Farat e Kungullit

TË MIRA, POR PA E EKZAGJERUAR

SHIJE - - PËRMBAJTJA -

Të mira, por pa e ekzagjeruar

E keni pastruar kungullin? Keni hequr lëkurën dhe farat? Keni zgjedhur një recetë të shijshme dhe në kuzhinë vjen një aromë që të ndjell oreksin? Shumë mirë! Jeni në rregull, veç mos mendoni se e mbyllët me kaq. Sepse ka akoma për të mësuar dhe përfituar. Tuli i kungullit është vërtet i shëndetshëm dhe premton të mos ju shtojë në peshë, ama farat e tij janë kuruese të aq sëmundjeve, sa është mëkat t’i hidhni poshtë! Prandaj vini veshin asaj çfarë specialistët e laboratorëve dhe mjekësisë kanë zbuluar, në mënyrë që t’i merrni më të mirën kësaj vjeshte. 100 gram fara kungulli përmbajnë rreth 559 kalori (7.8% karbohidrate, 18,8% proteina, 73,4% yndyrna). Ka qindra vite tashmë që ato përdoren për qëllime mjekësore, sepse janë burim i pasur me magnez, kalcium, kalium, hekur, zink dhe vitaminë K. Dhe lajmi i mirë është se nuk do shumë mund t’i bëni të konsumueshme, edhe në shtëpi. Mjafton t’i lani, thani dhe t’i piqni në furrë rreth 20 minuta në 80 gradë celsius. Kështu farat ruajnë të gjitha veçoritë ushqyese dhe ju shërbejnë për shumëçka.

NË LUFTË ME KANCERIN

Shkencëtarë të ndryshëm kanë zbuluar se farat e kungullit përmbajnë përbërës, të cilët luftojnë me sukses kundër qelizave të kancerit. Një studim i fundit thotë se femrat, të cilat kanë kaluar në menopauzë, nëse konsumojnë çdo ditë fara të kungullit, kanë 23 për qind më pak rrezik ndaj kancerit të gjirit.

MUND TË BIEM EDHE NË PESHË...

Farat e kungullit kanë vërtet përqindje të lartë yndyre, ama nëse përdoren në sasitë e duhura mund t’i shndërrojmë edhe në një burim të mirë ushqimor për trupin. Sepse janë gjithashtu të pasura me fibra dhe proteina që ndihojnë në rënien në peshë. Vetëm 30 gram fara kungulli përmbajnë rreth 5 gramë proteina, gjë që do t’ju mbajë të ngopur për një kohë më të gjatë. Megjithatë kujdesi nuk është kurrë i tepërt: një filxhan me fara, përmban rreth 285 kalori.

POSHTË KOLESTEROLI!

Studimet kanë zbuluar se farat e kungullit mund ta reduktojnë nivelin e kolesterolit të keq deri në 13 për qind, ndërsa nivelin e kolesterolit të përgjithshëm në 10 për qind. Gjithashtu reduktojnë rrezikun e sëmundjeve të sistemit kardiovaskular.

PROSTATA DHE MESHKUJT

Ndihmojnë në parandalimin e kancerit të prostatës. Janë të pasura me antioksidantë që ndihmojnë në mbajtjen aktive dhe dinamike të sistemimit imunitar. Farat e kungullit kanë edhe omega 3 që në këtë rast i vjen në ndihmë organizmit në luftën kundër artriteve dhe osteoporozës. Ndërsa

vaji i farave të kungullit përdoret si ilaç për shërimin e prostatës së rritur. Vaji përmban antioksidues që reduktojnë nivelin e radikaleve të lira në organizëm dhe parandalojnë krijimin e qelizave kancerogjene.

PËR MENOPAUZËN DHE TË TJERA

Aq problematike në dukje, shenjat shqetësuese të menopauzës mund të përmirësohen, ose parandalohen fare. Farat e kungullit janë një zgjidhje e shkëlqyer. Përmirësojnë afshet e nxehta, dhimbjet e kokës, zvogëlojnë dhimbjet në kyçe dhe ulin luhatjet e shpeshta të humorit.

LAJM I MIRË PËR DIABETIKËT

Farat e kungullit janë të pasura me acide yndyrore të pangopura. Shkencëtarët kanë konstatuar se janë efikase në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe rritjes së ndjeshmërisë së organizmit ndaj insulinës. Ekspertët e diabetit, iu rekomandojnë të sëmurëve farat e kungullit si ushqim për konsumim të përditshëm.

BËN EDHE PËR ARTRITIN

Është vërtetuar se farat e kungullit kanë ndikim anti-inflamator, që zbut simptomat e artritit. Nëse vuani nga artriti, konsumoni çdo ditë rreth 30 gramë fara Kështu do të lehtësoni simptomat e tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.