Mbyllen 19 lokale nate në Tiranë, 25 kërcimtare në polici

Koha Ditore - - ARBËRI -

TIRANË, 9 NËNTOR - 19 lokale nate të mbyllura, 30 gjoba administrative dhe 25 kërcimtare të lokaleve të natës, kryesisht serbe, rumune dhe bullgare të shoqëruara në polici, është bilanci i një operacioni të përbashkët të Policisë shqiptare dhe të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi. Aksioni për të pasur nën kontroll aktivitetin e jetës së natës në Tiranë vjen pak ditë pasi në një lokal të tillë në rrugën e Elbasanit humbën jetën 4 persona, vrasje që prokuroria ka akuzuar si autor Kostandin Xhuvanin. Masat janë marrë pasi PUB-et e natës nuk ishin pajisur me leje mjedisore. Leja mjedisore përmban si kushtet higjienike ashtu edhe kontrollin për nivelin e zhurmave. Aksioni nuk është përqendruar vetëm në qendër, por edhe në periferi të Tiranës. Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Mjedisit paralajmëron aksione të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit. Ne aksion është përfshirë edhe Policia e Shtetit që ka kontrolluar paralelisht për armë dhe lëndë narkotike. Burime nga Policia bëjnë të ditur se pas këtij aksioni janë shoqëruar në Komisariat 25 kërcimtare të lokaleve të natës, kryesisht serbe, rumune dhe bullgare. Momentalisht nuk dihet ende shkaku i shoqërimit të tyre. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit ka bërë të ditur se masat janë marrë ndaj këtyre lokaleve: “Bora-Bora”, “Mexico”, “Candy Club”, “Harem Tirona”, “Maria Bonita”, “Camouflage”, “Club Orient”, “Valentino”, “Shqiponja”, “Lorenco”, “Crystal Club”, “Disko Ferrari”, “Tallava Kosova”, “Hannover”, “Lonto”, “Butterfly”, “Country Club”, “Roksi Club”, “Urgjenca”, “Nostalgjia”, “Tallava Lili”, “Element”, “Capriccio”, “Flares”, “E jona”, “Big Ben”, “Lizard”, “Lart Shpk”, “The Code”, “Crazy Calvin”. Lokaleve që do të mbyllen u është lënë 24 orë kohë dhe nëse nuk respektojnë vendimin e marrë nga Inspektorati, atëherë do të veprojë policia. Kryeinspektori E. Agasi theksoi vendosmërinë për zbatim rigoroz të ligjit, si në Tiranë ashtu edhe në çdo qytet tjetër të vendit. Ndërkohë autoritetet paralajmërojnë për sekuestrim të menjëhershëm të pasurisë në rast se tentohet rihapja e lokaleve pa plotësuar më parë kushtet e kërkuara në ligj. Vrasja në lokalin “Ante Grand” mëngjesin e së martës ngriti dyshime për konsumim të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim të prostitucionit në këtë lokal.

B.SH.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.