Përshtypjet e mia në momentin e ardhjes së Vidit

Koha Ditore - - FEJTON -

Posa që ia dorëzova pushtetin Komisionit, u nisa për në Nice, për pushimin e merituar. Natyrisht se edhe nga largësia po përcjellja me interesim të madh ngjarjet në vendin tim. Nuk kaloi shumë kohë dhe kuptova – gjë që më gëzoi jashtë mase – se princ Vidi më në fund kishte bërë hyrjen e tij solemne në Durrës. Megjithatë u zemërova jashtë mase që ai kishte zgjedhur për kryeqytet një nga qytetet më së paku të përshtatshme për rezidencë mbretërore. Kishte edhe gjëra tjera që më zemëronin, të cilat tashmë i kanë përmendur dhe të cilat ishin kuptuar dhe pranuar nga Zyra e Jashtme në Londër. Megjithatë, për momentin, kjo pikë e errët u zhduk sërish nga horizonti dhe unë u mundova, nga thellësia e zemrës sime shqiptare, të shikoj të ardhmen me shpresë.

Pas viteve të gjata dhe të ashpra të pritjes, viteve të agonisë midis shpresës dhe zhgënjimit, u mundova që t’i lë prapa përshtypjet e mia dhe shtypa tendencat për t’u shqetësuar, duke menduar vetëm për pamjen e mahnitshme të mbretit tonë të parë, duke shkelur tokën e shenjtë të atdheut tim dhe të flotës impozante, të cilën gjashtë fuqitë e mëdha ia kishin dhënë si përcjellje. Isha falënderues ndaj Evropës, që kishte konfirmuar ekzistencën e Shqipërisë, duke ia dhënë një sovran, të cilin ia kishte zgjedhur vetë.

Më vonë mësova detajet e asaj dite. Princi Vidi shoqërohej nga princesha, bashkëshortja e tij, si dhe fëmijët e tyre. Oborri i tij mbretëror përbëhej nga një mareshal dhe një mjek (që të dytë gjermanë), një sekretar privat (anglez) dhe dy ndihmëse të princeshës. Në bordin e anijes që e kishte sjellë në Shqipëri, princi kishte 10.000.000 frangat, të cilat ia kishin dhënë Austria dhe Italia si avancë, derisa i priste edhe 75.000.000 franga të tjera, të cilat fuqitë e tjera ende nuk kishin vendosur nëse do t’ia paguanin. Ai u prit me brohoritje të mëdha nga popullsia, derisa të shtëna nderi u shkrepën në port. Gjëja e parë të cilën ai e bëri, madje edhe para se të nisej, ishte emërimi i Esad Pashës si ministër lufte dhe gjeneral i parë në Shqipëri. Esadi ishte ai që shoqëroi mbretin e ri.

Sundimi i shkurtër i Vidit, që ishte më i pasur me episode groteske, sesa me ngjarje që i kontribuonin riorganizimit të shtetit, dëshmuan kujdesin e munguar të fuqive gjatë përzgjedhjes së këtij sovrani, për një shtet, lumturia e të cilit varej pikërisht nga përzgjedhja. Ne patëm shpresuar se takti dhe pjekuria e princit do të balanconte humbjet e territoreve, me të cilat ishim përbal- lur dhe se ardhja e tij do t’i jepte një impuls të madh mirëqenies së vendit. Në vend të kësaj, gjendja vetëm sa u komplikua, duke arritur në pikën kritike gjatë një periudhe. Një mëngjes mora një telegram të shkurtër nga Valona, gjë që më dha arsye të shtangem. Shtëpia e Esad Pashës ishte bombarduar, derisa vetë ministri ishte burgosur. Këto të dhëna, pa sqarime shtesë, më dukeshin aq të pazakonshme, saqë për një moment refuzova t’u besoja.

Shkova me shpejtësi tek konsulli austriak dhe italian në Nice, duke i bindur që të dërgojnë porosi urgjente në Romë dhe Vjenë, për të siguruar konfirmimin e këtij lajmi dhe për ta zbuluar kuptimin e tij. Përgjigjja që mora la pak hapësirë për dyshime. Më vonë mësova për gjithçka, pasi që u konsultova me burime të tjera.

Gjithnjë ma ka marrë mendja se Esad Pasha do ta gjente veten në një pozitë jashtëzakonisht të palak- mueshme në Durrës.

Ky qytet, me më pak se 5.000 banorë, ka qenë qendër e intrigave dhe e kundërshtimit të kandidaturës së Vidit si princ evropian. Në këtë qytet ka ndodhur edhe revolta e Esadit kundër qeverisë së përkohshme. Esadi, që papritur u promovua ministër i po këtij princi që e kundërshtoi, ishte cak i përbuzjes së thellë të qytetarëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.