Aperitiv – Na ishte një herë

SHIJE - - PËRMBAJTJA - Nga Mitro Çela

Nga faraonët te buka, fasulet dhe maska në allçi

VJESHTË E TRETË, 2007

SHTATOR 1981

6 TETOR 1981

Mora vesh një haber me “yndyrë”: Kryeministri Berisha do të shkonte në Egjipt. Pasi i bëra “temena” Doktorit, ai më “kalli” në delegacion. Haberin, thashë ta “festoj” me disa kujtime. Punoja në gazetën “Zëri i popullit” kur më thërret kryeredaktori. “Ansambli i Këngëve dhe Valleve do të shkojë për disa koncerte në Egjipt”, më tha. “Partia mendon të të dërgojë ty për të bërë një “tufë” me reportazhe”. Gëzimin e ndava me Ezmerkën, në atë mot, të fejuar taze. U kapardisa. Pas 10 viteve punë si gazetar, ishte hera e parë që do të shkoja për vizitë jashtë shtetit. Plotësova letrat. U prenë biletat… por nuk të lë tersi. Në Kajro u organizua një paradë ushtarake në kujtim të luftës së vitit 1973. Në tribunë, Presidenti Sadat. Para tribunës, parakalonte ushtria. Një tank ndaloi, zbriti një ushtar me një mitroloz në dorë. Gjakftohtë. Drejtoi armën nga presidenti dhe hapi zjarr. Sadati vdiq në vend. U trazua bota. U shkund Egjipti…Mbeta edhe unë pa shkuar në Kajro. Normal! Nuk mund të ketë këngë e valle pas një tragjedie.

27 SHTATOR 2007

Në mesditë, kur dielli digjte si saç, zbritëm në aeroportin e Kajros. Sipas protokollit, takimin e parë e bëmë me Kryetarin e Parlamentit. Një burrë i vjetër, ezmer. “Jam shqiptar me origjinë. Gjyshi ka ardhur nga Kavallo,” ishte fjala e tij e parë. “Jo, i tha Berisha, ju jeni nga Kavaja. Ka shumë njerëz që i ngatërrojnë dy qytetet. Ju ftoj të vizitoni Shqipërinë. Kavaja do t’ju shpallë “Qytetar nderi”. Kryetarit i pëlqyen të dyja propozimet e Berishës. Nga hareja, doli nga protokolli i takimit dhe tha: “Karrierën e kam nisur si kuzhinier. Historia e kuzhinës egjiptiane fillon me Egjiptin e vjetër. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një fakt të bukur: Punëtorët që ndërtuan piramidat janë paguar me bukë gruri, birrë dhe qepë. Tre produkte jetike për miletin. Birra doli në “pension” pas pushtimit të Egjiptit, në vitin 641, nga arabët. Qepa, edhe sot është e para, ndër perimet. Pastaj vijnë fasulet, orizi, hudhrat, erëzat etj. *** Pjesë e protokollit ishte edhe vizita në piramidën e Keopsit. Dy milionë gurë një mbi një. Një gur peshonte dy mijë ton! Si u ngritën në hava? Si u tërhoqën nga guroret? Kush i projektoi piramidat? Ciceroni na tregoi disa teori, por mua më pëlqeu teoria e doktor Ivanoiviç. Jo se këtë pëlqeu edhe Berisha, por sepse brenda teorisë, kishte edhe shumë fantazi. Doktor Ivanoviç ishte shkenctar sovjetik, autor i librit “ISiS”. Në vitin 1961 u organizua nga KGB-ja një ekspeditë e drejtuar nga doktor Ivanoviç, me tre synime: - Kërkime shkencore për fuqitë telepatike; Dosje për UFO-t; Zbulimi i misterit të piramidave. “Në libër, thotë ciceroni, “flitet edhe për maskën mortore të faraonit Tutankhamun. Ky fakt më “rrëmbeu”. Hapa internetin. Paska maska për argëtim-karnavalet; maska për maskim, për krime; maska mortore, jo për njerëz dosido, por për personazhe që kanë lënë gjurmë në histori. Ka maska mortore për Napolon Bonopartin, Dante Aligerin, Bethoven etj. Maskat mortore bëhen me dyllë, me plastikë ose me allçi. Kur gatuhen? Në prag të vdekjes, por në shumë raste, pas vdekjes. Dhe imazhi jeton për shekuj... Po në Shqipëri ka maska mortore? Nisa të bëj një lidhje me mend: Piramida ka në Egjip, piramidë kemi edhe në mes të Tiranës. Në Egjipt u ndërtuan në lashtësi për lavdinë e faraonëve, në Tiranë u ndërtua

për lavdinë e Enver Hoxhës. Vrava trurin... Hapa blloqet e vjetra të shënimeve.

