Taksa jo veç për Rrugën e Kombit, por për 18 mijë kilometër rrugë

Koha Ditore - - ARBËRI - Bashkim SHALA

Në bazë të parashikimeve, i bie që edhe rrugët e fshatit në Shqipëri të jenë me pagesë. Ministria e Transportit pranon se taksimi i rrugëve do të jetë me kosto për qytetarët porse këtë e konsideron si të vetmen mënyrë për të ruajtur atë që është ndërtuar deri më tani

TIRANË, 9 NËNTOR - Rrugët në Shqipëri do të jenë të gjitha me pagesë, ku Rruga e Kombit do ta bëjë ”sefte”. Janë 18 mijë kilometra rrugë në Shqipëri që parashikohen të jenë me pagesë në të ardhmen. Ndërkohë që tarifat janë ende në fazë studimi, me përjashtim të tarifës së Rrugës së Kombit, e cila do të jetë rreth 5 euro. Pas përfundimit të studimit do të vendoset më pas edhe për taksën që një qytetar do të paguajë në varësi të llojit të rrugës nëpër të cilën qarkullon nëpër Shqipëri. Drejtoresha e Përgjithshme e Integrimit në Ministrinë e Transporteve të Shqipërisë, Argita Totozani, shpjegon se kjo nismë është marrë pasi rrugët duan mirëmbajtje dhe kostoja është e lartë.

“Kemi në inventar një gjatësi prej 18 mijë kilometrash rrugë në Shqipëri. Rrugët kanë nevojë për mirëmbajtje dhe buxheti i shtetit shqiptar është i limituar për të bërë të mundur mirëmbajtjen e tyre. Ky inventar i rrugëve i trashëguar dhe rrugët që do të ndërtohen në të ardhmen do të kenë nevojë për mirëmbajtje. Përcaktimi i një strategjie të taksave është në përputhje me legjislacionin evropian dhe me praktikën evropiane”, thotë Totozani. Drejtoresha pranon se taksimi i rrugëve do të jetë me kosto për qytetarët, por shprehet se kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur atë që është ndërtuar deri më tani.

“Sigurisht që mund të jetë pak e dhimbshme, por praktika evropiane ka treguar se nëse nuk vilen të ardhura nga këto investime të shtetit nuk mund të mirëmbahet rruga dhe nuk mund t’i shërbejë qytetarit”.

Sipas deklarimeve të drejtoreshës Totozani, i bie që shqiptarët do të paguajnë edhe kur do të udhëtojnë për në fshatin e tyre. Kjo për faktin se inventari i rrugëve kombëtare në Shqipëri është 3.500 kilometra rrugë. Ndërkohë që rrugë kryesore kombëtare janë rreth 1 mijë kilometra. Për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve nevojiten rreth 20 milionë euro në vit. Ndërkohë që shuma e akorduar nga Qeveria shqiptare për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve aktualisht është 10 fish më e vogël. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë një fond prej 150 mijë eurove për të hartuar strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri dhe aktualisht gjithçka është në fazë studimi. E vetmja tarifë që është diskutuar dhe është bërë e ditur është ajo për Rrugën e Kombit. Ditë më parë ministri i Transporteve i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, deklaroi se tenderi për dhënien me koncesion të Rrugës së Kombit zhvillohet brenda këtij viti. Ndërkohë që taksa për qarkullimin në këtë rrugë llogaritet të jetë minimalisht pesë euro.

“Mendoj se ne do të ndjekim një praktikë që tashmë është praktikë botërore, pasi është e domosdoshme që përdoruesit e rrugës për të marrë një shërbim të cilësisë së lartë duhet të kontribuojnë në mirëmbajtjen e rrugës. Sigurisht kjo masë nuk është përfundimtare. Është llogaritur e tillë duke pasur parasysh edhe mesataret rajonale. Nuk është më e lartë se mesatarja rajonale. Është relativisht sa 3-4 litra naftë. Besoj se do të jetë një kosto e përballueshme nëse do të kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohet në rrugë në rastin e realizimit të gjithë shërbimit të mirëmbajtjes që kjo rrugë ka nevojë”, theksoi ministri Haxhinasto.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka propozuar Qeverisë së majtë shqiptare sapo u mandatua dhënien sa më parë me koncesion të rrugës Durrës – Kukës - Morin, si një nga tre propozimet për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe që mund të sjellin të ardhura në buxhetin e këtij vendi. Për misionin e FMN-së, kostoja e mirëmbajtjes e kësaj rruge është shumë e lartë dhe qeverisë nuk i leverdis që të paguajë nga buxheti një shumë të tillë, e cila vetëm në tunelin e Kalimashit aktualisht është 1 milion euro në vit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Integrimit në Ministrinë e Transporteve të Shqipërisë, Argita Totozani, shpjegon se kjo nismë është marrë pasi rrugët duan mirëmbajtje dhe kostoja është e lartë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.