Rreth dy milionë katalonjas votuan në votimin simbolik për pavarësi

Koha Ditore - - BOTË -

Kryeministri i Spanjës, Maroani Rajoy, ka thënë ndërkaq se votimi nuk do të ketë fare ndikim, derisa ka nxitur rajonin t’i kthehet “arsyes”. Votuesit janë pyetur në këtë konsultim nëse duan shtet katalonjas dhe nëse ai shtet duhet të jetë i pavarur

BARCELONA, 9 NËNTOR (REUTERS) – Rreth dy milionë katalonjas kanë votuar të dielën në referendumin simbolin për pavarësimin nga Spanja, të cilën gjë përkrahësit shpresojnë se do ta shtyjnë përpara, me gjithë kundërshtimin nga Madridi.

“Konsultimi i qytetarëve” në rajonin e pasur verilindor është ndërmarrë pas pengesës ligjore që ka vënë qeveria e Madridit për një referendum më formal, të cilin e kishin kërkuar liderët e Katalonjës.

“E meritojmë të drejtën për referendum”, ka thënë Artur Mas, kryetari i qeverisë së rajonit, derisa e ka hedhur votën e tij, i rrethuar nga përkrahësit që brohorisnin.

“Jemi duke bërë një gjë të madhe në Katalonjë, duke mbrojtur të drejtën tonë për lirinë e shprehjes dhe duke u vënë në krye të së ardhmes politike të këtij vendi”, ka thënë ai.

Kryeministri i Spanjës, Maroani Rajoy, ka thënë ndërkaq se votimi nuk do të ketë fare ndikim, derisa ka nxitur rajonin t’i kthehet “arsyes”. Votuesit janë pyetur në këtë konsultim nëse duan shtet katalonjas dhe nëse ai shtet duhet të jetë i pavarur.

Megjithatë, kryetarja e partisë kryesore spanjolle në Katalonjë, Alicia Sanchez-Camacho ka thënë se votimi ishte mashtrim, për shkak se nuk ofronte garanci demokratike apo ligjore dhe nuk e kishte bekimin e qeverisë qendrore.

Votimi vjen pas dy vitesh të tensioneve të eskaluara midis qeverisë qendrore dhe asaj rajonale sa i përket kësaj çështjeje. Qeveria spanjolle ka deklaruar se Katalonja, e cila përbën rreth 16 për qind të popullsisë së Spanjës, nuk mund të vendosë për diçka me të cilën preket Spanja në tërësi, pasi që një gjë të tillë nuk e lejon kushtetuta.

Sondazhet tregojnë se pjesa dërrmuese e katalonjasve e mbështesin mbajtjen e një referendumi, pa marrë parasysh qëndrimet e tyre rreth sovranitetit.

“Po qe se nuk na kuptojnë, atëherë duhet të na respektojnë, në mënyrë që rrugët tona të ndahen”, ka thënë Angels Costa, një shitës 52-vjeçar, që kishte dalë për të votuar në Barcelonë.

“Ne do të donim të ishim shtet federal, por një gjë e tillë nuk është më e mundur. Na kanë shkelur shumë”.

Organizatat pro-pavarësisë kishin bërë një fushatë aktive për një pjesëmarrje të madhe të 7.5 milionë banorëve të këtij rajoni të pasur, derisa më shumë se 40.000 vullnetarë kishin ndihmuar në vendosjen e stacioneve joformale të votimit, të dielën.

Politikanët pro-ndarjes shpresojnë se një përkrahje e madhe do ta nxisë qeverinë në Madrid që të ulet me ta dhe të negociojë për një autonomi më të madhe tatimore e politike, apo madje edhe ta bindë Madridin që të pranojë një referendum të plotë për pavarësi në të ardhmen.

Zyrtarët nga dy partitë kryesore të Katalonjës, përfshirë partinë “Convergencia i Union” të Masit, kanë thënë se mbështetja prej më shumë se 1.5 milionë qytetarëve do t’i jepte një shtytje të madhe kauzës së tyre.

Vota ka ngjallur ndjenja të këqija në një shtet, në të cilin kujtimi i diktaturës së Francisco Francos, i viteve 1939-1975 dhe shtypja e kulturave katalonjase dhe baske janë ende të freskëta.

Partia e qendrës, “Unioni, Progresi dhe Demokracia” ka kërkuar që të ngrihen akuza kundër Artur Masit, për shpërfilljen e urdhrit për suspendimin e votimeve.

“Skenari ideal është sa më shumë njerëz”, ka thënë Oriol Junqueras, kryetari i partisë opozitare të krahut të majtë, “Esquerra Republicana de Catalunya”.

“Është e qartë se ky konsultim nuk na jep mandatin demokratik, të cilin do ta kishim pasur në referendum, por është e qartë se një gjë e tillë paraqet demonstrim të qartë të faktit se njerëzit duan të votojnë, se ata duan ta shprehin mendimin e tyre”.

Megjithatë, ata që nuk duan pavarësinë, nuk pritet që të marrin pjesë në konsultim. Njëri prej tyre është Roberto Ruiz, një 30-vjeçar që kishte dalë për të votuar.

“Jo, nuk do të votoj. Edhe ashtu, jam kundër pavarësisë. Jam katalonjas, por jam edhe spanjoll”, ka thënë ai.

Sondazhet tregojnë se rreth 80 për qind e katalonjasve mbështesin votimin rreth çështjes së statusit të Katalonjës, derisa rreth 50 për qind janë pro pavarësisë së plotë.

Lëvizja e kamotshme pro-pavarësisë në Katalonjë, që përbën rreth një të pestën e prodhimit ekonomik të Spanjës dhe ka kulturën dhe gjuhën e veçantë, u fuqizua gjatë viteve të fundit të recesionit të thellë.

Në fillim të shtatorit – të trimëruar nga fushata skoceze për pavarësi – qindra e mijëra katalonjas, të veshur me ngjyrën e verdhë dhe të kuqe të flamurit të tyre, kanë vërshuar rrugët e Barcelonës, duke formuar një “V” të madhe, duke e kërkuar të drejtën për të votuar.

Ndonëse zyrtarisht e suspenduar nga Gjykata Kushtetuese spanjolle, votimi i së dielës ka kaluar pa telashe.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.