Nënkalimet - shkaku i papastërtisë shndërrohen në pika biznesi

Koha Ditore - - FEJTON - Ganimet Klaiqi

PRISHTINË, 9 NËNTOR – Banorët e lagjeve “Kalabria” e “Dardania”, i janë gëzuar ndërtimit të dy nënkalimeve bashkë me rrethrrotullimin poshtë Veternikut, por jo rrallë, brendia e nënkalimeve është e papastër. Sipas kalimtarëve më të shpeshtë, ato nënkalime përdoren edhe për nevoja fiziologjike.

“Është më se e vërtetë që ato nënkalime na e kanë larguar pasigurinë që kishim për dërgimin e fëmijëve në shkollë, apo për t’u lidhur me pjesën qendrore të qytetit nëpërmjet lagjes ‘Dardania’, mirëpo mosmirëmbajtja e tyre sikur e ka zbehur një gjë të tillë”, ka thënë banori i lagjes, Tefik Islami. Sipas tij, kalimi nëpër të shpesh po kundërmon. Ai ka theksuar se dikush po pastron, porse, sipas tij, askush nuk mund të rrijë vazhdimisht duke pastruar.

“Njerëzit tanë, mjerisht, ende po sillen si më parë nëpër fshatra, kur nuk ka pasur struktura të organizuara të pastrimit të ambientit publik. Me gjasë, atyre po u mjafton të mos vëzhgohen nga askush, që të bëjnë çka të dëshirojnë dhe si t’u teket”, është shprehur ai, duke u bërë thirrje qytetarëve që të sillen ashtu si u ka hije.

Dukurinë e hedhjes së bërllokut vend e pavend e ka gjykuar edhe Bashkim Mehmeti, derisa po e kalonte atë nënkalim.

“Erdha me veturë private deri këtu. Rrugës së Fushë-Kosovës për në Prishtinë, më ra në sy se si një taksist e hapi dritaren e tij dhe pasi i kishte futur në një qese, i hodhi në rrugë, pa fije turpi”, theksoi ai duke i akuzuar institucionet e vendit se nuk janë duke vepruar sa dhe si duhet.

“Sikur të funksiononte ligji, apo edhe rregulloret komunale, edhe qytetarët do të vetëdijesoheshin më lehtë”, ka theksuar ai. Sidoqoftë, shndërrimi i dy nënkalimeve te rrethrrotullimi në “Veternik” në zona të vogla afariste, nuk kanë qenë të paraparë në fillim sipas projektit që të jenë të tilla, por për shkak të pamundësisë për mirëmbajtje të vazhdueshme, Komuna e ka parë të udhës që më mirë t’i bëjë të tillë se sa të mbeten gjithmonë të papastra. Këtë ia ka thënë gazetës edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu.

“Kur është bërë projekti i rrethrrotullimit te Veterniku janë planifikuar dy nënkalime, gjatësia e cilave është 30 metra kurse gjerësia 3 metra. Në fillimi nuk ishte planifikuar që nënkalimet të kishin tjetër përmbajtje. Por, pas funksionalizimit të tyre, duke e parë se nuk ka mirëmbajtje të mirëfilltë, atëherë kemi vendosur që të gjejmë një mënyrë”, ka thënë Sejdiu teksa ka shtuar se natyrisht pasi është konstatuar se do të shërbejnë edhe si lehtësim për qytetarët në kuptimin e sigurisë së tyre, por edhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Sejdiu ka thënë se në mënyrën si janë tashti, Komuna po ka problem me mirëmbajtjen.

“Gjithnjë dikush po duhet të jetë prezentë aty, për shkak se nënkalimet po përdoren edhe për gjëra të pakëndshme”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se si mënyrën më të mirë për zgjidhjen e problemit e kanë parë dhënien e tyre me koncesion publiko-privat. “Ideja është që të dy nënkalimet t’i jepen një shfrytëzuesi me koncesion. Kjo do të bëhet me një konkurs të hapur”, ka treguar Sejdiu me sqarimin se me koncesion jepen rreth 120 metra katrorë për secilin nënkalim, të mjaftueshme për të bërë ndonjë biznes të vogël dhe me hapësirë të bollshme që qytetarët të kalojnë aty pari.

Modeli, sipas tij, është si ai që i lidh lagjet “Pejton” e “Dardania”, përkatësisht nën rrugën “Bill Clinton”, megjithëse nënkalimet tek rrethrrotullimi poshtë Veternikut janë më të vogla sa i përket hapësirës.

Ndryshe, Sejdiu ka theksuar se kushdo që do të jetë fituesi i konkursit, ai do të përkujdeset për mirëmbajtjen, ndriçimin dhe pastërtinë, “por duke e krijuar edhe njëlloj afarizmi”.

Sejdiu ka treguar se telashe me nënkalim kanë edhe tek Shkolla Model, në Tophane, porse, sipas tij, meqë është nën hekurudhë, është i papërshtatshëm. Edhe për të ka theksuar se po përdoret për qëllime të këqija.

Për shndërrimin e nënkalimeve në qendra të vogla afariste ka marrë vendim edhe KK i Prishtinës në mbledhjen e fundit. Në vendim theksohet se ndërtimi i lokaleve afariste bëhet në lokacionet e siguruara nga Komuna, në përputhje me projektin ideor, të përgatitur nga Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit”, ndërsa personi fizik/juridik do t’i ndërtojë lokalet dhe do t’i mirëmbajë hapësirat e brendshme. Kohëzgjatja e partneritetit publiko–privat, ndërkaq, do të jetë sipas Ligjit për partneritet publiko-privat. Çështja e papastërtisë në zonat publike vazhdon të mbetet problem qysh nga paslufta. Autoritetet komunale të Prishtinës, as më parë dhe as tashti, nuk kanë ndërmarrë as më të voglin hap për t’i ndëshkuar ata që i hedhin mbeturinat jashtë vendeve të përcaktuara.

“Derisa të mos ketë ndëshkime nuk do të ketë as vetëdijesim të qytetarëve”, ka thënë banori i lagjes “Dardania” të Prishtinës, Burim Haziri. Gazeta ka provuar të dielën t’i kontaktojë dy drejtorët që do të duhej të merreshin më së shumti me çështjen e mbajtjes së pastërtisë në kryeqytet: drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ardian Gashi, dhe kryeinspektorin komunal, Xhelal Sfeçla, por nuk është arritur sukses në këtë plan. Ata nuk i kanë hapur telefonat.

© KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.