Merkel: Rënia e Murit, dëshmi se ëndrrat mund të bëhen realitet

Koha Ditore - - BOTË -

“Kjo ngjarje na dëshmoi se e kemi fuqinë për ta marrë në duar fatin tonë dhe për të përmirësuar gjërat”, ka thënë ajo, duke theksuar se njerëzit në Ukrainë, Siri, Irak dhe kudo në botë duhet që të inkurajohen nga shembulli i rënies së papritur

të Murit të Berlinit

BERLIN, 9 NËNTOR (REUTERS) – Rënia e Murit të Berlinit, 25 vjet më parë, që i parapriu fundit të luftës së ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit, i dëshmoi botës se “ëndrrat mund të realizohen” dhe kjo duhet të jetë inspirim për njerëzit kudo në botë, të cilët përballen me tiraninë, ka thënë të dielën kancelaria gjermane, Angela Merkel.

Ceremonitë e shënimit të 25-vjetorit, të dielën, mblodhën më shumë se 100.000 berlinas dhe turistë në qendrën e qytetit dikur të ndarë. Shumica kanë ecur përgjatë “shtegut të vdekjes”, të gjatë 15-kilometra, ku dikur qëndronte Muri, derisa 7.000 balonë të ndriçuar heliumi ishin ngjitur lart në shtylla - pikërisht në lartësinë e murit, të ndërtuar më 1961 nga Gjermania Lindore komuniste.

Merkel, shkencëtare e re në Berlinin Lindor, në kohën kur shijoi për herë të parë lirinë, më 9 nëntor të vitit 1989, ka thënë përmes një fjalimi se rënia e Murit, si reagim ndaj presionit masiv popullor, do të kujtohej përjetësisht si triumf i shpirtit njerëzor.

“Rënia e Murit të Berlinit na tregoi se ëndrrat mund të bëhen realitet – dhe se asgjë nuk është e thënë të mbetet ashtu si është, pa marrë parasysh se cilat janë pengesat”, ka thënë Merkel, e cila është tani 60-vjeçare dhe është duke e udhëhequr Gjermaninë e bashkuar që nga viti 2005.

“Kjo ngjarje na dëshmoi se e kemi fuqinë për ta marrë në duar fatin tonë dhe për të përmirësuar gjërat”, ka thënë ajo, duke theksuar se njerëzit në Ukrainë, Siri, Irak dhe kudo në botë duhet që të inkurajohen nga shembulli i rënies së papritur të murit.

“Ishte fitore e lirisë dhe është porosi për të besuar si sot, ashtu edhe në të ardhmen, se njerëzit mund të rrëzojnë muret – muret e diktatorëve, dhunës dhe ideologjive”, ka thënë ajo.

Gjermanët, me shumë pak përvjetorë për të shënuar, si pasojë e luftërave të shekullit njëzet, janë duke i konsideruar kujtimet e rev- olucionit paqësor gjermano-lindor, që rezultuan me rënien e murit, si një moment i ndritshëm në historinë e tyre.

Por madje edhe 9 nëntori ka aspektin negativ historik, si ka theksuar edhe Merkel. Ishte kjo dita më 1938 e pogromit anti-hebre, “Kristallnach” apo “Nata e xhamit të thyer”, kur nazistët ndërmorën sulme mbi sinagoga dhe shitore hebraike në mbarë Gjermaninë.

“Ishte datë e turpit”, ka thënë Merkel, duke iu referuar “Kristallnachtit”. “Pra, në këtë 25-vjetor të rënies së Murit nuk e ndiej vetëm gëzimin e 9 nëntorit të vitit 1989, por edhe përgjegjësinë e historisë gjermane”.

Vendosja artistike e balonave, të cilët dëshmojnë se si Muri kishte kaluar nëpër zemrën e Berlinit, po ashtu u mundëson njerëzve që të kalojnë me lehtësi nga Berlini i dikurshëm lindor në atë perëndimor. Këta balonë janë lëshuar të dielën mbrëma – duke e demonstruar në mënyrë simbolike rënien e Murit.

“Kemi arsye për të kremtuar”, ka deklaruar prefekti Klaus Wowereit, qeveria e të cilit ka rindërtuar segmente të vogla të Murit për shkak të turistëve, pasi që pothuajse e tërë barriera origjinale e betonit ishte shembur me shpejtësi para më shumë se njëzet vjetësh.

“Që të gjithë ishim të lumtur atëbotë se kishte rënë, kështu që u shkatërrua”, ka deklaruar ai.

Muri i Berlinit u ndërtua më 1961, për të penguar gjermano-lindorët që të iknin në Perëndim. Muri në fillim ishte me tulla dhe më vonë u fortifikua si një barrierë e patrulluar me forca të shumta, me beton, që rrethonte Berlinin perëndimor, duke kaluar midis rrugëve, shtëpive dhe varrezave.

Të paktën 139 persona u vranë, gjatë përpjekjeve për të ikur në Berlinin perëndimor, derisa shumë të tjerë që u kapën përfunduan në burg.

Regjimet komuniste u rrëzuan, pas kryengritjeve popullore në mbarë Evropën Lindore më 1989, duke sinjalizuar fundin e luftës së ftohtë, në të cilën Muri i Berlinit kishte qenë simboli më i fuqishëm.

Por, me gjithë rënien e Murit, bashkimi i Gjermanisë ndodhi një vit më vonë, derisa dy biliardë dollarë u derdhën në lindjen dikur komuniste të shtetit, ndonëse ndasitë lindjeperëndim vazhdojnë të vërehen në aspektin politik, ekonomik dhe social.

Mënyra e votimit në Berlinin dhe Gjermaninë lindore ndryshon, derisa ka ende hendeqe lindje-perëndim në aspektin e të ardhurave.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.