Blloku kërkon ndërhyrjen e presidentes, Jahjaga hesht

Koha Ditore - - ARBËRI - Fitim Gashi

Blloku VLAN pret nga presidentja t’i bëjë presion Flora Brovinës që këtë javë ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, gjë të cilën po refuzon ta bëjë PDK-ja, përderisa nuk ka një marrëveshje pako tek presidentja. Kurse Jahjaga, që mban autorësinë e

seancës konstituive, vazhdon të heshtë edhe pas krijimit të rrethanave të reja

PRISHTINË, 9 NËNTOR - Krijimi i rrethanave për konstituimin e kryetarit dhe organeve të Kuvendit nuk ka ndikuar në tejkalimin e ngërçit politik. PDK-ja përmes kryesueses Flora Brovina po refuzon të thërrasë vazhdimin e seancës, pa një marrëveshje tek presidentja edhe për Qeverinë. Ndërkaq partitë e bashkuara rreth koalicionit VLAN nuk kanë ndonjë qëndrim se si të veprojnë, nëse Brovina nuk e thërret seancën. Opozita sytë i ka drejtuar nga presidentja Jahjaga, prej së cilës kërkojnë që t’i bëjë presion kryesueses. Por ajo nuk është deklaruar me gjithë lëvizjen nga ana e bllokut.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë për “Kohën Ditore” se vonesat për thirrje të seancës janë të paarsyeshme dhe zvarritje e qëllimshme prej PDK-së. Por ai ka mohuar të kenë diskutuar për veprimet që mund t’i ndërmarrin nëse Brovina nuk e thërret seancën këtë javë. Ky koalicion më herët pati thënë se i ka nënshkrimet e nevojshme për ta ftuar vetë seancën, por nuk i ka vënë në zbatim.

“Ne po presim dhe ajo (kryesuesja) duhet t’i ftojë deputetët ta vazhdojnë seancën aty ku ka mbetur. Tashmë janë eliminuar arsyet, pse të mos thirret seanca. Ne nuk kemi ndonjë qëndrim nëse ka refuzim, por presim që presidentja e vendit ta luajë rolin e saj për garantimin e funksionimit të institucioneve. Pra, ajo duhet të marrë një vendim që të mos ketë më tutje vonesa”, ka thënë Rugova. “Pas konstituimit të Kuvendit krijimi i Qeverisë do të jetë më i shpejtë. Në atë periudhë ecën sahati, për shkak se ekzistojnë afatet kohore”.

Gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Zyra e presidentes për veprimet që mund t’i ndërmarrë ajo që të thirret vazhdimi i seancës. Jahjaga vazhdimisht u ka bërë thirrje publike liderëve të partive politike parlamentare që të ulen në një takim të përbashkët në Zyrën e presidentes për të gjetur zgjidhjen për institucione të qëndrueshme dhe përfshirëse.

Analistët thonë se presidentja e ka obligim që të veprojë në përputhje me realitetin e ri politik dhe të ndihmojë në zhbllokimin e krizës. Sipas Artan Muhaxhirit, me pranimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese blloku VLAN e ka bërë një hap shumë të rëndësishëm në zgjidhjen e bllokadës politike.

“Tash ekziston një kontekst i ri politik, prandaj me ndryshimin e rrethanave përgjegjësia ka kaluar tek PDK-ja, e cila është e obliguar të sillet në mënyrë konstruktive dhe të kontribuojë në zgjidhjen e bllokadës”, ka thënë ai.

“PDK-ja mund të synojë ta shfrytëzojë ndonjë rikonfigurim eventual në raportet e forcave politike brenda VLAN-it, por assesi nuk ka të drejtë ta kushtëzojë bllokun me domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së saj në Qeverinë e ardhshme”.

