”Ballkoni” kthehet nga Italia me dy çmime

Koha Ditore - - KULTURË -

PRISHTINË, 9 NËNTOR- “Ballkoni” nga Kosova është vlerësuar filmi më i mirë nga juria dhe nga mediet në festivalin që mbahet në Istrana të Italisë. Filmi i regjisores kosovare, Lendita Zeqiraj, ka marrë dy çmime në edicionin e 15-të të festivalit “Fiaticorti Film Festival”. Nga ky festival “Ballkoni” është kthyer në shtëpi me trofeun e çmimit “Fiaticorti” dhe me mirënjohjen e veçantë “Cinemabreve” që i ndahet filmit më të mirë të festivalit nga vlerësimi i medieve. Në uebfaqen zyrtare të festivalit, ku tashmë janë bërë publike emrat e fituesve, shkruhet se “Fiaticorti...” është një garë ndërkombëtare për filma të shkurtër që për çdo vit mirëpret regjisorë të ndryshëm në Istrana.

Bujar Kabashi, nga “n’Art Production”, që ka realizuar filmin e bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ka thënë se është hera e parë që në këtë festival ndahen dy çmime për të njëjtin film.

“Çdo pjesëmarrje në festivale dhe çdo çmim e ka rëndësinë dhe veçantinë e vet. Përveç satisfaksionit artistik dhe konfirmimit të një pune të shkëlqyer nga juria profesionale, kësaj here edhe nga mediet - këto çmime na e lehtësojnë punën në promovimin e artit, artistëve dhe shtetit tonë”, ka thënë Kabashi.

Sipas tij, çmimet e tilla, janë dëshmi për vlerat kinematografike të Kosovës.

“Dita-ditës po i dëshmojmë botës që edhe ne kemi vlera. Shpresoj që kjo dëshmi do të zërë vend edhe te institucionet tona”, ka thënë ai.

“Ballkoni” nis rrëfimin me një djalë 10 vjeç, i cili është i ulur në skaj të ballkonit në katin e katërt të një ndërtese. Fqinjët dhe kalimtarët, të tmerruar nga kjo, thërrasin policinë e zjarrfikësit, por e tërë situata është shumë kaotike dhe kërkon vëmendje për ta menaxhuar. Ky është filmi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në festivalin më të vjetër ndërkombëtar të filmit në Venecie të Italisë në vitin e kaluar.

Trofeu i çmimit “Fiaticorti” që ka marrë “Ballkoni” është një statuetë e kristaltë e punuar nga artisti italian Marco Varisc, veprat e së cilit ndodhen në muzeun “Gugenhajm” në New York.

Regjisorja kosovare, Lendita Zeqiraj, në fund të tetorit, me filmin “Bal- lkoni” mori çmimin për regjinë më të mirë në Washington.

Pjesëmarrja në “Washington West Film Festival” ka bërë që ky film të marrë çmimin e tetë vetëm në ShBA.

E.B. © KOHA Ditore

Nga festivali italian “Ballkoni” është kthyer në shtëpi me trofeun e çmimit “Fiaticorti” dhe me mirënjohjen e veçantë “Cinemabreve” që i ndahet filmit më të mirë të festivalit nga vlerësimi i medieve

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.