Shumë ujë për lëkurën

Shumë ujë për lëkurën

SHIJE - - FAQE 1 - Fotot - AGLEN HAJRO

-Cili është mendimi juaj për shprehjen “ti je ajo çfarë ha”?

E saktë. Sepse që në pamje të parë një njeri mund ta konstatosh nëse është dikush që ushqehet shëndetshëm ose jo. Sigurisht, rol kryesor ka ADN-ja, jeta që bën, gjendja momentale emocionale etj. Por, ushqimi i mirë dhe i shëndetshëm është faktor i jashtëzakonshëm.

-Lëkura, organi më i madh i trupit të njeriut, a e meriton përkujdesjen tuaj të veçantë?

Po, patjetër. I kushtoj përkujdesje, edhe pse trashëgimia gjenetike më “lejon” që të mos jem sistematike në zbatimin e rregullave. Jo vetëm unë, por në përgjithësi, me ardhjen në jetë të fëmijëve, një nënë vështirë ta ketë luksin ta ndjekë gjithë procedurën gati një-orëshe të trajtimit të lëkurës para gjumit.

-Përkujdesje, në rastin tuaj do të thotë kremra të blerë në dyqan apo “kremra” të bërë vetë në shtëpi?

Kremra të blerë në dyqan. Kursen kohë, por jo para... E megjithatë, herë pas here i jap vetes kënaqësinë e maskave të bëra vetë. Herë pas here, thjesht për pamundësinë e kohës. Sepse, jam gjithnjë e mendimit që gjërat natyrale janë më të mirat.

-Cilat janë ushqimet që përdorni për të ushqyer lëkurën? Cilat janë ushqimet që ju bëjnë dëm? Si i keni zbuluar ushqimet e mira dhe të këqija për specifikën e lëkurës tuaj?

Zbulimi ka ardhur me kohën e cila i ka testuar njëfarësoj reagimet e ushqimeve në organizmin tim. Për shembull kam konstatuar se kur pi shumë ujë lëkura ngjan më e freksët. Dhe këtë element nuk e shpërfill. Aq më tepër që është diçka e thjeshtë për t’u bërë. Sa i përket ushqimeve që më ndikojnë negativisht mund të përmend ushqimet pikante dhe alkoolin. I kam përjashtuar nga menyja ime.

-Pra ju keni një listë ushqimesh të ndaluara dhe listë ushqimesh të shëndetshme që ia impononi vetes?

Kam listë ushqimesh të ndaluara. Përveç të sipërpërmendurave, ushqimet me shumë kalori përgjithësisht mundohem t’i shmang. Ndërsa listë ushqimesh që ia imponoj vetes, jo.

-Fruta dhe zarzavate apo mish dhe bulmet... cila është prirja juaj dhe deri në ç’masë sakrifikoni për të respektuar rregullat?

Frutat, zarzavate dhe bulmet. Mishin jo, peshkun po. Sakrifica, hëm... derisa nuk kam humbur akoma të gjitha kilet e shtatzënisë, tregon që nuk kam sakrifikuar sa duhet...

-Të kthehemi te lëkura: a mund të na jepni disa maska personale dhe efektet apo rezultatet konkrete?

Së pari mund të them se çfarë kam konstatuar tek vetja është fakti se kur nuk ushqehem shëndetshëm për një periudhë kohe, nuk ka maskë që jep efektin e pritur. Pra kryesorja është që lëkura të ushqehet së brendshmi. Kurse maskat, që i bëj kur kam kohën por edhe një nxitje të brendshme për ta bërë, sepse duhet pranuar kjo do përkushtim, ato janë të thjeshta: maskë me kos dhe mjaltë; ajkë qumështi. Ndonjëherë pasi e pastroj lëkurën, vë mbi të thjesht një shtresë të hollë mjalti që e lë 15 minuta e pastaj e shpërlaj. Tjetërherë ziej në ujë një tufë majdanoz dhe lëngun e përftuar e përdor si tonik.

-Si i neutralizoni ndikimet negative të dimrit në lëkurë?

Dimri nuk më ndikon veçanërisht negativisht. Megjithatë nuk e harroj kurrë kremin hidratues të ditës dhe të natës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.