PDK-ja me të cilën asnjë parti shqiptare nuk dëshiron të hyjë në koalicion, edhe pse ka zotime se do t’ia votojnë kryetarin e Kuvendit, nuk ka lëvizur nga pozicionet e mëhershme. Kreu i saj, Hashim Thaçi, insiston në arritjen e një marrëveshjeje pako tek presidentja, ku edhe partia e tij do të ishte pjesë e Qeverisë. Ai e ka bërë të qartë se zgjidhje të pjesshme dhe të improvizuara nuk do të ketë. Thaçi ka përmendur dy opsione të vetme që duhet marrë në konsideratë. Opsioni i parë, sipas Thaçit, është që të ulen bashkërisht tek presidentja e Kosovës dhe ta gjejnë zgjidhjen. Kurse opsioni i dytë, që ka përmendur kryeministri në detyrë, është caktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që shpalli kundërkushtetues zgjedhjen e Isa Mustafës kryetari Kuvendi, në seancën e 17 korrikut, i obligon deputetët që të jenë të pranishëm në Kuvend. Madje Gjykata e kryesuar nga Enver Hasani u ka treguar edhe opsionet si mund të votojnë.

“Në konstituimin e Kuvendit të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, thuhet në pikën 128 të aktgjykimit të Kushtetueses. Kurse pika paraprake - ajo 127, thotë se është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe ta bëjnë Kuvendin funksional. Gjykata po ashtu ka vërejtur se askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, e në të cilat po insiston PDK-ja.

Deputeti i LDK-së, Haki Rugova, ka thënë se mund edhe të bisedojnë me PDK-në, por nuk kanë për çka. Sipas tij, PDK-ja nuk mund t’i marrë me zor askujt asgjë pasi opozita tashmë është e vendosur ta formojë Qeverinë pa Thaçin.

Marrëveshja për Qeverinë, pas konstituimit të Kuvendit

Heqja dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, që me marrëveshjen e 10 qershorit të LAN-it i takonte LDK-së, ka bërë që të ndryshohen kërkesat e partnerit kryesor në koalicion. Për këtë do të ketë negociata të reja ndërmjet partnerëve. Por, sipas Rugovës, ato do të ndodhin pas konstituimit të Kuvendit, ku nuk përjashtohet mundësia e një marrëveshjeje të re. LDK-ja ka kërkuar edhe zyrtarisht ta drejtojë Qeverinë, por nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se lideri i tyre, Ramush Haradinaj, vazhdon të jetë i nominuari i opozitës për kryeministër.

Haki Rugova është shprehur se ka ardhur koha që disa gjëra të përmirësohen pasi, siç ka thënë ai, në të kaluarën LDK-ja, edhe pse ka qenë fituese e zgjedhjeve, është dashur të bënte kompromise për shkak të rrethanave.

“LDK-ja tani kërkon që ta ketë kryeministrin dhe besoj se i takon ky post. Por në këtë fazë marrëveshja dhe blloku vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm. Qëndrimet finale do të dalin pas bisedave të brendshme”, ka theksuar Rugova.

Por anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se duke u marrë me njëritjetrin po e mbajnë Thaçin “gjallë”.

“Lini debatet dhe argumentet e dobëta rreth fuqisë politike se në Kosovë jetojmë, e dimë shumë mirë kush o kush”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Qartësi pozicioneve të bllokut pritet t’i japin dy liderët e partive, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, të cilët kanë udhëtuar për në Gjermani, ku do të marrin pjesë në 25-vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit. Zyrtarë të LDK-së kanë thënë se ka përpjekje që Mustafa të takohet edhe me kancelaren Angela Merkel, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Gjashtë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, krijimi i institucioneve të reja ka ngecur tek kryeparlamentari. PDK-ja dhe partnerët, që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e 8 qershorit, i është njohur e drejta nga Gjykata Kushtetuese për ta propozuar kreun e Kuvendit. Pas disa përpjekjeve të bllokut opozitar që ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit, ka munguar një përpjekje tjetër për t’i dhënë fund konstituimit të Kuvendit, pas asaj të 17 korrikut. Një deklaratë e ambasadores amerikane, Tracey ann Jacobson, e

© KOHA Ditore

Opozita sytë i ka drejtuar nga presidentja Jahjaga, prej së cilës kërkojnë që t’i bëjë presion kryesueses Flora Brovina. Por e para e vendit nuk është deklaruar ende me gjithë lëvizjet nga ana e bllokut

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.