Tetëdhjetë për qind e borxheve nga qytetarët dhe lokalet hoteliere

Koha Ditore - - KOSOVË - Gazmend Doli

GJAKOVË, 9 NËNTOR – Banorët e ndërtesave kolektive dhe bizneset janë borxhlinjtë më të mëdhenj të kompanisë së pastrimit Çabrati. Sipas autoriteteve të kësaj ndërmarrjeje publike, kjo po e vështirëson punën normale të kompanisë.

Mirëpo, ata kanë paralajmëruar masa sidomos për banorët e ndërtesave kolektive, deri në vetëdijesimin e tyre, të cilëve, sipas drejtorit të ndërmarrjes Avdullah Babalija, do t’u kufizohen shërbimet.

Inkasimi në ndërtesat kolektive, sipas tij, arrin nga 20-30 për qind. “Por ka ndërtesa që banorët nuk paguajnë fare”, tha Babalija.

“Kemi probleme të mëdha me banesa kolektive, derisa shërbimi është i përditshëm, inkasimi është shumë i ulët, kjo është një barrë e madhe për kompaninë”, tha Babalija. Ai tha se po përgatitet një strategji për të reduktuar shërbimin në baraspeshë me inkasimin.

“Është e thjeshtë, nëse e llogarisim një ndërtesë, mund t’i ofrojmë shërbime një herë në javë e jo çdo ditë”, tha Babalija.

Por edhe më keq, sipas tij, janë bizneset, përfshirë edhe ato të mëdha, të cilat po u shmangen pagesave.

“Ne kemi menduar se me ofrimin e shërbimit, do të shohë qytetari një ndryshim, e do të vetëdijesohet, por kjo nuk po ndodh jo vetëm në banesa kolektive, por as në biznese, veçanërisht atyre të mëdha që i ikin shumë faturimit”, tha Babalija.

“A është e mundur që një restorant të mos krijojë mbeturinë”, ka pyetur ai. “80 për qind e tyre nuk paguajnë, përfshirë edhe nga ato që punojnë me dasma”. Sipas tij, secili në mënyrë të paligjshme mundohet ta shfrytëzojë ambientin paligjshëm. “Ata shfrytëzojnë kontejnerët publik”, shtoi më pas Babalija, duke kërkuar në këtë rast edhe intervenimin e Inspektoratit Komunal.

Komuna e Gjakovës e ka miratuar një rregullore për menaxhimin e mbeturinave, e cila, sipas Ali Tafarshikut, këshilltar në kabinetin e kryetares së Komunës ka nisur të jetësohet.

“Sipërfaqësisht vetëm kemi filluar me dislokimin e kontejnerëve, por gjithashtu na duhet që gjatë vitit të ardhshëm të hyjmë në fazat që do të realizojnë 100 për qind këtë strategji për menaxhim të mbeturinave”, tha Tafarshiku.

Drejtori i “Çabratit”, Babalija, tha se duhet një zgjidhje për të ekzistuar si kompani. “Nëse vazhdohet kësisoj si deri më sot, e shoh se nuk mund të arrijmë një qëllim për të vetëdijesuar qytetarin, pavarësisht çfarë shërbimi ofrojmë. Deri tash vetëdija tek qytetari nuk është në nivelin e pritshëm”, tha ai tek sa pret ndihmën edhe të Komunës, përkatësisht të Inspektoratit Komunal.

©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.