Këshillat e fshatrave duan rol më aktiv në vendimmarrje

Koha Ditore - - KOSOVË - Ibrahim Sefedini

VITI, 9 NËNTOR – Përfaqësuesit e fshatrave fuqizimin e rolit të tyre e shohin vetëm nëse komuna nuk i anashkalon në realizimin e projekteve të ndryshme dhe në ndarjen e subvencioneve, si dhe merr parasysh kërkesat e qytetarëve që adresohen përmes tyre. Demush Sadiku, përfaqësues i fshatit Skifter, ka thënë se, me gjithë përparimet që janë bërë në avancimin e pozitës së këshillave të fshatrave, të cilët për herë të parë janë zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve, institucionet komunale kanë mundësi që të avancojnë edhe më shumë punën e këtyre mekanizmave përfaqësues të qytetarëve. “Komuna për të fuqizuar rolin e këshillave të fshatrave, duhet që krahas punës që bën me këto këshilla, për hartimin e buxhetit komunal, t’i konsultojë kryetarët e fshatrave edhe me rastin e ndarjes së subvencioneve të ndryshme”, ka thënë Sadiku. Ai ka theksuar se është shumë me rëndësi për këshillat e fshatrave që të jenë pjesë e këtij konsultimi, pasi kjo fuqizon rolin e tyre tek qytetarët. Kurse Jakup Demiri, nga këshilli i fshatit Smirë, ka thënë se këshillat e fshatrave kanë shumë punë në terren, prandaj institucionet komunale duhet të gjejnë formë që të kompensojnë këtë angazhim, pasi kjo rezulton me punën edhe më efikase të këtyre këshillave. E Kadri Ismajli, përfaqësues i Ramjanit, është shprehur se këshillat e fshatrave mund të jenë më aktive, kur tejkalojnë dallimet partiake në lokalitetet që përfaqësojnë dhe kur drejtë adresojnë kërkesat e tyre tek institucionet vendimmarrëse si dhe te qytetarët. “Shembulli i fshatit Ramjan, kur këshilli i fshatit ishte bartës i aktivitetit për rregullimin e parkut të fshatit, e ku ishin të përfshirë gjithë qytetarët tregon se mund të bëhet punë dhe mund të sigurohen mjete edhe nga institucionet për interesa të lokaliteteve që përfaqësojnë këto këshilla”, ka theksuar Ismajli. Ndërsa, Vjollca KadolliHalili, këshilltare nga LDK-ja, ka theksuar se këshillat e fshatrave për fuqizimin e rolit të tyre duhet të ndërmarrin veprime konkrete në terren që të mundësojnë një përfaqësim më të mirë gjinor dhe të rinisë. Ajo ka kërkuar nga përfaqësuesit e fshatrave që të jenë aktiv edhe në mbledhjet e kuvendit komunal dhe të mbajnë kontakte të rregullta me këshilltarët komunal në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve. Ndërsa, Bekim Azizi, këshilltar nga PDK, ka theksuar se funksionimi i këshillave të fshatrave ka një rëndësi të madhe për komunën, pasi këta këshilla janë mekanizma që adresojnë çështjet që kanë të bëjnë me problemet e qytetarëve, dhe për këtë komuna duhet të gjejë mundësinë e kompensimit. “Edhe pse nuk ka një kod buxhetor që definon kompensimin e këshillave të fshatrave, komuna duhet të gjejë forma për kompensim, pasi kjo mundëson funksionimin më të mirë të këtyre këshillave”, është shprehur Azizi. Kurse Daut Xhemajli, këshilltar nga Nisma për Kosovën, ka theksuar se këshillat e fshatrave për një funksionim më të mirë duhet të iniciojnë formimin e fondeve zhvillimore në lokalitetet e tyre, fonde këto që mundësojnë edhe kompensimin e shpenzimeve që bëjnë përfaqësuesit e fshatrave në aktivitetet e përditshme. Për kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti, komuna me gjithë potencialin që ka po mundohet që të mbështesë funksionimin e këtyre këshillave të fshatrave. Ai ka thënë se qeveria komunale , në kuadër të mundësive buxhetore që ka, i ka dal në mbështetje çdo aksioni të nisur në fshatra, dhe çdo fshat është mbështetur me mjete financiare në këto aksione. “Komuna do të punojë ngushtë me këshillat e fshatrave në realizimin e agjendës së saj zhvillimore, pasi vetëm bashkërisht me këta këshilla, kuvendin komunal dhe mekanizmat tjerë mund të krijohen kushtet për zhvillim më të mirë të komunës”, ka thënë Haliti.

©KOHA Ditore

Kadri Ismajli, përfaqësues i Ramjanit, është shprehur se këshillat e fshatrave mund të jenë më aktivë, kur tejkalojnë dallimet partiake në lokalitetet që përfaqësojnë dhe kur drejt adresojnë kërkesat e tyre tek institucionet vendimmarrëse si dhe te qytetarët

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.