“Tri dritare...” ia mësyn katër festivaleve pas triumfit të dyfishtë

Koha Ditore - - KULTURË - Sihana Klisurica

Filmin e Isa Qosjes, që është nominimi i parë i Kosovës për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, e presin “teste”

të tjera. Ky film do të marrë pjesë edhe në katër festivaleve të tjera që mbahen në Bruksel, Firencë, Gothenburg dhe Palm Springs

PRISHTINË, 9 NËNTOR – Rrëfimi i cili flet për gratë e dhunuara në Kosovë gjatë kohës së luftës e ka prekur publikun grek. Filmi “Tri dritare dhe një varje” me regji të Isa Qosjes, ka marrë çmimin e audiencës në edicionin e 55-të të Festivalit të Filmit në Selanik, që nisi më datën 31 tetor. Në të njëjtën ditë ky film ka marrë çmim edhe në Gjermani. Por filmin, që është nominimi i parë i Kosovës për “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, pas triumfit të dyfishtë, e presin “teste” të tjera. Ky film do të marrë pjesë edhe në katër festivale të tjera që mbahen në Bruksel të Belgjikës, Firencë të Italisë, Gothenburg të Suedisë dhe Palm Springs, në Kalifornia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Festivali ku “Tri dritare...” mori çmimin e publikut, “The Thessaloniki International Film Festival” është një prej festivaleve më të vjetra në Evropën jugperëndimore. Ky festival është themeluar në vitin 1960 me titull “Java e kinemasë greke”,që u bë festival ndërkombëtar në vitin 1992, duke përfshirë edhe seksionin e garës për filma të metrazhit të gjatë. Që nga ajo kohë ky festival është zhvilluar në mënyrë konstante, për të krijuar marrëdhënie edhe me festivalet e tjera të rajonit.

Aktori i njohur kosovar , i cili është producent i filmit, Shkumbin Istrefi, ka thënë se ky çmim vë në pah vlerat e filmit “Tri dritare...”.

“Çmimi ‘Audience Award’, të cilin e fituam në Festivalin e Selanikut, në një konkurrencë të fortë, ku ndër ta ishte edhe filmi më i ri i Nuri Bilge Cejlan, fitues në Festivalin e Cannes këtë vit, përveçqë na gëzon, riverifikon vlerat e filmit tonë në audiencën internacionale”, ka thënë Istrefi.

Njëkohësisht “Tri dritare...” ishte pjesë e konkurrencës zyrtare të festivalit “The FilmFestival Cottbus”, i cili u mbajt për katër ditë me radhë. Filmi i Qosjes, në këtë festival me nam, u shpërblye me çmimin për mirëkuptim midis kulturave "Dialog Prize”, që ka vlerë monetare prej 3 mijë eurosh dhe mori një mirënjohje "Special Mention" nga juria.

“The FilmFestival Cottbus” për herë të parë është mbajtur në vitin 1991. Qyteti nikoqir Cottbus gjendet 120 kilometra në juglindje të Berlinit. Çdo vit filmbërësit, producentët dhe aktorët nga Evropa Lindore dhe Qendrore bëhen bashkë në Cottbus. E qëllimi i tij është bashkimi i filmbërësve në një vend.

“Platforma e industrisë së filmit luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e filmbërësve dhe financuesve potencialë në një vend. Madje shtyn idetë fillestare që të realizohen në film”, shkruhet në uebfaqen zyrtare të këtij festivali. Përveç filmit kosovar, në këtë ngjarje kinematografike ka marrë pjesë edhe filmi “Bota”, me regji të Iris Elezit, i cili është bashkëprod- him mes Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë.

Qendra Kinematografike e Kosovës është bashkëfinancuese e filmit “Tri dritare...”. Me anë të një komunikate, QKK-ja ka sjellë arsyetimin e jurisë së festivalit në Cottbus.

“Çmimi për dialog të komunikimit ndërkulturor shkon te një film i cili me një gjuhë kinematike shumë të matur shpreh limitet e një njeriu që përballet me fuqinë e një kulture mbizotëruese. Duke marrë një qëndrim dhe duke vënë në pikëpyetje shoqërinë, ky film thekson rëndësinë e guximit”, shkruhet në këtë komunikatë.

Ndërsa sipas Istrefit, vlerësimet që i janë bërë filmit në Cottbus janë të një rëndësie të veçantë.

“Ndjenjat që zgjoi filmi në publikun gjerman dhe pyetjet që na i parashtruan për filmin dhe tematikën që trajton, përveç tjerash, tregojnë vetvetiu që filmi e arsyeton veten edhe artistikisht, po edhe si një film i cili promovon një tematikë me shumë interes për shtetin tonë”, ka thënë Istrefi.

Pas premierës botërore në "Sarajevo Film Festival", ku është shpërblyer me çmimin "Cineuropa", filmi i Qosjes, më datën 4 shtator ishte dhënë premierë në Kosovë. Ndërsa pas dy javësh u përzgjodh si propozim për nominim i Kosovës për “Oscar”- e drejtë kjo të cilën Kosova e gëzoi për herë të parë këtë vit. Në garë me filmin e Qosjes ishte edhe “Heroi” i regjisorit Luan Kryeziu, i cili më pas akuzoi Qosjen për plagjiat të filmit të tij. Kryeziu paralajmëroi padi në gjykatë dhe një ankesë në “Academy Awards”, të cilën më pas e tërhoqi. Istrefi beson se sukseset që arriti “Tri dritare...” mund të ketë një ndikim të mirë edhe në “Oscar”.

“Gjithsesi mendoj që sukseset në festivale mund zgjojnë kureshtjen për filmin tonë edhe në ‘Oscar’”, ka thënë Istrefi. Filmi të dielën mbrëma është shfaqur në “American Film Market”, në Los Angeles, në kuadër të promovimit të tij nga “Europian Film Promotion”.

“Drejtori i QKK-së, z. Arben Zharku, gjendet në LA, ku do të prezantojë filmin para publikut amerikan”, ka thënë Istrefi.

“Tri dritare...”sjell rrëfimin e Lushes, mësueses së fshatit, e cila e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja e saj për rikthimin e dinjitetit deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra të tjera të fshatit janë viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo deklaratë shkakton shqetësim tek burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës fillojnë stigmatizimin e saj dhe kërkojnë largimin e saj nga fshati. Ky film vjen me skenar të Zymber Kelmendit dhe në rolet kryesore luajnë: Irena Cahani, Luan Jaha dhe Donat Qosja.

© KOHA Ditore

“Gjithsesi mendoj që sukseset në festivale mund zgjojnë kureshtjen për filmin tonë edhe në ‘Oscar’”, ka thënë Shkumbin Istrefi, producent i filmit “Tri dritare dhe një varje”, që është propozimi i parë i Kosovës për nominim për çmimin prestigjioz kinematografik

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.