Editorial

SHIJE - - PËRMBAJTJA - Nga Alida Cenaj

Tetor i bukur

Me shumë gjasë, peisazhet e mrekullueshme të vjeshtës dhe bereqeti i saj, frymëzojnë vetëm poetët dhe piktorët. Ne vdekatarëve të tjerë, këto kohë të paktën, si zor... Ndoshta sepse na ka rënë fati të jetojmë në një qytet ku, më së shumti, panorama më e bukur që mund të të qëllojë është dritarja e fqinjit të pallatit përballë, ose, sepse të gjendur mes rrëmujës së stërzgjatur të ndërrimit të epokave, tentativës për të kapur ritmin e kohëve moderne dhe luftës së përditshme për ekzistencë, vështirë të ndalemi e t’i kushtojmë vëmendje shumëngjyrave të një peme të lartë, ndonjë cepi parku, ende të paprekur ose lëndine të vogël mbuluar nga gjethet e paqta, të zverdhura. Për të mos folur pastaj për kopshtet e mbushura plot e përplot, për fat të keq, vetëm kujtime të largëta të fëmijërisë. Për të gjitha këto arsye ndoshta, me të shkelur vjeshta – që sivjet u duk sikur u tregua ca si tepër e përpiktë – ajo çfarë më qëllon të dëgjoj përditë janë vetëm ankesat. “Uffff, sa shumë është shkurtuar dita, nuk shtyhet fare”, shfrynte një mesditë një kolegia ime. “Bobo erdhi dimri, sa shpejt...” ankohej fqinja e derës ngjitur. Ankohemi për të ftohtën tinëzare të çdo dite; për faktin se nuk dimë ç’të veshim se, kur del dielli bëhet vapë e kur fshihet pas reve, ftohtë; për të mallkuarat viroza që na mundojnë kockat, mushkëritë, krejt qenien. Ankohemi dhe vetëm ankohemi, pa i vënë re ditët që rrokullisen shumë shpejt njëra pas tjetrës, pa e kuptuar fare se kemi lënë pas dore ato më të rëndësishmet: Detajet e vogla të jetës, ato lumturitë e një çasti që po të mblidhen bashkë, thjeshtë na bëjnë të ndihemi mirë. Lenë shenjë e nuk na japin kohë të qahemi kaq shumë. Sepse, sido të rrotullohemi e sado të fshihemi mbas ngushëllimeve të kota, thjeshtë vetëm sa jemi vetëshpallur viktima. Jemi dorëzuar pa kushte, pa përpjekjen më të vogël t’i marrim më të mirën përditshmërisë tonë. Është e vërtetë se mbase nuk kemi shumë për të zgjedhur sa i takon qetësisë shpirtërore që të fal një peisazh frymëzues. Është e vërtetë se, për mungesë të kohës, organizimit apo parave nuk ia plotësojmë dot qejfin vetes dhe familjes për një fundjavë në zemër të natyrës. Por asgjë dhe askush nuk na pengon që natyrën dhe dhuratat e saj t’i fusim brenda mureve prej betoni ku jetojmë çdo ditë. Vjeshta e artë ka urdhëruar me të gjitha hiret e saj dhe neve na duhet vetëm të ndalim paksa ritmin e çmendur të ditës, për t’i falur ca doza të vogla kënaqësie shpirtit. E meqë na mungojnë ca kushte, le të kënaqemi me ca të tjera që, për më tepër, i kemi vetë në dorë. Ndërsa punuam në grup për këtë numër të revistës “Shije”, u kujtuam edhe ne se, në thelb, është shumë e thjeshtë ta shijosh jetën me atë çfarë natyra na ofron. Rendja mbas punëve nuk dëmtohet aspak, nëse fundjavën, ose edhe vetëm të dielën, ta shijojmë me të dashurit tanë, me ngjyrat dhe shijen e këtij tetori, që ndoshta nuk i gjejmë atje jashtë, ama mbi tryezë dhe brenda shtëpizave tona, po! Kujtoni kohën e fëmijërisë e rrëfejuani të vegjëlve tuaj çapkënllëqet e atyre kohëve, kur natyra e bukur ende jetonte me ne. Ndonjëherë mjafton shumë pak të ndjesh pikëzat e lumturisë të pushtojnë qenien; akoma më pak të bësh sytë e fëmijës tënd të qeshin; harenë e një dite të jetuar ndryshe. Disa këshilla dhe sugjerime për t’ia dalë mbanë, do t’i gjeni në faqet në vijim. Duhet vetëm të mbusheni me frymë, të mbyllni sytë për një çast, të shijoni dhe... jeta do t’ju duket shumë më e bukur!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.