MacShane: Koha që Greqia dhe Qiproja ta njohin Kosovën

Koha Ditore - - ARBËRI -

PRISHTINË, 9 NËNTOR - Ish-ministri për Ballkanin në Qeverinë britanike gjatë viteve 2001-2005, Denis MacShane, ka bërë një koment në lidhje me pranimin e fundit të Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik. Këtë fakt MacShane e lidh me mosnjohjen e Kosovës nga Greqia dhe thotë se ndoshta tash është momenti që kjo e fundit të ndërmarrë hapin drejt njohjes së Kosovës.

Veç Greqisë, MacShane thotë se është koha që edhe Qiproja ta bëjë të njëjtin hap dhe kështu t’i tregohet Evropës se këto dy shtete janë të gatshme të kontribuojnë në zgjidhjen e shumë problemeve që ka BEja. MacShane më 2011 ka botuar një libër për Kosovën, me titull "Why Kosovo Still Matters".

Në komentin e tij të publikuar të dielën, ai kujton luftën në Kosovë, e cila thotë se rezultoi me heqjen dorë të serbëve nga Kosova.

“Më 2008 Kosova shpalli veten si komb-shtet të pavarur dhe u njoh si e tillë nga shumica e botës demokratike, por jo edhe nga Rusia, ku Putini atje zhvillon një fushatë globale diplomatike për miqtë e tij në Serbi për të refuzuar njohjen. Kjo nuk i funksionoi edhe aq mirë dhe tani Kosova ka marrëdhënie diplomatike me 110 shtete anëtare të OKB-së – megjithëse Moska ende i vë veto anëtarësimit të plotë të Kosovës në OKB”, thotë MacShane.

“Por, muajin e kaluar Komiteti Ndërkombëtar Olimpik vendosi që Kosova mund të marrë pjesë në lojërat olimpike në Rio de Janeiro më 2016. Me një popullsi prej më pak se 2 milionë banorësh, atletët e Kosovës mund të mos fitojnë shumë medalje të arta, të themi, ndoshta në peshëngritje. Megjithatë, nderi për të marrë pjesë në Olimpiadë do të nxisë lëvizje të reja për sportin në Kosovë që do t’u japë të rinjve shpresë shumë dhe diçka për të ushtruar dhe luftuar”, shton MacShane në komentin e tij të botuar në ‘The Globalist’”, transmeton Koha.net.

Ai ka rikujtuar se kanë kaluar pothuajse 30 vjet qëkur Slobodan Milosheviqi mbajti fjalimet e tij të famshme afër Prishtinës, kur paralajmëroi nisjen e konfliktit të gjatë të Jugosllavisë.

“Një viktimë e madhe kolaterale ishte Greqia, derisa qëndron e pashpresë në qoshkun e largët të një rajoni evropian të gllabëruar në luftë, dhunë, spastrime etnike dhe vargje të mëdha refugjatësh”, shprehet MacShane. “Por, përderisa pjesa tjetër e BE-së dhe NATO-ja mbështetën Kosovën, duke pranuar të drejtën e saj për të ekzistuar, Greqia mbajti lart turinjtë diplomatikë”.

“Athina veçse ishte e zemëruar me vendimin e Maqedonisë për të shfrytëzuar emrin e një prej rajoneve veriore të Greqisë dhe natyra polarizuese e politikës greke nënkuptonte se çdo politikan që do të mbështeste Kosovën do të akuzohej për tradhti ndaj bashkëbesimtarëve ortodoksë në Serbi”, thekson MacShane.

“Prandaj, përderisa 110 kombe tanimë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, Greqia nuk është një prej tyre. Së bashku me katër shtete të tjera të BE-së – Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, Greqia kishte refuzuar vendimin e BE-së që Kosova duhet të trajtohet si shtet sovran”, ka shkruar ai.

Secili vend, thotë MacShane, ka arsyet e veta. Spanja brengoset për Katalonjën. Qiproja mendonte se do të krijonte precedent për një të treten veriore të ishullit të okupuar nga ushtria turke që nga viti 1974.

Rumania dhe Sllovakia, thotë më tej MacShane, brengoseshin për politikat nacionaliste irredentiste hungareze që pretendonin rajonet hungarishtfolëse në të dyja këto vende.

“Por sot është pikërisht profili global i politikës së jashtme të BEsë që duket i dobët dhe pa kredibilitet. Nëpër botë BE-ja dëshiron të merret seriozisht si lojtar global, por njerëzit pyesin sa serioze mund të jetë ajo kërkesë duke pasur parasysh se Evropa nuk mund të mbajë një qëndrim të përbashkët mbi diçka kaq të vogël sa njohja e një kombi të ri evropian”, thekson MacShane. “Thënë të drejtën, Greqia ka marrëdhënie pozitive me Kosovën. Bizneset greke janë të pranishme për të ndihmuar zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Diplomatët grekë në një zyrë përfaqësuese në Prishtinë kryejnë punë efektive dhe të respektuar”.

Por, sipas tij, Athina mund të ndërmarrë edhe një hap tutje dhe t’i japë inkurajim të rëndësishëm Frederica Mogherinit, duke u bashkuar me shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe të ofrojë njohje të plotë diplomatike për Kosovën.

MacShane thotë se edhe Qiproja mund të bëjë të njëjtën gjë. Shteti ishull, sipas tij, është nën presion nga Turqia për të drejtat e saj të ujërave territoriale dhe thotë se Qipros i duhet e gjithë mbështetja e BE-së që mund ta sigurojë dhe mënyra më e mirë për ta arritur këtë, sipas MacShane, është të tregojë unitet me politikëbërësit e tjerë të mëdhenj të BE-së duke e njohur Kosovën.

“Njohja diplomatike nuk është një kurë për problemet në Ballkanin Perëndimor. Por mosnjohja është vetëshkatërruese. Grekët janë më serbë se vetë serbët, të cilët tashmë janë duke e pranuar ekzistencën e Kosovës”, thotë MacShane.

Britaniku kujton kohën kur SHBA-ja kishte refuzuar të hapte një ambasadë në Rusinë Sovjetike dhe në Kinën komuniste për vite të tëra, derisa nuk e pranuan realitetin.

“Greqia duhet ta sistemojë në qetësi mosnjohjen e saj ndaj Kosovës dhe ta ftojë Frederica Mogherinin dhe Jean-Claude Junckerin të hapin një ambasadë greke në Prishtinë. Kjo do të tregonte se Greqia është duke i kontribuuar zgjidhjes së një prej shumë problemeve të BE-së”, përfundon MacShane.

(koh.net)

“Përderisa pjesa tjetër e BE-së dhe NATO-ja mbështetën Kosovën, duke pranuar të drejtën e saj për të ekzistuar, Greqia mbajti lart turinjtë diplomatikë”, ka shkruar MacShane

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.