Shqiptarët bëhen boshnjakë për t’u pranuar në Mjekësi

Koha Ditore - - FAQE 1 - Salie Gajtani

PRISHTINË, 9 NËNTOR – Përfaqësues të minoritetet boshnjak po akuzojnë Universitetin e Prishtinës për dallavere të mëdha rreth regjistrimit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, në këtë vit akademik. Ata pohojnë se përmes falsifikimit të dokumenteve vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak në Mjekësi janë zënë me studentë shqiptarë, kurse boshnjakët kanë mbetur pa u regjistruar.

Xhezair Murati, nga partia boshnjake “Vakat”, ka thënë për “Kohën Ditore” se tashmë është e njohur që për shumicën e fakulteteve të uni- versitetit publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me vendim të organeve kompetente ekzistojnë vende të rezervuara për studentët pjesëtarë të bashkësive pakicë, të cilët jetojnë në Kosovë, e ku bën pjesë edhe bashkësia boshnjake.

Por, sipas tij, “me rastin e regjistrimit të studentëve në vitin e ri akademik 2014/15 është bërë shkelje flagrante e të drejtave të njeriut nga udhëheqjet e fakulteteve, por edhe nga Rektorati i Universitetit, pasi që në vendet e rezervuara për kandidatët e bashkësisë boshnjake janë pranuar kandidatët e bashkësisë shumicë, asaj shqiptare”. Ai ka shtuar se krejt kjo është bërë përmes falsifikimit të dokumenteve, ku shqiptarët janë paraqitur si boshnjakë, përmes disa vërtetimeve që nuk dihet se si janë marrë. Por ai ka thënë se fakultetet shumë lehtë kanë mundur ta verifikonin përkatësinë etnike të kandidatëve, duke shikuar arsimimin paraprak të kandidatëve që janë paraqitur si boshnjakë.

Sipas tij, kandidatët shqiptarë e kanë përfunduar atë në gjuhën e tyre amtare shqipe, kurse ata boshnjakë në gjuhën boshnjake.

Murati ka akuzuar edhe drejtuesit e Rektoratit se nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur rastet e dyshimeve për falsifikimin e dokumenteve, duke thënë se ata nuk kanë pranuar që kandidatëve t’u jepen vërtetime mbi përkatësinë e tyre nacionale edhe nga partitë politike të etniteteve të tyre, por vetëm nga zyrat e komuniteteve, ku kanë mundur të bëheshin manipulime mbi përkatësitë fetare.

“Me vendimin e rektorit të Universitetit, në mënyrë që zgjidhja e këtij problemi të lehtësohej, është ndaluar bashkëngjitja e dëshmisë mbi përkatësinë nacionale nga subjektet politike, ndërkaq valide janë lënë vetëm vërtetimet të cilat lëshohen nga zyrat e bashkësive të komunave”, ka thënë Murati.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.