Pas korrupsionit, akuza për nepotizëm në EULEX

Koha Ditore - - ARBËRI - Nesër: Kush është polici, vëllai i gruas së sekserit Ejup Kamberi, që ishte gjykuar nga gjyqtari Francesco Florit? Çfarë vrasje po hetonte ky polic që ishte gjykuar nga Francesco Florit? Çfarë thotë babai i viktimës? Si e arsyeton Florit angazhimin e tij

Në serinë e dytë të hulumtimit për korrupsionin në EULEX, “Koha Ditore” sjell dëshmi për komunikime të zyrtarëve të BE-së lidhur me zhvillimet brenda EULEX-it. Ato dëshmojnë për një mision të koncentruar në pak njerëz, si dhe për korrespodenca të

zyrtarëve të BE-së dhe EULEX-it që flasin për nepotizëm dhe klientelizëm në këtë mision evropian

Në krye të këtyre parregullsive listohen kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna, dhe zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Jonathan Ratel. Për këto parregullsi prokurorja Maria Bamieh i kishte njoftuar me kohë ata. Por, pos që nuk ishin shqyrtuar këto ankesa, asaj i ishte thënë se “nuk ka arsye për ankesa, sepse ajo nuk ishte prekur”.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga të gjithë zyrtarët që kanë komunikuar dhe janë dërguar letra në adresat e tyre elektronike, por asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur.

EULEX-i ka mohuar çfarëdo parregullsish. Ka thënë se të gjitha ankesat janë adresuar dhe nuk tolerohen korrupsioni dhe nepotizmi.

“Rekrutimi brenda Misioneve të CSDP-së (Politikës së përbashkët për siguri dhe mbrojtje, v.j.) ndjek parimin e një procesi të bazuar në merita përzgjedhëse konkurruese, bazuar në shpalljet për vende të lira të punës. Akuzat për keqbërjet gjatë procesit të rekrutimit hetohen në bazë të kodit të sjelljes së misionit”, ka thënë Dragana Nikoliq-Solomon, zëdhënëse e EULEX-it.

“Të gjitha akuzat e bëra deri më sot, janë hetuar ose po hetohen me shumë energji. Ne do të donim të ritheksonim politikën tonë të tolerancës zero për korrupsion apo nepotizëm”, ka thënë ajo.

EULEX-i po përballet me presion të madh nga jashtë për shkak të korrupsionit të mundshëm që zbuloi “Koha Ditore”, duke u bazuar në dokumente zyrtare. Këto hulumtime u konfirmuan edhe nga prokurorja Maria Bamieh. Ajo është suspenduar nga puna me pretendimin se ka nxjerrë dokumente sekrete. Tashmë është edhe nën hetime për këtë. Por nën hetime për korrupsion tashmë janë 18 zyrtarë të EULEX-it që dyshohet se janë të përfshirë në vepra penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të pozitës zyrtare.

Prokurorja Maria Bamieh u kishte dërguar një letër tre zyrtarëve të EULEX-it (emrat e të cilëve i posedon gazeta dhe do të merret me ta ditëve në vijim), dhe i kishte njoftuar edhe gjashtë zyrtarë të BE-së (emrat po ashtu i posedon gazeta dhe do të merret me ta ditëve në vijim) si dhe ish-shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt. Në këtë letër ajo ishte ankuar se ishte përjashtuar nga misioni pikërisht për shkak se kishte denoncuar korrupsionin dhe krimin në EULEX. Ajo kishte kërkuar që e ardhmja e saj në misionin e BE-së në Kosovë të mos varej nga kryeprokurorja Jaroslava Novotna. Por pikërisht prokurorja nga Çekia, Novotna, dhe miku i saj po nga Çekia, gjyqtari Vladimir Mikula, e kishin intervistuar atë dhe kishte vendosur të mos e pranonin si prokurore, ani se në EULEX ishte që nga fillimi. Kishin zgjedhur prokurorë të pakualifikuar dhe në kundërshtim me ligjin.

“Përvoja e pesë vjetëve të plota ka qenë një prej rregullave që është zbatuar prej se ka nisur punën EULEX-i dhe unë po them se këta persona janë emëruar në kundërshtim me rregullat dhe në dijeni të plotë të eprorëve të përfshirë, dhe mund ta dëshmoj këtë në lidhje me disa britanikë dhe me Claudio Palan”, shkruan ajo. “Zgjedhja e (Vladimir v.j.) Mikulas

ishte e qëllimshme dhe pyetjet ishin të lehta me qëllim dhe nuk reflektonin punën ose përvojën. Ky Mision më ka vënë në pozitë të vështirë dhe nuk po më lënë të ec përpara. Dhe askush nuk i ka adresuar çështjet; askush nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë dhe shpresojnë se do të heq dorë prej kësaj pune. Shpresoj se kjo çështje do të arrijë deri në OLAF (Zyra e BE-së kundër mashtrimit v.j.), siç kam bërë edhe në rastin

me ankesën e Jaroslavas/Floritit”, shkruan prokurorja Bamieh.

Prokurorja Britanike që e kishte paditur shtetin e vet për diskriminim dhe ishte dëmshpërblyer me 250 mijë funte ka thënë se është fakt se këta prokurorë që janë në Kosovë janë punësuar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet. Është fakt se kandidatë të tjerë të kualifikuar më të përshtatshëm ishin refuzuar për t’i marrë këta persona të papërvojë me urdhër të Jaroslava Novotnës dhe Jonathan Ratelit dhe ata që janë më lart në zinxhirin komandues që kishin përgjegjësi për të kontrolluar procesin.

“Ne nuk kemi komision mbikëqyrës rekrutimi dhe në këtë rast po flasim për 7 prej 22 prokurorëve, dhe kjo nuk mund të jetë thjesht lajthitje”, ka shkruar ajo.

Gazeta do të sjellë detaje të shumta të këtyre shkeljeve ligjore dhe heshtjes përballë denoncimit nga zyrtarët e BE-së dhe të EULEX-it.

Zyrtarët më të lartë të EULEX-it dhe të Bashkimit Evropian kanë ditur se në EULEX ka dyshime të forta për korrupsion dhe nepotizëm. Në vend që

të ndërhynin, ata kanë heshtur

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.