Editorial

SHIJE - - PËRMBAJTJA -

Me këmbë të mbarë

Le të urojmë dhe të shpresojmë se ia nisëm me këmbën e mbarë. Është ende shpejt për ta mbyllur kapitullin e festimeve. Akoma, ndërsa përshkon rrugën e zakonshme, takohesh me urimet për një vit të mirë e të begatë dhe shpërndan plot të tillë për miq, kolegë apo të njohur. Shenjat e mbrëmjeve festive janë ende brenda dhe jashtë shtëpisë. Me gjasë, ndonjë shishe vere e mirë pret ende të hapet, pluhuri i fishekzjarreve është ende aty, çka do të thotë se për inerci festimet vazhdojnë edhe për fare pak kohë, pak më të qeta, ndoshta pa atë entuziazmin mendjemarrës të fundit të dhjetorit, por gjithësesi shpresëdhënëse. Dhe ja ku jemi: përpara një viti tjetër, të ri, me pritshmëri dhe shpresa të mëdha. Qetësisht 2015-a ka filluar rrugëtimin e vet, ditët i zënë vendin njëratjetrës, datat e muajit dhe punët gjithashtu. Dalëngadalë, me pak përtaci, do të shtrohemi në ritmin e zakonshëm të jetës. Dalldia e festës do të zëvendësohet nga rutina dhe me shumë mundësi, shumë nga ne do ta nisin nga kuzhina. Pas shishes së fundit të verës festive do ta na duhet pak vullnet dhe rregull. Do të na duhet të rifreskojmë ndoshta pak kujtesën për t’iu rikthyer ushqimit të shëndetshëm, pse jo peshores, ndonjë rregulli të ri në të ngrënë dhe jetuar. Pastaj do të vijnë me radhë punët e zakonshme, ambiciet e reja, planet për ndryshime të mëdha ose të vogla. Jemi në fillim të një viti të ri dhe në zemër të stinës së dimrit. Diçka e re ka nisur dhe diçka e vjetër do të përfundojë. Ritual i përjetshëm i një rregulli të vendosur shumë nga natyra dhe pak nga njeriu. Për këtë arsye detyra jonë e vetme është vetëm ta nisim me këmbën e mbarë dhe t’i marrim gjërat sipas rradhës: E fillojmë nga vetja, familja, mirëqenia e pastaj profesioni, karriera e të tjerat. Janari është një muaj i qetë, për disa shumë i gjatë meqë i qëllon të vijë menjëherë pas festave, por është i pari në rradhë, ai që na shtron rrugën për të vazhduar më tej, pa harruar ato çfarë kemi kaluar, kemi uruar dhe vënë detyrë vetes për të ardhmen dhe pritshmëritë nga jeta dhe të tjerët përreth nesh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.