Maskat që bëj në shtëpi

maskat e mia me fruta

SHIJE - - FAQE 1 - Fotot - AGLEN HAJRO

aAjo është gazetare televizive. Dhe ja ku është një arsye më shumë për të bërë një kujdes të veçantë për lëkurën, përveç të qenit femër. Juli Xhokaxhiu, në të vërtetë i kushton jo pak vëmendje ushqyerjes së lëkurës së brendshmi ashtu edhe së jashtmi, me ushqime. Maskat me fruta dhe perime, janë ato të cilave u drejtohet herë pas here, përveç kujdesit të zakonshëm kozmetik me kremrat e blerë në dyqan. Më në hollësi, ajo rrëfehet:

Lëkurën e ushqeni së jashtmi me kremra, maska , detergjente, apo edhe së brendshmi?

Së jashtmi sigurisht, por mendoj se ushqimi dhe qetësia janë kryesoret. Eshtë lehtësisht e dukshme që pas një dite të qetë ose të qeshur, lëkura shkëlqen, gjithashtu, kur ushqehesh me rregull dhe merr pak nga të gjitha. Gjumi është shumë i rëndësishëm. Kremrat janë të përditshëm, maskat herë pas here. Dhe nuk ndodh kurrë, që të fle pa vënë kremin e natës.

Cili është ushqimi që e vlerësoni si aleat të lëkurës suaj?

Në fakt jam me parimin: nëse ushqehesh sipas oreksit, ndihesh më mirë në gjithçka. Megjithatë kombinimi i qumështit, mjaltit dhe frutave më duket më i miri. Vaji i ullirit, qoftë edhe në sasi të vogël, besoj se duhet marrë çdo ditë. Ndoshta duket pak jashtë këshillave të ditës, por ndiej se kam stabilitet në lëkurë edhe kur konsumoj brumëra, me pak fjalë, organizmi ka nevojë për të gjitha dhe lëkura bashkë me të.

Si i zbuluat, pse mendoni se ju bëjnë mirë për lëkurën ushqimet që ju listuat?

Sepse kur i kam lënë pas dore për disa ditë, kam parë që diçka nuk shkon me lëkurën, ndihet e lodhur. Kur jam korrekte, sidomos me qumështin dhe mjaltin, e shoh që edhe lëkura ndihet mirë.

Si i ekuilibroni dëmet në lëkurë nga makiazhi i tepërt që imponon ekrani?

Kjo është pjesa më e vështirë. Shpesh, pasi e kam mbajtur grimin për orë të gjata, e ndiej lëkurën jo thjesht të dëmtuar, por gati më dhemb. Së pari, higjiena nuk mund të lihet pas dore, një pastrim i mirë në mbrëmje është i domosdoshëm. Kremi i natës dhe masazhi gjatë aplikimit po ashtu. Ndonjëherë e marr me përtesë, por e ndiej ndryshimin sa hap sytë në mëngjes. Por, kur e ndiej vërtet keq, i drejtohem produkteve natyrale: masazh me vaj ulliri me limon (të rrahura mirë), mjaltë, vaj bajamesh ose vezë.

Ushqimet e ndryshme, perimet apo frutat..., do t’i zëvendësonin kremrat për ju?

Kam eksperimentuar, p.r.sh. në momente kur e kam pasur lëkurën paksa të irrituar, dhe kam provuar lëkurën e mangos, të avokados, bananes... Ose thjesht e kam zëvendësuar kremin me ajkë qumështi apo kos. Rezultati ka qenë i kënaqshëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.