,- pyet njëri prej nesh,- “Është hera e parë që e vizitoj Gjirokastrën natën”. Kemi mbërritur në orën 19:30. Errësirë! Kalimtarët numërohen me gishtërinjtë e njërës dorë. Ca llamburina janë fare të dobëta për të ndriçuar shtëpitë e mëdha. Përpos pazarit të vjetër, që ka më shumë dritë qyteti, pjesa tjetër e tij është në gjumë prej kohësh! Gjirokastritët që na presin nuk habiten me këto përshtypje. Për ta është gjithçka krejt normale. “Jeni nga Tirana, ëëë. Po kjo është Gjirokastra”. “Në mes të pazarit, darkave mezi gjen tre burra”,- na tregon pak më vonë Ëngjëllushja, mikpritësja jonë e parë.

Ndalesa

Punë e madhe se Gjirokastra nuk ka lëvizje, nuk ka drita. Ama ka shije! Dhe njerëz mikpritës. Si Ëngjëllushe Tuqi, 63 vjeçarja që e takojmë në “Hotel Gjirokastra”. Gjendemi në lagjen Partizani, ose ndryshe e njohur si Teqe, në qendër të qytetit. Aty është diçka më ndryshe. Të paktën të sheh syri njerëz. Disa tavolina janë të zëna me klientë që pijnë kafe, lëngje dhe duhan.

Sarmatë i bëjmë edhe në dimër, duke i vënë në stiva gjethet e rrushit e duke i futur në ngrirje. Djathin që e mbajmë në teneqe e kemi ç’të hash! Dikur për shembull, kateve të para të shtëpive gjirokastritët u thoshin qilare. Aty viheshin bute me djathë, gjithë turshitë, vera në qelq etj

E si çdo gjë tjetër, edhe ky vend e ka një histori pas… Me t’u ulur, porosisim kafetë dhe hapim veshët për rrëfimin e sinqertë. Ëngjëllushja, së bashku me bashkëshortin, ka punuar për shumë vjet në “Hotel Argjiro”. Ia dinin vlerat hotelit! Po kaq edhe restorantit dhe traditës kulinare. Na tregon se babai i saj me dy vëllezërit kanë dalë në pension pikërisht në restorant. “Kishin stanet e tyre. Të haje qofte të Cile Muka dhe Mihal Lani. Eh ç’kos që ishte!”,- rrëfen ajo. Dhe dashur padashur jemi futur pa humbur kohë në fokusin e reportazhit tonë. Nga se përfaqësohet tradita gjirokastrite?- e pyesim. Kaq! Ajo ka se ç’të tregojë. “Po ja, mishin e pjekur e mbajmë për shumë të mirë dhe turistët e huaj na e pëlqejnë jashtë mase. Zahiretë e dimrit nuk vijnë pas, si: osa, petra, trahanatë, turshitë me patëllxhana, speca, domate. Dikur i përgatisnim vetë të gjitha në shtëpi, edhe sot ka shumë amvisa që e bëjnë këtë gjë. Sarmatë i bëjmë edhe në dimër, duke i vënë në stiva gjethet e rrushit e duke i futur në ngrirje. Djathin që e mbajmë në teneqe e kemi ç’të hash! Dikur për shembull, kateve të para të shtëpive gjirokastritët u thoshin qilare. Aty viheshin bute me djathë, gjithë turshitë, vera në qelq etj.”,- shton Ëngjëllushja teksa çohet. Disa klientë kanë dhënë porosinë e radhës. Por ajo nuk e menaxhon e vetme këtë hotel, përkundrazi, jep thjesht ndihmën e saj kur mundet. Është një biznes familjar dhe frerët në dorë i ka marrë më i riu. Qazimi është 32 vjeç. Është një djalosh sportiv, në veshje e bisedë. Nisim muhabetin me Qazon, ashtu siç e thërrasin të gjithë. Dhe gjuha e tij shkon menjëherë aty ku i dhemb dhëmballa. Na tregon se familja e tij është gjirokastrite autoktone dhe shtëpia e tyre e vjetër është kthyer në këtë hotel. Me hyrje të ndara, gjysma e saj shërben për këtë, ndërsa gjysma tjetër e shtëpisë është hyrja në të cilën familja jeton vetë. Sipas Qazos, shtëpia është rreth 250-vjeçare dhe ka qenë e familjes Babameto, por që u ble nga gjyshi i tij shumë vite më parë. “Punojmë të gjithë si familje në këtë biznes, ndërsa kuzhinën ia kemi lënë mamasë. Jemi kujdesur që të ruajmë gurët dhe drurin tradicional. Shtëpia është e përbërë me çatma, me tavanë të vjetër druri me gdhendje, me dhipato (sepete), me sergjene (katoqe) etj.”,- na thotë ai. Dhe para se të thotë fjalën e fundit, përpara nesh gjejmë sërish Ëngjëllushen, të ëmën. “E lamë te tradita gjirokastrite”,- na kujton menjëherë ajo. Mënyra se si i thotë këto fjalë, duket të shprehë: Kujtuat se e mbyllëm Gjirokastrën me aq, ëëë, po jo! “Gjirokastra ka dhe shumë ushqime të tjera tradicionale. Harruam pak më parë të përmendnim lakrorin me mish, pashaqoftetë, mumulinë… Dhe mos harroni që amvisat gjirokastrite kanë në kuzhinë një pastërti të pashoqe. E kanë edukatën të lindur. E madje këtë traditë përpiqen t’ua trashëgojnë edhe vajzave”,- teksa thotë këto fjalë shikimin e hedh nga e bija 35 vjeçare, Daniela që me diç po merret aty në banak. Ajo punon bashkë me familjarët e saj, në për­ pjekje të vazhdueshme me grupin që ky vend të jetë sa më mikpritës për turistët e huaj dhe ata vendas. Dhe ia kanë arritur! Në disa faqe interneti ku turistët votojnë, “Hotel Gjirokastra” rezulton i pari. Turistët joshen nga oda e madhe e hotelit, ku në qendër gjendet mangalli e në të majtë tij një sepete që është dërguar nga Amerika në vitin 1920. Rrinë si të hutuar teksa shkrepin aparatet fotografike para hekurave të vjetër me prush, para çelësit të stërmadh të shtëpisë, vëzhgojnë me detaje tavanin e shkallët e drunjta… e pastaj, nuk mund të mos e pranojnë hapur: “Gjirokastra ka shije”. Janë këto receta që ata i preferojnë aq shumë e që Gjirokastrën e prezantojnë në hartën kulinare shqiptare denjësisht, ndaj ne jua sjellim bashkë me recetat në këtë shkrim. Pas bisedës së ngrohtë atë mbrëmje, të nesërmen, herët në mëngjes, Ëngjëllushja i gatuan këto receta enkas për lexuesit e “Shije”-s.

