Kungulli

I verdhë, i ëmbël dhe... i shëndetshëm

SHIJE - - PËRMBAJTJA -

I verdhë, i ëmbël dhe... i shëndetshëm

Nëse deri tani nuk e keni marrë seriozisht, është koha të ndryshoni mendim. Sepse me siguri duhet të keni dëgjuar për kungullin. Me forma dhe dimensione të ndryshëm, por çudibërës për shëndetin. Po, po, pikërisht kështu. Të paktën në këtë periudhë të vitit, rezistojini tundimit për rizoto e pasta dhe zëvendësojini më mirë me kungull.

Ekzistojnë shumëllojshmëri recetash gatimi për të dhe, mbi të gjitha, as të shëndosh e as të bën dëm. Përkundrazi. Kungulli mund të konsiderohet si një nga produktet kryesore ushqimore natyrore, i cili është plot me antioksidantë, vitamina dhe minerale dhe, edhe sikur të mos ishin të gjitha këto këto, ka shije të shkëlqyer. Sa për të filluar: Kungulli është burim i betakarotenit, luteinës dhe zeaksantinës. Këta janë antioksidantë që mbrojnë shëndetin e syve dhe reduktojnë rrezikun e sëmundjeve të tyre. Pastaj përmban sasi shumë të vogël kalorish dhe është burim i çmuar i vitaminave A dhe C, kjo e fundit e njohur për forcimin e imunitetit, por edhe të sistemit kardiovaskular. Së bashku me carotenoids, në kungull gjendet edhe vitamina E, që premton lëkurë të shëndetshme. Kungulli është edhe burim i mirë i fibrave natyrorë, të cilat ndihmojnë tretjen dhe metabolizmin e trupit. Përveç kësaj, përmban vitamina të tjera ushqyese dhe minerale: Kalium, magnez dhe vitaminë B5 janë gjetur në tulin e kungullit.

SI TA ZGJEDHIM

Është e rëndësishme që kungulli të jetë i freskët dhe i pjekur mirë. Mund ta kuptojmë nga tingulli i shurdhët që nxjerr, nëse e godasim lehtë. Lëvorja duhet të jetë e pastër dhe pa plasaritje. Meqë 30-35 përqind të kungullit e përbëjnë farat dhe lëvorja, preferohet të blihet edhe në supermarket, i prerë në copa. Në raste të tilla duhet bërë kujdes që pjesa e prerë dhe e ekspozuar në ambient, mos të jetë e tharë dhe tepër e pjekur. Ndërsa farat të jenë të lagështa dhe të rrëshqitshme.

SI TA KONSERVOJMË

Një kungull i plotë mund të ruhet përgjatë gjithë dimrit, në një ambjent të errët, të freskët dhe të thatë. Pjesët e prera ruhen në frigorifer, mbështjellë me qese dhe duhet të konsumohet brenda pak ditësh. Tuli mund të ruhet edhe në akull, mundësisht pasi të jetë zier.

VLERAT USHQIMORE DHE PËRDORIMI

Tuli i kungullit, falë pranisë së sasisë së madhe të ujit të përqendruar në të dhe sheqernave të thjeshta, është i ëmbël, por nuk ndikon në shtimin e kilogramëve. Përveçse për vlerat ushqyese, tuli i kungullit mund të përdoret edhe në lëkurë të pezmatuar, ndërsa lëkura e tij për djegie të lehta. Ekstrakti i kungullit i shtuar në një gotë qumësht ose lëng frutash, ndihmon në ndalimin e të përzierave në mëngjes, çrregullimet e stomakut dhe prostatës. Nuk përmban glutinë.

ARTI DHE LETËRSIA

Kunguj të të gjitha llojeve dhe me bollëk u shfaqën në vitin 1591 në Portretin e Rudolfit II, i njohur si Vertumno, i Giuseppe Arcimboldi-t. Ndërsa Teofilo Folengo i shek. V e përfundoi Maccheronee-n e tij duke i mbledhur të gjithë personazhet, brenda një kungulli të madh.

NËPËR HISTORI

Ka shumë mundësi që origjina e kungullit vjen nga Amerika Qendrore. Farat më të vjetra janë gjetur në Meksikë dhe i përkasin viteve 7000-6000 p.K. Në Amerikën e Veriut, kungulli ishte ushqimi bazë për indianët dhe në vitet në vazhdim ai u përhap përgjatë gjithë bregut Atlantik. Kolonizatorët e parë mësuan ta kultivonin kungullin, bashkë me pataten dhe domaten, nga indianët vendas, duke përzgjedhur kështu produktet e para të importuara në Evropë, pas zbulimit të Amerikës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.