Shaqirit ka nisur t’i kthehet buzëqeshja

Koha Ditore - - SPORT - Faton Polisi

PRISHTINË, 9 NËNTOR - Mesfushori kosovar Xherdan Shaqiri shënoi golin e parë këtë edicion në Bundesliga 1 të Gjermanisë me fanellën e Bayern Muenchenit. Ai shënoi golin e katërt për skuadrën kampione të Gjermanisë që mposhti Eintracht Frankfurtin me rezultatin 4:0, të shtunën. Shaqiri golin e shënoi në minutën e 86-të, derisa në lojë u inkuadrua dhjetë minuta më herët. Golit të shënuar nga Shaqiri iu gëzuan edhe lojtarët e tjerë të Bayernit të cilët me vrap shkuan për ta përqafuar kosovarin. Shaqiri 23vjeçar thotë se ky gol ka vlerë të madhe për të. Në një bisedë për gazetën, reprezentuesi i Zvicrës ka thënë se ka nisur t’i kthehet buzëqeshja në kohët e fundit.

Shaqiri në tetë paraqitje në Bundesligë në këtë edicion ka kontribuar edhe me dy asistime, derisa një gol të shënuar e ka edhe në Ligën e Kampionëve. Pati shënuar golin e shtatë në fitoren kundër Romës 7:1, para pak javësh.

“Jam shumë i lumtur që arrita të kontribuoj me një gol në fitoren e Bayernit. E kërkoja këtë gol dhe në fund e arrita edhe pse luajta pak minuta. Por, ne jemi skuadër e madhe dhe për çdo lojtar ka hapësirë. Secili mund të kontribuojë në mënyrën e vet. Në një skuadër të madhe sigurisht se çdo mundësi që të jepet duhet ta shfrytëzosh nëse dëshiron të jesh në mesin e më të mirëve”, ka thënë Shaqiri të dielën për gazetën. “E pashë që edhe lojtarët më përkrahën në momentin e golit. Unë me të gjithë kaloj jashtëzakonisht mirë. Konkurrenca është shumë e madhe te Bayern Muencheni dhe është normale që nganjëherë edhe të mos fitosh rastin. Por sigurisht që çdo lojtar dëshiron të ketë sa më shumë minutazhë”.

Mesfushori nga Gjilani te skuadra e Bayernit u transferua në verën e vitit 2012 nga skuadra zvicerane Basel për 12.5 milionë euro. Vlera e tij në treg tani është 20 milionë euro. Me skuadrën gjermane ka kontratë deri në qershor të vitit 2016, kurse tashmë i ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm me Bayernin.

Shaqiri thotë se puna e tij është që të angazhohet maksimalisht në stërvitje, kurse për inkuadrimin e tij në fushë thotë se është trajneri që vendos. Ai ka shqyrtuar mundësinë që të largohet nga Bayerni, por klubi ka insistuar që ta mbajë. Së fundi nuk ka qenë i kënaqur me hapësirën që ka pasur.

“Unë po mundohem të jap maksimumin tim në stërvitje dhe është trajneri ai që vendos në fund për formacionin. E lojtarit është të angazhohet dhe të tregojë vlerat e tij. Unë po mundohem një gjë të tillë ta bëj në mënyrën më të mirë”, ka theksuar Shaqiri.

Ai po kërkohet nga shumë skuadra të njohura evropiane. Por nuk dëshiron të flasë për ndërrim mjedisi pasi synimi i tij është që të zërë një vend në ekipin bazë të Bayern Muenchenit.

“E rëndësishme është që të luaj sa më shumë. Shpresoj të kem hapësirën që unë e dëshiroj. Të gjithë kemi dhënë mendimet tona për situatën time. Unë do të vazhdoj punën time derisa të jem pjesë e Bayern Muenchenit. Është kënaqësi të jesh në një skuadër të madhe si Bayerni”, ka theksuar Shaqiri.

Ai pret që edhe me trajnerin Pep Guariola të përsëris suksesin e madh të Bayernit në vitin 2013 kur skuadra udhëhiqej nga trajneri Jupp Heynckes. Bayerni atë edicion pati fituar të gjithë trofetë që mund të fitohen në nivel të klubeve.

“Synimet tona janë të qarta - të fitojmë të gjithë trofetë që mund të fitohen në nivel të klubeve”.

© KOHA Ditore

Mesfushori kosovar Përparim Hetemaj ka qenë titullar dhe ka luajtur tërë ndeshjen në fitoren 2:1 që skuadra e tij Chievo e ka shënuar të dielën në shtëpi ndaj Cesenas në ndeshjen e xhiros së 11-të të Serie A të Italisë. Hetemaj u ndëshkua me karton të verdhë në këtë ndeshje. Chievo pas 11 xhirove zë vendin e 18-të me tetë pikë. Ndërkohë të dielën në Serie A u përballën Empoli i Elseid Hysajt me Lazion e Etrit Berishës e Lorik Canës. Empoli triumfoi para adhuruesve të vet me shifrat 2:1. Hysaj u aktivizua nga minuta e 69-të. Ndërkohë për Lazion në portë ishte Berisha, ndërsa Cana nuk u aktivizua. Lazio zë vendin e pestë me 19 pikë, ndërsa Empoli është i 16-ti me 10 pikë.

Behrami, i plotë në humbjen e Hamburgut

Valon Behrami ka qenë titullar dhe ka luajtur tërë ndeshjen në humbjen që skuadra e tij Hamburg e ka pësuar të dielën në udhëtim ndaj Wolfsburgut në kuadër të xhiros së 11-të të Bundesligës gjermane në futboll. Behrami kishte pasur probleme gjatë ndeshjes të javës së kaluar, ndërsa kishte qenë në dyshim paraqitja e tij në ndeshje kundër Wolfsburgut, mirëpo kosovari ka luajtur tërë ndeshjen. Për Hamburgun nga minuta e 79-të është aktivizuar Valmir Nafiu. Hamburgu zë vendin e 17-të, të parafundit, me nëntë pikë. Të shtunën në Bundesligën gjermane luajtën edhe Alban Meha me Paderbornin, Mërgim Mavraj me Koelnin e Admir Mehmedi me Freiburgun. Meha ishte titullar dhe luajti 72 minuta në humbjen 3:0 që Paderborni e pësoi në udhëtim ndaj Augsburgut. Mavraj luajti tërë ndeshjen në fitoren 4:3 që Koelni e shënoi si mysafir i Hoffenheimit, ndërsa Mehmedi ishte titullar dhe luajti 89 minuta në fitoren 2:0 që Freiburgu e shënoi në shtëpi ndaj Schalkes.

Xhemaili asiston në fitoren e

Galatasarayt

Mesfushori shqiptar Blerim Xhemaili ka asistuar golin e fitores të Galatasarayt në ndeshjen e së shtunës ndaj Karabuksporit. Galata triumfoi në udhëtim me shifrat 2:1 në sfidën që i takoi javës së nëntë të Superligës së Turqisë. Xhemaili ishte titullar dhe luajti tërë ndeshjen, ndërsa asistoi në golin e shënuar nga Umut Bulut në minutën e 71-të.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.