Gjirokastra, ditën

Princesha Argjiro, e martuar me princin e qytetit, mendohet të ketë qenë sundimtarja e Gjirokastrës përgjatë shekullit XV. Argjiroja luftoi me turqit kur ata rrethuan kalanë e Gjirokastrës. Megjithatë, turqit arritën ta merrnin qytetin. Princesha Argjiro, për të mos rënë në duart e tyre, u hodh nga kulla më e lartë e kalasë, së bashku me djalin e saj, i cili ishte foshnjë. Qytetin më pas e quajtën “Kalaja e Argjirosë”. Emri i qytetit mendohet të ketë ardhur pikërisht nga princesha, edhe pse ka mendime që vjen ndoshta nga greqishtja, sipas të cilës do të thotë qytet i argjendtë. Për princeshën Argjiro, shkrimtari i madh Ismail Kadare ka shkruar një poemë të mrekullueshme! Jemi rrugëve të Gjirokastrës, duke shijuar çdo copëz sokaku të kalldrëmtë e duke rrëfyer legjendën e Argjirosë, secili duke hequr e shtuar çdi nga njohuritë e veta. Ka aq shumë

për të fotografuar në këtë qytet magjik, sa rrugën për tek shtëpia e Kudrete dhe Pëllumb Vehbiut e bëjmë me një pafundësi ndalesash. Nga sarmatë e pashaqoftetë e shijshme të Ëngjëllushes, amvisa e radhës, Kudretja, do të gatuajë për ne qifqitë jo pak të famshme. Gjendemi në kodrën e kështjellës, në një prej lagjeve më të vjetra të Gjirokastrës. E veçanta e kësaj zone është se shtëpitë janë pak a shumë me të njëjtat karakteristika: kanë të gjitha një rezervuar uji, qilarin, pastaj katoqetë. Nuk kanë kasolle dhe sipas Pëllumbit, në shtëpinë e të cilit kemi mbërritur, është një lagje që u ka takuar atyre që mbanin dy stilolapsa, pra e nëpunësve të administratës shtetërore të kohës. Kudretja dhe Pëllumbi janë kujdesur që shtëpinë ta ruajnë në formën e hershme. Dhe kjo duket ngado. Aty shohim tavanin me rrogull, mindere, e madje deri vrimat e predhave ndanë tavanit. Ka disa dëmtime në shtëpi dhe sipas Pëllumbit është detyrë e pushtetit që t’u kushtojë këtyre shtëpive më shumë vëmendje. “Të lëvizë shteti!”. Gjithsesi, shtëpia është e mrekullueshme, nga ato që duket se dalin nga librat e historisë. Nuk është muze etnografik, por një shtëpi ku banohet, e madje më së miri. E zonja e shtëpisë, një mikpritëse e pashoqe kujdeset që fillimisht të na servirë nga një gotë raki. Pasi muhabetosemi pak për qytetin e gjithfarë temash, bisedën e drejtojmë nga qifqitë. Shumë prej nesh nuk i kanë provuar kurrë dhe me endje presin gatimin nga duart e Kudretes. “Eh, janë të mira! Sidomos për gratë lehona. U jepen në momentet që ato lindin, sepse thuhet që u bën mirë për t’u ardhur qumështi. Por edhe për mysafirët janë të shkëlqyera”,- na tregon Kudretja që ndërpritet nga i shoqi. “Pa dale t’jua tregoj unë një histori me qifqitë”,- ndërhyn Pëllumbi. “Kur u fejuam, në shtëpi na erdhën njerëzit e gruas. Unë

