Përmirësimi i botës tuaj të mbrojtjes së fjalëkalimit

Koha Ditore - - MESPËRMES -

Kombinimi i emrit të përdoruesit (USERNAME) dhe fjalëkalimit ka qenë prej kohësh mekanizmi standard i sigurisë për llogaritë online. Por kjo metodë nuk bën dot punë më.

Shkeljet e mëdha të të dhënave, në të cilat hakerat fitojnë qasje në informatat personale, janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Dhe konsumatorët e kanë quajtur vjedhjen e identitetit shqetësimin e tyre nr. 1 në internet për 14 vjet rresht, sipas Komisionit Federal të Tregtisë.

Të (pa)mbrojtur

Ndonjëherë, infrastruktura jonë ekzistuese e sigurisë nuk mund të na mbrojë, si kur të dhënat tona personale ruhen në bazat e të dhënave të cenueshme. Por shumë shpesh, ne jemi armiku ynë më i keq. Fjalëkalimet tona të dobëta e bëjnë shumë të lehtë për hakerat që t’i supozojnë ato; ne i përdorim të njëjtat fjalëkalime për shumë faqe, duke ua ofruar hajdutëve një lloj çelësi për çdo derë. Dhe, edhe kur na flitet për shkeljet e të dhënave, ne nuk reagojmë gjithmonë duke i ndryshuar fjalëkalimet apo sjelljet tona të tjera.

Realiteti është se fjalëkalimet nuk duket se do të na braktisin së shpejti. Megjithatë, ka disa mjete të reja dhe interesante për të na ndihmuar që ta krijojmë botën tonë të mbrojtur me fjalëkalime pak të sigurta.

Shumë prej teknologjive më ambicioze dhe premtuese vijnë në fushën e të dhënave biometrike – përdorimi i një pjese fizike të vetes si zëri, gjurmët e gishtave, njohja e fytyrës apo një skanim irisi.

Sistemet biometrike të sigurisë janë premtuar prej kohësh. Këto premtime kanë filluar të bëhen realitet në vitet e fundit, dhe vërtetë u bënë komerciale me futjen e një lexuesi të gjurmëve të gishtave në iPhone vitin e kaluar.

Tani, njerëzit me versionin e fundit të iPhone mund t’i zhbllokojnë telefonat e tyre, t’i autorizojë blerjet nga iTunes dhe aplikacionet e tjera dhe madje edhe të paguajnë në disa dyqane vetëm duke e prekur gishtin e tyre në telefonin e tyre. Telefoni e lexon gishtin e personit dhe e miraton pagesën.

"Më parë ishte një sensor gjurmësh të gishtave i cili lidhej me një kabllo USB dhe më pas do të paguanit qindra dollarë," tha Hector Hoyos, drejtori ekzekutiv i Hoyos Labs, një start-up i sigurisë biometrike. "Tani bëhet me iPhonin tuaj."

“Aplikacioni i fytyrës”

Këtë muaj, kompania e z. Hoyos do ta lansojë 1U, një aplikacion i cili e përdor njohjen e fytyrës për të hyrë në llogari të ndryshme. Aplikacioni fillon me një çmim prej 30 $ në vit; çmimi mund të ngritet në varësi të asaj se sa faqe të internetit dhe pajisje mund t’i lidhni me të.

Aplikacioni nuk i zëvendëson fjalëkalimet tërësisht. Për ta përdorur atë, së pari duhet të kyçeni në çdo shërbim online, si llogaria juaj bankare ose email ose Facebook, ndërsa jeni në aplikacion. Kur doni të kyçeni në njërën prej këtyre shërbimeve në të ardhmen, e vizitoni faqen nëpërmjet aplikacionit dhe 1U e skanon fytyrën tuaj me kamerën e telefonit. Nëse skanimi është i suksesshëm, aplikacioni ju regjistron sikur ta kishit shkruar fjalëkalimin.

Për shkak se nuk keni nevojë t’i mbani mend fjalëkalimet tuaja kur e përdorni aplikacionin, mund ta vendosni një fjalëkalim të veçantë dhe të sofistikuar për çdo shërbim në rradhë të parë. Përveç kësaj, aplikacioni ju lejon të caktoni nivele të ndryshme të sigurisë për llogari të ndryshme.

Ju mund të zgjidhni që aplikacioni ta skanojë fytyrën tuaj shumë shpejt për një llogari, për shembull, dhe ta bëjë një test "të gjallërisë", i cili do t'ju detyrojë t’i lëvizni sytë tuaj dhe të buzëqeshni para se të mund të kyçeni, për një tjetër llogari.

Aplikacioni mund të lidhet me kompjuterin tuaj, gjithashtu, prandaj kur të doni të kyçeni në faqet atje, mund të shikoni në telefonin tuaj për një skanim të fytyrës në vend se ta shkruani fjalëkalimin tuaj. Telefoni e dërgon një mesazh të koduar në kompjuter duke e autorizuar kyçjen.

Përvoja nuk është e përsosur

Përvoja nuk është e përsosur: Nga njëra anë, duhet të hyni në uebfaqe përmes aplikacionit 1U në vend të aplikacioneve apo shfletuesit të cilin e përdorni zakonisht. Dhe të shikosh në telefon për t’u kyçur në një faqe interneti në kompjuterin tuaj është e çuditshme.

Përveç kësaj, përdorimi i 1U nuk do t’ju mbrojë nga ndonjë situatë në të cilën emri i përdoruesit dhe fjalëkalimi janë vjedhur nga ndonjë shërbim tjetër që e përdorni, si banka juaj apo ndonjë dyqan ku bleni online. Por ajo mund t’ju inkurajojë që të keni fjalëkalime të ndryshme dhe të forta për çdo shërbim, duke e kufizuar dëmin potencial.

