Kulturë & traditë

Kur Koliqi botonte receta Shije alla Heminguei

SHIJE - - FAQE 1 - Nga Arta MARKU

“Nuk e di pse shqiptarët kanë padrejtësisht një ndjenjë inferioriteti sa herë flitet për gatimet tradicionale”. E dëgjova të thuhej në një program televiziv për kuzhinën dhe ushqimin. Nuk do të më kishte tërhequr vëmendjen nëse ai që e tha do të ishte shqiptar, njëri syresh me ndjenjë të theksuar nacionalizmi. Porse, përkundrazi, ishte një qytetar turk dhe njohës i mirë i kuzhinës gjithashtu, ideues dhe pronar i një restoranti të veçantë. Në fakt, është krejt e vërtetë, pothuaj nuk guxojmë të hartojmë me zë të lartë një listë gjellësh tipike shqiptare. Gjithherë kemi prirjen për ta identifikuar origjinën e hajeve që jemi mësuar të gatuajmë në kuzhinat tona me Turqinë... 500 vjet nën Turqinë! Epo, kjo është një arsye e fortë për të menduar se turqit kanë ndikuar edhe në kuzhinë tonë. Tek e fundit, është e pashmangshme, përzierjet nuk mund të mos ekzistojnë.

Edhe kuzhina lëviz, gërshetohet, përpunohet, rrjedh... si ujët e një lumi. E megjithatë edhe në kuzhinat shqiptare është gatuar “shqip”. Fundja, mjafton pak vëmendje për të kuptuar se e njëjta gatesë ndryshon në hollësi nga një vend në tjetrin. Pra, ndryshe gatuhet e njëjta recetë në një kuzhinë shqiptare e ndryshe në një turke... Si për ta mbështetur dëshirën e mirë të ekzistencës së kuzhinës tradicionale shqiptare, nxora nga biblioteka një libër të hollë sa një fletorkë që më kujtonte fletoret të cilat amvisat e dikurshme i mbushin me receta që i shkëmbenin mes njëra -tjetrës, në mungesë të librave të mirëfilltë të kuzhinës. E megjithatë, pavarësisht përmasave, ishte një libër që nuk mund t’i kalosh tangent. S’ka se si përderisa qysh në kopertinë lexon titullin më pak të mundshëm që mund të të shkojë në mend: “Në

tavolinë me Koliqin”. Në të vërtetë, nuk është rasti i një libri që të informon mbi këtë personazh kaq interesant të kulturës shqiptare. Nuk është aspak biografik dhe veç shkarazi bën me dije se Koliqi paskësh qenë një njohës i zellshëm i përmbajtjes së tryezave të mira. “Një ashik i tavolinës”, siç do ta përshkruante autorja e librit Elektra Çapaliku. E megjithatë, Koliqi s’është për tjetër më shumë se sa për të treguar pikërisht se e kemi një kuzhinë tradicionale. Se në tavolinat shqiptare janë shtruar dreka e darka jo edhe aq për t’u shpërfillur. Tipike shqiptare? Ndoshta nuk ja vlen të përpiqemi e të nxjerrim përfundime kategorike. Tek e fundit njerëzit venë e vijnë, lëviznin e ngado shkojnë, çojnë diçka, e kur kthehen tjetërçka bien me vete... Edhe në aspektin e kulinarisë kështu. Aq më tepër, në librin “Në tavolinë me Koliqin”, bëhet fjalë për tavolinat e Shkodrës, një vendi të hapur, me rrugë hyrëse e dalëse fort të shkelura. “Nji njeriut dashamirë shkrimesh të moçme dhe, deri ku mundet e din, edhe hulumtues e lavrues së historisë së zakoneve t’ona, çfarë dhurate ma të çmueshme mund t’i bahet se një tefterë të vjetëruem me faqe zverdhuke në të cilin përshkruhet shqip mënyra si me gatue gjellë e ambëlsina?”... Kështu e fillon Ermes Koliqi një shkrim të botuar te Shejzat (Romë 1972, nr 1-4). Një kushërirë e tij e largët, murgeshë në një kuvend të Trevizo- s ia paskësh dhuruar Koliqit fletoren e

zverdhur nga koha e përdorimi. “Po ju dër

goj, - i shkruante ajo në letrën shoqëruese

– [...] një tefterë që kam kopjuar unë prej të afërmve të Çividales, me mënyra si me ba gjellë dhe disa fletë të zgjidhme, shkruar prej nanës sime kur ishte e re, për me ba ambëlsina...” Mesa duket kjo fletore e ato fletë jashtë saj, e joshën Koliqin. Jo thjesht dhe vetëm se aty i kënaqej ëndja e një shijuesi gjellësh shqiptare të zgjedhura. Më tepër se kaq... “aty ndjeva amën e një jete tashma të perëndueme, fisnikin e dokeve, të kalesës kur e ama bashkë me pajë i shtinte n’arkë bijës, qi shkonte nuse, edhe shënime e mësime si me u sjellë në shtëpi te burri. Natyrisht sofra ka shumë randësi në jetën familjare e prandej edhe mënyra se si me përgatitë haenat në kujdes të madh.” Paskëtaj, pa mëdyshje, Koliqi vendosi të bëjë një përzgjedhje e t’i botojë recetat e shkruara në atë “tefter në gjendje të mirë” në përmbajte të të cilit ishin 186 mënyra gatimi dhe në fletët e shkëputura 15 receta ëmbëlsirash. Dhe i boton pikërisht në revistën Shejzat. Arsyeja, një edhe e vetme: “Aroma e sofrave të dikurshme të vendit tonë, që del e përhapet prej këtyre fletëve zverdhë nga vjetërsia urojmë të thekë a të përmallojë lexuesit me zgjimin e një flladi kujtimesh të një kalese tashmë të varruar në gjire të kohës.” Në të vërtetë recetat që i ranë në dorë Koliqit e që ai pas përzgjedhjes i botoi, ishin të përziera “Domethanë përfshijnë gjellë të rëndomta të vendit tonë dhe të vendeve të huaja”. Sigurisht atij i kanë interesuar ato tipiket shqiptare. Sidomos për të thënë se kishte të tilla. Së paku aty nga fundi i shekullit XIX, janë shkruar disa syresh, siç e dëshmon fletorja e kushërirës murgeshë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.