Përse Franca financon një skuadër gjuetarësh për UFO-të?

Koha Ditore - - MARKETING -

Çdo vit regjistrohen qindra raportime për objekte fluturuese të paidentifikuara (UFO), por jo shumë vende investojnë para për t’i marrë ato seriozisht – ka vetëm një vend të tillë në Europë që posedon skuadër shtetërore për to. A e ka bërë kjo Parisin zyrtar të kryejë ndonjë zbulim?

Nuk ka nevojë të dispononi një makinë kohe për të vizituar selinë e Qendrës Hapësinore Franceze në Tuluzë, që daton prej viteve 1970. Stili i ndërtesës është pothuajse sovjetik, ndonëse është në zemër të Francës së Jugut. Ka pak shenja jete, edhe pse 1500 persona, shumica nëpunës civilë, punojnë në zyrat në fund të korridoreve të ngushta e të padukshme.

Franca ka agjencinë më të madhe hapësinore në Evropë, rezultat i garës hapësinore të viteve ‘60 dhe vendosmërisë së madhe të ish-presidentit Sharl dë Gol për ta mbajtur Francën të pavarur nga SHBA-ja, duke ndërtuar satelitët e saj, lëshuesit e raketave dhe një qendër kërkimore hapësinore elitë.

Si degë e gjithë kësaj, Franca mbetet i vetmi vend në Europë që ka një departament me kohë të plotë për UFO-t. Më parë, ka ekzistuar edhe një në Britani dhe një tjetër në Danimarkë, por ato u mbyllën për shkak të shkurtimeve në buxhet.

Njësia e UFO-ve në Francë konsiston në një staf prej katër personash dhe disa dhjetëra vullnetarë që paguhen vetëm për udhëtimet në zonat e përfolura dhe hetojnë raportimet për objekte të çuditshme në qiell.

Skuadra quhet Geipan. Është akronimi francez për Grupin e Studimit dhe Informacionit për Fenomene të Paidentifikuara Hapësinore.

Shefi i njësisë është Xavier Passot. I rrethuar nga dhjetëra libra mbi UFO-t dhe me një grumbull dokumentesh, ai thotë se misioni i tij është të jetë sa më transparent të jetë e mundur rreth shfaqjes së objekteve të çuditshme në qiell dhe ndjekjes së pretendimeve të raportuesve nëpërmjet skuadrës së tij.

Më pas, ata i publikojnë rezultatet në faqen e tyre të internetit që merr 30.000 klikime në muaj. Skuadra merr mesatarisht dy raportime në ditë për UFO-t. Departamenti këmbëngul që një formular prej 11 faqesh të plotësohet për çdo raportim. Ideja është që të sigurohen detaje, përfshirë edhe fotografi atje ku është e mundur, por kjo largon edhe ata që tallen apo kanë si qëllim të humbin kohën e grupit.

Nëse dikush telefonon për të thënë se ka parë drita të çuditshme në qiell, skuadra e UFO-ve mund të hyjë online për të parë nëse është një zonë aeroplanësh dhe fluturimesh, pasi ka akses edhe në komandën e trafikut ajror.

Skuadra gjithashtu ka akses në fluturimet ushtarake dhe është në kontakt të vazhdueshëm me forcat ajrore dhe kontrollorët e trafikut ajror.

Ndonjëherë, nëse stafi intrigohet shumë nga fotot dhe kur ka disa dëshmitarë për ngjarjen, ata marrin në telefon policinë lokale për të pyetur nëse mund ta konsiderojnë ngjarjen të besueshme.

Ata mundet edhe të pyesin fqinjët për të parë nëse raportuesit kanë pirë alkool apo kanë tymosur ndonjë gjë më shumë se cigare.

Passot thotë se shumë njerëz që raportojnë, janë duhanpirës ose qejfdashës që ia ngulin sytë yjeve gjatë netëve.

Një nga zyrat ka brenda arkivën e verdhë që daton që nga vitet 1950. Në to gjenden dëshmi për objekte fluturuese të paidentifikuara që janë dhënë nga pilotët e avionëve gjatë detyrës së tyre.

“Ka shumë foto, ndonjëherë tepër interesante për t’u lënë pas dore. Njëra që më intrigoi veçanërisht ishte bërë nga një motorist dhe ka kapur një dritë të bardhë në formë qarku. Më vonë u zbulua se nuk ishin pushtuesit marsianë në atë foto, por pasqyrim i dritës së një makine”.

Në fakt, departamenti mund të shpjegojë pothuajse të gjitha fenomenet dhe shumica prej tyre fenerë kinezë të ndezur gjatë natës kur bëhen festa. Ndonjëherë hetuesit u telefonojnë vendasve për të pyetur nëse po bëhej ndonjë dasmë në orën e raportuar.

Tullumbacet dhe balonat që fluturojnë në qiell, shpesh ngatërrohen për alienë dhe meteoritë për shkak të dritës që mund të reflektojnë. Por ekzistojnë 400 raste shikimi të UFOve që datojnë prej viteve ’70, të cilat skuadra franceze nuk mund t’i shpjegojë. “Shumica e rasteve nuk janë serioze, por ka edhe nga ato që ne i marrim shumë seriozisht dhe i hetojmë e më pas i regjistrojmë si raste”, thotë shefi i departamentit të UFO-ve në Francë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.