Aperitiv – Na ishte një herë

SHIJE - - PËRMBAJTJA - Nga Mitro Çela

Nga kërnackat e Korçës tek bordellot e Parisit

E kemi bërë traditë: Çdo të mërkurë bëhemi katër – unë, vëllai i vogël, Simon Çela, baxhanaku Agim Robo dhe nipi, Andi Butka – dhe gjezdisim natën. Kërkojmë lokale të traditës, që në Tiranë janë shtuar si kërpudhat pas shiut. Ora 21.00. Ngjisim një palë shkallë, qëndrojmë para një dere që hapet vetë. Para nesh, një sallë moderne. Banaku shkëlqen. Mbi tavolinë pjata porcelani dhe një takëm me lugë, pirunj e thika. Në një tavolinë qëndronte një burrë. Dukej i trishtuar. E ftuam. Ishte pronari i lokalit. “Ta fillojmë me kërnacka dhe raki”, tha Simoni. Pas disa minutash arrin kamarieri me një pjatancë. Ngrita kapakun. Diçka e gjatë dhe të fryra. Si koqe kandari, mendova… - Porositëm kërnacka! - Kërnacka janë, tha pronari. - E shumta mund të ndillen qofte tek daja, thashë unë. Kërnackat janë tjetër soj. Vite më parë, isha gazetar, shkoja me shërbim në Korçë. Një gotë birrë dhe kërnacka tek “Panda”. Por kërnackat ishin të vogla. Vetëm mish, erëza, qepë. Bëheshin në çast. Piqeshin mbi skarë me qymyr druri. Haje në lokal dhe shija të “ndiqte” deri në hotel. - Ku i blini qoftet? - I marrim në fabrikë, foli pronari. Fabrikë mod- erne. Teknologji italiane. Për higjenë, sterile. Doni të provoni kërmij? Do lëpini gishtat. Në nëntor isha në Korçë. Kërkova kërnacka nga të qëmotit dhe më çuan në një lokal. Mishi i freskët, i varur në çengela. “Nga ta marr mishin për kërnacka, pyeste kamarieri, nga bolet e dashit? “Jo, bolet hahen të tiganisura. Kërnackat duan mish! Sy më sy, kuzhinieri preu dhe griu mishin. E nakatosi me erëza: piper, rigon, shtoi kripë. U dha formë dhe kërnackat përfunduan mbi skarë. Si qëmoti… Arriti pjatanca e dytë. Kërmijtë ishin zhytur në salcë. Dukeshin si varfanjakë. Mora pirunin, e ngula, e shkula dhe fola: Të freskët? Mos na zërë tartakuti? - Ç’është ajo fjalë, u masturbua pronari. Janë blerë në Francë! - Miku im! Kur isha kalama jetoja në fshat, në Mbrezhan të Përmetit. Në mëngjes herët, mamaja mblidhte kërmij. “Kanë ngrënë majën e barit me vesë”, thoshte ajo. I lante, i fuste në tepsi të kallaisur, u hidhte gjalpë, rigon, pak piper, dy gjedhe sherebelë dhe një kërcell borzilok. Tepsia mbi pirosti. Mbi tepsi saçi. Dhe këndonin kërmijtë… Edhe sot kur tregoj, ndjej shijen… Miku im, në lokal tradite, duhet gatuar me tenxhere, kusi, tepsi të kallaisur. Të të bëj një pyetje: Ora po shkon 22.00, ku janë klientët? “Nuk di pse klientët na kanë braktisur. Vjet bleva pajisje moderne në guzhinë. Mora furnizim në Itali dhe Francë. Dele pa qumësht. Salla bosh…” - Do të të tregoj një bëmë nga Parisi. Ulen në kafe “Rosant” dy burra, njeri ka bordello, tjetri gazetar. “Bordello më del me humbje”, tha i pari. Një vit më parë ndërrova kolltuqet. Më keq bilanci. Bleva perde të kuqe, keq e më keq. Ndërrova abazhurët. Fitimi nën nivelin e detit…” -“Ndërro kurvat”, tha gazetari. Pronari i lokalit tundi kokën dhe u fut në të thella. “Më mbeti kërnacka në lëfyt”, tha baxhanaku.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.