Në çdo rast, informacioni juaj biometrik, kredencialet e enkriptimit dhe informacionet e tjera personale duhet të jenë të sigurta. Ato ruhen vetëm në telefonin tuaj, tha z. Hoyos.

Në të ardhmen, z. Hoyos shpre- son që kompanitë do të ndalojnë me përdorimin e fjalëkalimeve, duke e eliminuar rrezikun e ruajtjes së kredencialeve në serverat e jashtëm. Kompanitë e tjera po e ndjekin një rrugë të ngjashme: Krijimi i add-oneve biometrike të cilat punojnë me sistemet ekzistuese të fjalëkalimeve ndërsa përpiqen të binden kompanitë për ta bërë një ndryshim të madh.

EyeLock, një start-up në Nju Jork, sapo e ka lansuar Myris, një skaner të iridit me lidhje të USB që kushton 280 $.

Iridi është një nga identifikuesit më unik të njeriut, pasi që nuk ka dy të njëjtë. Anthony Antolino, zyrtari më i lartë i marketingut për EyeLock, tha se kompania është duke punuar me kompani si Banka e Amerikës dhe tashmë e ka përfshirë teknologjinë e saj të skanimit të iridit në disa prej ndërtesave të saj.

Sa për pajisjen Myris, ajo është në thelb një menaxher shumë modern për fjalëkalime. Ashtu si aplikacioni 1U, ajo nuk do t’i zëvendësojë fjalëkalimet tuaja, ajo thjesht do ta zëvendësojë nevojën për t’i shkruar ato kur të kyçeni në një uebfaqe apo në kompjuterin tuaj.

Ndryshe nga 1U, softueri Myris mund të krijojë fjalëkalime të reja dhe të sigurta për ju dhe t’i ruajë ato ashtu që të mos keni nevojë t’i mbani mend, ashtu si programet e menaxhimit të fjalëkalimeve si LastPass. Dhe ai mund të importojë fjalëkalime të ruajtuara nga programet si LastPass.

Nuk keni fat?

Të gjitha këto fjalëkalime të reja, si dhe informacioni për iridën tuaj, janë të ruajtura në një pajisje në formë të topit të hokejit të Myris të cilën e kyçni në kompjuterin tuaj. Edhe ky është një paralajmërim, gjithashtu: Nëse e humbni pajisjen tuaj, nuk do ta ktheni dot atë informacion. Do të duhet ta ndryshoni çdo fjalëkalimin.

Myris konfigurohet lehtë. Ajo e ka një pasqyrë të vogël në pjesën e saj anësore, në të cilën shikoni ndërsa sensorët e pajisjes e lexojnë secilin sy. Pas instalimit fillestar, i konfiguroni llogaritë tuaja online duke e përdorur softuerin shoqërues të EyeLock.

Përdorimi i skanerit të iridës është i bukur dhe futuristik, dhe kyçja në shërbime është i shpejtë - merr rreth një sekondë.

Megjithatë, ka dobësi të shumta. Njëra është se Myris nuk punon në pajisje mobile. Një tjetër është se duhet ta keni pajisjen të bashkangjitur në kompjuterin tuaj.

Dhe ashtu si me 1U, nëse fjalëkalimi juaj komprometohet nga serverat e kompanisë, atëherë nuk keni fat.

Megjithatë, përdorimi i Myris do të duhej t’ju ofrojë më shumë siguri sesa ta shkruani fjalëkalimin tuaj. Përdorimi i skanerit do ta eliminojë regjistrimin e fshehtë të shkrimit në tastierë, e cila ndodh kur një malware në kompjuterin tuaj i lexon shkrimet dhe e vjedh fjalëkalimin tuaj. Dhe përdorimi i një menaxheri të fjalëkalimeve, sidomos atë që bazohet në irid, i zvogëlon gjasat që do t’i përsëritni fjalëkalimet tuaja, ose që do të krijoni fjalëkalime që supozohen lehtë.

Nëse këto dy produkte të reja nuk ju ngjallin interes, atëherë dijeni që biometrika pothuajse me siguri është duke ardhur.

Brett Beranek, drejtor i strategjisë së produktit për biometrikë me zë në Nuance Communications, e cila prodhon softuerë dhe teknologji për njohje të zërit, tha se shumica e konsumatorëve do të fillojnë të hasin në ndonjë lloj të sistemeve biometrike në vitet e ardhshme.

Në tre vitet e fundit, tha ai, Nuance është rritur nga 10 milionë përdorues të regjistruar në 45 milion, meqë shumë kompani si Vanguard, Barclays, T-Mobile dhe Banka e SHBA e kanë inkorporuar teknologjinë e saj të njohjes së zërit.

Ajo që mbetet e paqartë, megjithatë, është nëse do të ketë ndonjë metodë e preferuar e njohjes biometrike: gjurmët e gishtave, skanimi i iridës, njohja e zërit ose njohja e fytyrës. Dhe kompanitë do të duhet të sigurohen se çfarëdo që ata ruajnë në serverat e tyre nuk mund të vidhet masivisht.

Pasi të jenë bërë këto vendime, lexuesit biometrik do të qëndrojnë.

"Teknologjia dhe njohuria për ta zbatuar një zgjidhje për t’i zhdukur krejtësisht fjalëkalimet dhe emrat e përdoruesve ekziston sot dhe ne e kemi atë dhe është e sigurt dhe e përshtatshme," tha z. Hoyos. "Se në çfarë shpejtësie e aplikojnë këtë korporatat është një çështje tjetër."

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.