punoja asokohe në një vend ku siguroja mish. E atyre s’u ra ndërmend aspak për pilafin, por mendjen e kishin te mishi. Në fund, meqënëse pilafi ngeli, ne e bëmë qifqi. Miqtë që ende nuk ishin larguar, jo vetëm që i pëlqyen pamasë, por hëngrën e madje morrën edhe me vete”. Të gjithë qeshim. Kthejmë gotat e rakisë dhe shkojmë në katin e parë të shtëpisë, teksa shohim procedurën e përgatitjes së bobollaqeve, siç u thonë ndryshe gjirokastritët. Nuk duhet shumë kohë që ato të përgatiten. E në fund, janë fare të shijshme. Të mendosh që kërkojnë pak përbërës! Por Kudretja ka vendosur që qiellzën tonë ta provokojë edhe më tepër. Pas qifqive, vjen radha e glikosë me ftua dhe me mollë. “Duam recetën”,- i themi Kudretes. “Gjirokastritët nuk punojnë me receta”,- na e pret shpejt i shoqi. Glikoja është e shkëlqyer. Edhe ajo e lërënxës, të cilën Kudretja na e servir pak më vonë. E për të shuar kuriozitetin tonë për përgatitjen e saj ajo merr një gjilpërë me pe, aty ku fut thelat e lërënxës. “Si kërmill po bëhet”,- flet njëri nga grupi ynë. “Epo ai kërmill, është ç’të hash”,- ia pret tjetri. Pak heshtje dhe biseda rinis. Për këtë mendon njëri prej nesh: “Ja, dhe thonë që barcaletat janë trill. Pak më parë na treguan që qifqitë i bëjnë me pilafin e ngelur. A janë me të vërtetë gjirokastritët ata që shfaqen nëpër barcaleta?”. “Jua jap unë përgjigjen”,- thotë Kudretja. “Jo! Dhe kjo puna e qifqive është as më shumë e as më pak se sa nikoqirllëk, e jo kursim. Të heshtur, e të buzëqeshur e mbështesim këtë ide. Amivisat gjirokastrite janë vërtetë nikoqire. E gjirokastritët nuk janë aspak ata të barcaletave që qarkullojnë me humor. Të paktën këta që na shoqëruan e takuam aty, na bindën me sjelljet e veprimet për krejt të kundërtën. Kush i mendon ato histori humoristike ende, atëherë është i vogël!

*** Më i njohuri i letrave shqipe i ka thurrur Gjirokastrës historike himne që zor se harrohen. Përmes romaneve të vlerësuara anë e mbanë botës, ai ka sjellë për lexuesit pasazhe nga jeta e kaluar e qytetit, i ka kënduar bukurive të shumta e nuk ka ngelur asgjë pa u thënë! Ndaj në vend që të ndalemi tek këto pjesë, që gjithsesi nuk do t’i shpërfaqnim kurrë dot aq bukur, po shtojmë një tjetër aspekt: veç të tjerash, Gjirokastra të ofron edhe një kuzhinë shumë të shijshme. Ia vlen edhe për turizëm kulinar! Një ditë në qytetin e gurrtë, mes historisë e gatimeve të amvisave të zonja, mund të jetë një copëz parajse në Shqipërinë jo pak herë të lodhshme… E madje dhe për këtë, Gjirokastra s’do reklama… Janar, 2014.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.