Caritasi zviceran ndihmon edukimin parashkollor në Viti

Koha Ditore - - KOSOVË -

VITI, 9 NËNTOR – Caritasi zviceran mbështet Komunën e Vitisë në përmirësimin e shërbimeve në edukimin parashkollor. Caritasi i Zvicrës përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me institucionet komunale të Vitisë, ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë këtë Komunë në pajisjen me mjete të ndryshme konkretizimi të tri klasave të edukimit parashkollor, si dhe ka paralajmëruar që kjo mbështetje do të jetë më e madhe në vitin e ardhshëm. Kreshnik Basha, përfaqësues i Caritasit zviceran në Kosovë, ka thënë se mbështetja për Komunën e Vitisë, ka ardhur pas kërkesave që kësaj organizate i janë adresuar nga drejtuesit e Komunës dhe ka qenë insistimi i tyre që të mbështetet edukimi parashkollor. ”Projekt i Caritasit zviceran në Komunë e Vitisë parasheh zhvillimin e kapaciteteve të edukimit parashkollor dhe, në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar me komunën, jemi të gatshëm që të ndihmojmë në pajisjen e tri klasave parashkollore në vitin 2014, si dhe t’i hapim rrugë mbështetjes sonë për këtë Komunë edhe në vitin e ardhshëm”, ka thënë Basha. Ai ka thënë se ky donacion parasheh renovimin dhe rregullimin e klasave të mësimit, pajisjet e nevojshme për punë, si dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të angazhuar në punë me këto klasa. Kurse, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se ky donacion, që vjen nga Caritasi zviceran, ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e arsimit, pasi investimet po shkojnë mu aty ku është më se e nevojshme në edukimin e brezave të ardhshëm.

I.S. ©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.