Përgjysmohen kërkesat për ndërtime kolektive dhe individuale

Koha Ditore - - KOSOVË - Afrim Demiri

FERIZAJ, 9 NËNTOR- Gjatë 9 muajve të këtij viti janë përgjysmuar kërkesat për ndërtime kolektive, apo individuale në Komunën e Ferizajt. Në dekadën e fundit Ferizaj është karakterizuar me shkallën më të lartë të këtyre ndërtimeve në Kosovë duke përjashtuar Prishtinën. Rënien për 50% të kërkesave për leje ndërtimi, se sa gjatë vitit të kaluar, drejtori i Urbanizmit, Faik Grainca, e ka arsyetuar me krizën ekonomike të përgjithshme, e cila, sipas tij, është bartur edhe në industrinë e ndërtimit. “Gjatë kësaj kohe kemi inkasuar një shumë prej 216.700 eurove, shifër kjo që tregon se është e vogël krahasuar me vitin e kaluar”, ka thënë Grainca. Ky zvogëlim kishte ndodhur pikërisht në kohën kur prej muajit qershor të këtij viti, komuna kishte bërë uljen e taksës së ndërtimit. I pyetur se nëse ndërrimi i pushteteve në Komunën e Ferizajt ka ndikuar në zvogëlimin e ndërtimeve, Grainca u përgjigj duke sjell edhe shumë faktorë të tjerë ndikues. ”Nuk besoj se ndërrimi i qeverisjes në Komunë të ketë sjellë këtë përgjysmim të kërkesave për leje, por, në rend të parë, ka ndodhur edhe ngopja e tregut në Ferizaj me ndërtime të banesave kolektive, kurse, në anën tjetër, mbase shumë nga ndërtuesit janë duke pritur të ndryshohen kriteret urbane për etazhimin e ndërtesave, posaçërisht në zonën 1 urbane”, pohoi ai. Edhe sistemi i punës së firmave ndërtimore, sipas kompensimit të punëve, jo me para të gatshme, por me banesa, u tha të ketë lënë pasojat e veta, sepse ndërtimtarët tashmë janë në një rreth të mbyllur.

Gjatë këtij 9-mujori në këtë drejtori ishin trajtuar 1.036 lëndë, prej tyre 24 lëndë kanë pasur të bëjnë me leje ndërtimi për objekte kolektive, ndërsa 55 të tjera për objekte individuale.

Grainca ka sqaruar se janë në zhvillim fazat e miratimit të planeve urbanistike për tri zona të qytetit, ndërsa procesit të revidimit të planeve, sipas zyrtarëve të Urbanizmit, do t’i nënshtrohet zona e parë dhe zona e tetë e qytetit.

Ndryshe, u bë e ditur se në Komunën e Ferizajt, duke e përfshirë edhe zonën rurale, janë 35 mijë objekte që duhet regjistruar nga komisioni. Zyrtarët nuk kanë përjashtuar edhe problemet që do të dalin gjatë këtij procesi, sidomos me pronën, pastaj me objektet kolektive banesore, për të cilat u tha se në të shumtën e rasteve pronarët e tyre i kanë shkelur kriteret e parapara urbanistike

©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.