Ekretet e hefit

SHIJE - - KUZHINA E SHPEJTË -

MAGJIRICA Është një ndër gatimet simbol të pashkëve. Ajo konsumohet menjëherë pas mesnate dhe simbolizon fundin e 40 ditëve të agjërimit. Magjirica është një supë mjaft e shijshme ngopëse. Bëhet, ndër të tjera, me të brendshmet e qengjit dhe mjaft qepë të njoma. Duhet pasur parashysh që të brenshmeve të qengjit tu jepet nja valë më parë, të derdhet uji dhe pastaj të priten në copa të vogla dhe të fillojnë të skuqen për të krijuar bazën e supës. Në fund supa lidhet me një përzierje veze me limon siç ndodh shpesh me një sërë supash të tjera tradicionale greke. XAXIQI Nuk mendoj se ka njeri të mos e njohë këtë salcë të shijshme dhe të freskët me bazë kosi. Për të arritur rezultate sa më të mira, përdorni kos të kulluar dele. Kujdesuni që të zgjidhni tranguj sa më të freskët që të mundeni dhe të përdorni vetëm pjesën e jashtme të tyre duke eliminuar pjesën e farave ku është dhe përqëndrimi më i lartë i ujit. Në të kundërt ka mjaft gjasa që salca të dalë e ujshme. Mos i dëgjoni tata që u thonë të mos përdorni hudhër se mban erë. Nuk mund të bësh xaxiq të mirë pa hudhër. Ndajini thelpinjtë në mes dhe hiquni qendrën jeshile, nëse kanë. Më pas, grijini hollë dhe përziejini me materialet e tjera. Veçanërisht e rëndësishme gjithashtu është të përdorni vaj ulliri të cilësisë së lartë. Për një shije me të “sofistikuar” mund t’i shtoni dhe erëza të freskëta si majdanoz, kopër, nenexhik apo borzilok. MISHI I QENGJIT Kushdo që ka qëlluar të jetë në Greqi në këtë ditë, nuk mund të mos ketë vënë re tymin që del nga oborret e shtëpive apo dhe verandat, si dhe erën mbizotëruese të qengjave që piqen në hell. Nëse nuk keni oborr, nuk keni hell apo keni komshinj grindavecë, një alternativë shumë e mirë është ta marinoni bollshëm me hudhër, rozmarinë dhe trumëz dhe ta piqni në furrë në zjarr të ulët. Rreth 45 minuta para se të jetë gati shtoni në tepsi disa patate, spërkateni gjithë tepsinë me pak lëng limoni. Patatet do të bëhen aq të shijshme sa pothuajse do ta harroni fare mishin… CUREQI Buka tradicionale e Pashkëve. Ajo ngjason shume me brioshin, pra bëhet me një brumë të përbërë nga miell gruri, qumësht, vezë, sheqer, maja, gjalpë dhe shijues si mahlepi, mastika apo cardamom. Një cureqi i mirë duhet të jetë i butë, i fryrë mirë, strukturë si me fije dhe ta ndjesh kur e kafshon. Në fakt është pak i mundimshëm për tu përgatitur, por rezultati ama, ia vlen. Mund të gjeni në web mjaft receta të mira për cureqi në faqet me gatime tradicionale greke. Sa i përket vezëve të Pashkëve nuk besoj se ka nevojë për sugjerim apo koment sepse sigurisht, pa vezë të ngjyrosura nuk ka Pashkë…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.