Konkursi “Katarina Josipi” përfundon me veç një fitues

Koha Ditore - - KULTURË -

Në ceremoninë e mbajtur në hollin e Teatrit Kombëtar, të dielën, u nda veç çmimi i tretë. Fituesi i çmimit të dytë nuk i ka respektuar procedurat për të sjellë dramën origjinale e për të zbuluar identitetin prapa shifrës “Majat e Shalës”, derisa për

vendin e parë juria para një jave kishte vendosur që të mos ndajë çmim për shkak të mungesës së cilësisë

PRISHTINË, 9 NËNTOR – Konkursi i çmimit për dramën më të mirë origjinale “Katarina Josipi” nuk ka as fitues të dytë. Para një jave, kur u bënë të ditur emrat e dramave fituese, të dytë dhe të tretë, u bë publik edhe vendimi i jurisë për të mos ndarë vend të parë, për shkak të mungesës së cilësisë. Ishte njoftuar se shifra “Majat e Shalës” me dramën “Besëpremja” ka marrë vendin e dytë, por në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u tha se nuk është sjellë drama origjinale dhe nuk dihet se kush fshihet pas shifrës.

Kësisoj në ceremoninë e mbajtur në hollin e Teatrit Kombëtar, të dielën u nda veç një çmim. Fituesi i çmimit të tretë të këtij edicioni është Osman Goranci me komedinë “E di Lulëbora”, i cili kishte shifrën “Lulja/62”. Ky çmim, i cili ka për qëllim stimulimin e krijimtarisë në fushën e dramaturgjisë ndahet nga Ministria e Kulturës. Vlerësimin për ndarjen e këtyre çmimeve e ka bërë juria në përbërje të dramaturges Doruntina Basha si kryetare, aktorit Jahja Shehu, regjisorit Ilir Kabashi, dramaturgut Shefqet Gjocaj, dhe si përfaqësues i MKRS-së, Emin Emini. Në mungesë të Bashës vlerësimet e jurisë i lexoi Shehu.

“Juria e ka vlerësuar këtë komedi për shkak të realizimit të suksesshëm të zhanrit dhe larushisë së situatave që bashkërisht arrijnë ta sjellin një komedi që është gërshetim i komedisë familjare, intrigës dhe karakterit, e cila pos tjerash trajton dhe ironizon dallimet në shoqëri”, ka thënë Shehu.

Pjesëmarrja në këtë konkurs, për Gorancin, ka qenë një nder. Tek është ngjitur në skenë për të marrë çmimin, ai ka thënë se ky është viti i parë që ka fituar, ani pse edhe më parë ka qenë në garë të ngushtë.

“Të marrësh pjesë në një konkurs për dramaturgët të cilët e kanë të vetmen rruge të depërtojnë në skena tona përmes këtyre konkurseve është një nder”, ka thënë Goranci, tek ka lënë një porosi për MKRS-në.

“Edhe një herë ju falënderoj, por mos harroni të ma jepni çmimin”, ka shtuar ai.

Juria kishte përgatitur edhe vlerësimin për vendin e dytë, të cilin Shehu e lexoi para të pranishmëve.

“’Majat e Shalës’ ka realizuar me sukses dramën e caktuar në tharmin etnofolklorik, duke u futur kështu në mes të tradicionales dhe modernes sipas prizmit të rishqyrtimit të së kaluarës sonë. Kurse për shkak të mosprurjeve të edicionit të sivjetmë të këtij konkursi juria ka vendosur të mos ndajë çmimin e parë”, ka shtuar ai.

Por ky çmim nuk u nda dhe drejtori artistik i TKK-së, Emin Emini, doli në skenë për të njoftuar se ky çmim nuk dihet se kujt i takon.

“Më lejoni t’ ju informoj se përkundër që ne në media kemi kërkuar se siç është procedura që të gjithë shifrat fituese të sjellin dramën origjinale për të zbuluar identitetin se cili autor apo autore fshihet pas asaj shifre, shifra “Majat e Shalës” me dramën “besëpremja” nuk e ka sjellë dramën origjinale, kështu që ne nuk e dimë se kush fshihet pas asaj shifre”, ka thënë Emini.

“Mirëpo ky çmim do të mbetet i deponuar në TKK”, ka shtuar ai.

Drama fituese e çmimit “Katarina Josipi”, sipas rregullores së MKRSsë, shpërblehet me 3 mijë e 600 euro, teksa vendi i dytë me 2 mijë e 400 euro dhe i treti me 1 mijë e 200.

I pranishëm në këtë ceremoni modeste ishte edhe sekretari i Ministrisë së Kulturës, Feton Firzi. Me këtë rast ai ka thënë se këto çmime janë krijuar si një vlerësim dhe inkurajim për artistët dhe dramaturgët.

“Përveç kësaj ne duam t’u tregojmë artistëve se kujdesemi për krijimtarinë e tyre dhe ka kush t’i vlerësojë ata. Falënderoj jurinë profesionale për përzgjedhjen që kanë bërë dhe ne presim dhe besojmë që në vitet e ardhshme të ketë edhe më shumë konkurrentë, sepse kështu rriten vlerat e krijimtarisë”, ka thënë Firzi. Sihana Klisurica

© KOHA Ditore

“Të marrësh pjesë në një konkurs për dramaturgët, të cilët e kanë të vetmen rruge të depërtojnë në skena tona përmes këtyre konkurseve, është një nder”, ka thënë Goranci, i shpërblyeri i vetëm i konkursit të sivjetmë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.