Vendimet kundërthënëse të OSHP-së në tenderin 4.6-milionësh të KEK-ut

Koha Ditore - - ARBËRI - Visar Prebreza

Organi Shqyrtues i Prokurimit brenda një muaji ka marrë dy vendime kundërthënëse për një tender të KEK-ut që peshon 4.6 milionë euro. Në vendimin e parë e kishte shpallur një kompani të papërgjegjshme, ndërsa në të dytin të njëjtën kompani e kishte shpallur të përgjegjshme. Ndërkohë, kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, përmes një konkluzioni e kishte lejuar

KEK-un që të nënshkruaj kontratë pa e pritur fare vendimin

PRISHTINË, 9 NËNTOR – Gjykata e tenderëve ka marrë vendime kundërthënëse në tenderin 4.6 milionë euro të KEK-ut, për riparimin kapital të kaldajës në njësinë A5 të termocentralit “Kosova A”. Fillimisht e ka shpallur të papërgjegjshme kompaninë “Intering” që KEK-u e kishte rekomanduar për kontratë, duke e kthyer procesin e prokurimit të iniciuar nga KEK-u në rivlerësim. Ky vendim i OSHP-së, i datës 22 shtator, ishte i formës së prerë dhe si i tillë nuk mund të apelohej. Ndërsa, një muaj me vonë e ka lejuar KEK-un që të nënshkruajë kontratën me të njëjtën kompani, që për OSHP-në ishte e papërgjegjshme. Lejen për nënshkrimin e kontratës e kishte dhënë kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, përmes një konkluzioni. Ndërsa, me datën 3 nëntor, paneli pesanëtarësh i OSHP-së ka marrë vendim që është kundërthënës me vendimin paraprak të datës 22 shtator të të njëjtit organ.

“Paneli Shqyrtues, vendosjen e logos dhe heqjen e numrit rendor tre (3), e konsideron si devijim të vogël, i cili nuk përbën shkelje substanciale, e cila mund të ndikojë në përzgjedhjen e fituesit dhe njëherësh e konsideron operatorin ekonomik të rekomanduar për kontratë si të përgjegjshëm sepse, duke u bazuar në nenin 39 të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik, dokumentet e tenderit të OE-së të rekomanduar për kontratë (“Intering” v.j.), përmbajnë të paktën të gjitha informatat, kërkesat, specifikimet dhe kushtet e përcaktuara në formularin standard, si informacion i detyrueshëm”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Në vendimi i OSHP-së, është mbështetur në bazë të një interpretimi të KRPP-së. Por, edhe në vendimin e parë, eksperti shqyrtues e kishte mbështetur konstatimin e tij në një interpretim të njëjtë të KRPP-së. Por, atë kohë nga paneli shqyrtues ishte hedhur poshtë edhe rekomandimi i ekspertit shqyrtues e edhe interpretimi i KRPP-së.

OSHP-ja në dy vendimet është mbështetur në nenin 39 të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik. Një herë për shkelje e tjetrën herë për respektim, bazuar në të njëjtat fakte. Në vendimin e muajit shtator, OSHP-ja kishte konstatuar se ndërhyrja që kishte bërë kompania “Intering” në Dosjen e tenderit përbënte shkelje ligjore.

“Paneli Shqyrtues... konstaton dhe vlerëson se ndërhyrja e operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë përbën shkelje të nenit 39 të Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik”, thuhet në vendimin OSHP-së. Në këtë vendim po ashtu thuhet se kompania “Intering” e rekomanduar për kontratë nga KEK-u ishte e papërgjegjshme.

“Paneli Shqyrtues konstaton se KEK-u nuk e ka respektuar nenin 59 të Ligjit mbi prokurimin publik për arsye se, KEK-u e ka rekomanduar për kontratë një operator ekonomik, i cili është i papërgjegjshëm, sepse ka ndërhyrë në pjesën C, formularit të tenderit duke e ndryshuar formularin standard të aprovuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tenderëve, në të cilin urdhërohet KEK-u që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

KEK-u e kishte bërë rivlerësimin, por sërish e kishte shpërblyer me kontratë kompaninë e njëjtë. Gjykata e Tenderëve sërish kishte pranuar ankesë për vendimin e KEK-ut për t’ia dhënë tenderin kompanisë “Intering”. KEK-u kishte vazhduar me këmbëngulje që këtë kontratë t’ia jepte kompanisë “Intering”, prandaj edhe ka kërkuar nga OSHP-ja që të hiqet pezullimi automatik, që vendoset në çdo kontratë dhe tender për të cilin ka ankesë për shkelje ligjore. Me heqjen e pezullimit automatik, kreu i OSHP-së ia ka mundësuar KEK-ut të nënshkruajë kontratë 4.6-milionëshe me kompaninë të shpallur si të papërgjegjshme për këtë aktivitet të prokurimit.

E shqyrtimi i ankesës së kompanisë “Ekoinvest” është bërë për t’i plotësuar kushtet ligjore, pasi një vendim i tillë ka efekt vetëm për të proceduar në Gjykatën Themelore për të kërkuar fitimin e humbur nga kompania ankuese. Çfarëdo vendimi i OSHP-së nuk do të kishte ndikim në tenderin e as në kontratën në fjalë, pasi në kohën kur është mbajtur paneli shqyrtues KEK-u veçse e kishte nënshkruar kontratën me kompaninë Intering dhe e njëjta kishte filluar punën. Tashmë kompania “Ekoinvest” ka 30 ditë kohë që lëndën ta dërgojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të kërkuar kompensim të dëmit.

Ky tender është iniciuar qysh në muajin prill të vitit 2014. I njëjti ishte pezulluar për një kohë, pasi ZRRE-ja kishte kërkuar se riparimi i kaldajës të shtyhet për vitin 2015, për t’i ikur shtrenjtimit të energjisë elektrike. Tenderi ishte aktivizuar sërish me shpërthimin që ndodhi në hidrogjenin e këtij termocentrali që e paaftësoi këtë bllok. Edhe më parë, OSHP-ja kishte lëshuar konkluzione për heqjen e pezullimit automatik, pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar KEK-u gjatë muajit gusht.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është organi më i lartë për shqyrtimin e ankesave që kanë të bëjnë me tenderët që për synim ka mbrojtjen e parasë publike. Bordi i këtij organi, që njëherësh është edhe paneli që i merr të gjitha vendimet, zgjidhet nga Kuvendi dhe i raporton të njëjtit organ. Kuvendi i Kosovës është jofunksional që nga muaji maj duke e lënë këtë organ e organet e tjera të veprojnë pa asnjë mbikëqyrje.

© KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.