Komuna vendos ta rrënojë sahatkullën ilegale

Koha Ditore - - KOSOVË - Afrim Demiri

FERIZAJ, 9 NËNTOR - Për më shumë se tri vite Sahatkulla në Ferizaj, nuk arriti asnjëherë të tregoj kohën e saktë, pasi që në të nuk u vendos asnjë orë, qoftë mekanike apo digjitale.

Ky ndërtim nuk është legalizuar nga komuna as gjatë pushtetit të PDK-së dhe as tash e një vit gjatë mandatit të LDK-së. Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, dhe drejtori i Urbanizmit, Faik Grainca, kanë konfirmuar për gazetën, se është marrë vendimi për rrënim të Sahatkullës. Ky vendim është arsyetuar nga shumë faktorë, duke u nisur që nga ndërtimi pa leje urbane e deri tek elementet jokulturore të saj dhe ato të shkallës së rrezikut të sigurisë. Kanë mbetur vetëm të caktohen hapat operacionalë të rrënimit dhe që me fillim të kësaj jave Sahatkulla, e punuar si surrogat nuk do të shihet më në hapësirën që për shumë kë është pika më referuese e qytetit të Ferizajt.

“E kemi marrë vendimin për rrënim, objekti nuk ka leje ndërtimi, është ndërtuar pa ndonjë kriter estetik, nuk e është funksionalizuar si Sahatkullë dhe tash ka filluar t’i bien tullat dhe paraqet rrezik, për më keq është përdorur edhe si tualet publik”, ka arsyetuar vendimin për rrënim Svarqa.

Edhe drejtori i Urbanizmit, Faik Grainca, ka sqaruar se Sahatkulla ka qenë e planifikuar të rrënohej të shtunën, që shkoi. “Po, vendimi është marrë, ne do ta rrënojmë, por këtë të shtunë nuk arritëm të përgatitemi si duhet me pajisje për rrënim dhe besoj që nga e hëna do të merren hapat e duhur operacionalë dhe ajo hapësirë do të lirohet nga një objekt pa leje”.

Ndër vite kishte pasur shumë raste të kërkesave publike, qoftë nga njerëz të kulturës, të urbanizmit apo na shoqëria civile të drejtuara në adresë të Komunës që të rrënohet Sahatkulla.

“Orëkulla” nuk është objekt i paraparë në planet urbanistike dhe për më keq ky objekt dëmton vizualitetin e objekteve fetare të cilat e bëjnë qytetin e Ferizajt të veçantë”, ishte thënë gjatë një performance protestuese të OJQ INPOs. “Kjo “orëkullë” pa asnjë orë, kjo dhuratë ilegale, ishte parë nga INPO-ja si mënyra më e mirë për të vrojtuar fenomenet e degradimit të hapësirave publike. INPO-ja i kishte bërë ftesë Komunës së Ferizajt që ta shqyrtonte mundësinë e heqjes së kësaj dhurate ilegale nga hapësira publike.

Edhe njohës të artit dhe të kulturës urbane e kanë vlerësuar si objekt të padenjë për të qëndruar karshi objekteve të kultit - Kishës dhe Xhamisë, me të cilat identifikohet Ferizaj.

©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.