14 TETOR 1988

Në atë mot, punoja te gazeta “Bashkimi”. Ditë e madhe: U inagurua “Mauzelumi Enver Hoxha”. Mijëra vetë vërshuan brenda piramidës, bashkë me ta, edhe unë. Relike, libra, fletore me shënime, makina e Enverit, maskat e Enverit në kohë lufte, për të mos shkuar tek të shumtët. Koburja e Tarasit - pseudonimi ose “maska” e emrit. Fytyra e Enverit në maskë mortore, dora e Enverit në allçi... Zgurdullova sytë. U befasova. Rastësisht, pranë kisha Hekuran Isain, Ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrose Politike. Kisha muhabet, falë miqësisë me të birin. Madje, kur isha shef i sektorit ekonomik te “Zëri i popullit”, pata bërë një faqe gazete me emrin e Hekuran Isait në titull: “Vlerat ushqimore të barit të thatë”. E pyeta për maskën mortore. “Shëëët! Sekret. Hajde nesër në zyrë”. Një ditë më vonë shkova në Ministrinë e Brendshme. Hekuran Isai më tregoi se ditën e parë që vdiq shoku Enver, ishin tronditur. “Sikur na ra rrufeja. Ditën e dytë, u mblodh Byroja Politike me shokun Ramiz Alia në krye. U morën disa vendime: U vendos që emrin e shokut Enver ta kishte Porti Detar në Durrës, uzina e Traktorëve në Tiranë dhe Shkolla e Bashkuar e Oficerëve. Në qëndër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, do të ngrihej një monument, më i madhi në Ballkan. Shoku Ramiz u zotua të bënte librin, “Enveri ynë”. Në fund, shoku Ramiz na tha: “Do t’ju them një sekret që duhet të mbetet mes nesh: Do të bëjmë një maskë mortore për fytyrën dhe dorën e shokut Enver. Një imazh i gjallë. Ju e dini, për shokun tonë Enver ka vetëm vit lindje, 1908. Nuk ka vit vdekje. Ai është legjendë për të gjithë komunistët e botës! Ju mund të thoni: Pse të mos e ballsamosim si Leninin në Moskë? E diskutuam, por po ta bëjmë, sovjetikët do të na akuzojnë se imituam veprën e tyre. Nga ana tjetër, maska mortore është më simbolike. Është më e lashtë. Zanafillën e ka në piramidat e Egjiptit...” ...Po atë ditë thirrëm disa skulptorë: Kristaq Rama, Muntas Dhrami, Muharrem Turkeshi”, vazhdoi bisedën Hekuran Isai. “Udhëheqësi qëndroi një javë pa u varrosur. Ditën e shikonin njerëzit, natën punohej për maskën. Trupin e hiqnin nga podiumi dhe e vendosnin në dysheme. Skulptorët bënin llogari. Dy orë para se të mbyllej arkivoli, Muharrem Turkeshi hodhi allçi mbi fytyrë dhe doli maska e fytyrës. Pastaj u bë dora!...” *** Por le të vazhdojmë vizitën në Egjipt. Nga piramidat u kthyem mbasdite. Qëndrova në bar-restorantin e hotelit. Pranë meje një egjiptian mesoburrë, mbante në dorë një libër. Pashë me bisht të syrit portretin e një hoxhe: çallmë e mjekër e bardhë. Burri, pa më përshëndetur, më zgjati librin. Autori: Gilbert Sinoue. Titulli: Faraoni i fundit. Nëntitulli: Mehmet Aliu me origjinë shqiptare, i mbiquajtur Napoleoni musliman. Shqeva sytë. Egjiptiani kishte në dorë një libër shqip, të përkthyer nga Luan Rama. “Gruan e kam shqiptare, nga Vlora”, tha burri me një shqipe të çalë. “Ku e gjeta? Më gjeti ajo. Të dy studentë në Kajro, për ekonomi. Deri në martesë, ishte e urtë si gamile. Pas martesës, nisi të hedhë shkelma. Më thotë, mëso shqip ose të ndava! Duke qenë e huaj, ligji e mbron. Dmth, po u ndamë, më merr pasurinë…” Vjen kamarieri. Mbi tavolinë u vendos një pjatë e zbukuruar me art. Nuk kisha parë një gatim të tillë. “Kjo pjatë quhet “Ful Medames”, më thotë miku im. “Nuk ka të bëjë me madamat franceze. Është një recetë që vjen nga koha e faraonëve. “Medam”, ka kuptimin e “varrosur” sepse gatuhet në një tenxhere të futur brenda në qymyr (varrosur) ose në rërë të nxehtë. Gatuhet me qepë, fasule, hudhër, lëng limoni, vaj ulliri. Mund të serviret me gjalpë, salcë domate, vezë të skuqura. Në ditët e sotme, “Ful Medames” është eksportuar në shumë vende të Lindjes së Mesme: Siri, Liban, Arabi Saudite, Irak.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.