KOK-un e presin njohje të tjera të rëndësishme

Koha Ditore - - SPORT - Arsim Maxhera

PRISHTINË, 9 NËNTOR - Pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) si anëtar i përkohshëm në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do të pasohet me pranim të njëjtë edhe në Komitetin Olimpik Evropian (EOC). Kosova në Komitetin Olimpik Evropian do të pranohet në Asamblenë e 43-të të përgjithshme të EOC-it që mbahet më 21 e 22 nëntor në Baku të Azerbajxhanit. Këtë e ka bërë të ditur të dielën kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

Por pranimi në EOC si anëtar i përkohshëm, nuk do të jetë i vetmi pranim i KOK-ut në këtë vit. Menjëherë në dhjetor KOK-u pritet të pranohet me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar e më pas edhe në organizata të tjera olimpike e sportive.

Komiteti Olimpik Evropian është duke u përgatitur për Lojërat e para Evropiane që vitin tjetër mbahen në Baku. Kosova do të jetë pjesë e tyre, me gjithë faktin se pranimi në EOC fillimisht do të jetë i përkohshëm.

“KOK-u do të pranohet me të drejta të përkohshme në EOC dhe kjo do t’u mundësoj sportistëve të Kosovës të marrin pjesë në garat kualifikuese për lojërat evropiane. Ata që kualifikohen do të marrin pjesë në ‘Baku 2015’. Fituesit e medaljeve kualifikohen ose fitojnë pikë për Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’”, ka thënë Hasani të dielën për gazetën.

Ai ka ndjekur nga afër punimet e Asamblesë së përgjithshme të Asociacionit të Komiteteve Olimpike Nacionale (ANOC) që në fundjavë u mbajt në Bangkok të Tajlandës.

“Përfundoi Asambleja e përgjithshme e ANOC-it ku morën pjesë 203 nga 204 Komitetet Olimpike Nacionale. Kosova ishte si vëzhguese dhe u paralajmërua se në Asamblenë e radhës, që mbahet vitin e ardhshëm në Washington, do të jenë 205 anëtar të ANOC-ut, pra edhe Kosova. U ftova nga Patrick Hickey, president i Komitetit Olimpik Evropian si vëzhgues në Asamblenë e këtij Komiteti. Personalisht jam ftuar edhe nga presidenti i IOC-it, Thomas Bach, në sesionin e IOC-it që mbahet nga 8 deri më 10 dhjetor”, ka shtuar Hasani.

Kosova më 22 tetor është pranuar si anëtare e përkohshme në IOC, që vlerësohet të jetë vendimi më i rëndësishëm për sportin kosovar. Pranimi me të drejta të plota për dhjetor tashmë vlerësohet punë e kryer dhe kështu sportistëve kosovarë do t’iu lejohet paraqitja në Lojëra Olimpike. Po ashtu numër i madh federatash sportive kosovare do të pranohen në federatat përkatëse ndërkombëtare. Menjëherë pas pranimit në IOC, Federata e Gjimnastikës së Kosovës u avancua nga anëtare e përkohshme në anëtare me të drejta të plota e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës. Këtë lëvizje pas pak ditësh do ta bëjë edhe Federata e Boksit. Pengesa për pranim ndërkombëtar vlerësohet se tani kanë vetëm Federata e Futbollit e Kosovës dhe Federata e Basketbollit e Kosovës.

© KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.