Gjykata në Serbi dënon Milosh Lukiqin për vrasje, jo për krim lufte

Koha Ditore - - FAQE 1 - Nexhat Tovërlani

PODUJEVË, 11 NËNTOR – Ish-polici i Njësisë speciale, Milosh Lukiq, është dënuar nga Gjykata e Apelit në Nish me pesë vjet burg për vrasjen e 63-vjeçarit Hamdi Maloku në qendër të qytetit të Podujevës në luftën e vitit 1999. Vendimi nga kjo gjykatë është marrë më 09.10.2014, ndërsa familja Maloku nga Podujeva, e cila e kishte bërë vetë padinë për vrasësin e babait të vet, këtë vendim e ka marrë nga avokati i tyre, Dragisha Radovanoviq, në fundjavën e kaluar. Ky dënim për familjen Maloku është vlerësuar simbolik, pasi vrasësi Lukiq nuk është dënuar për krime lufte, por vetëm për një vrasje të zakonshme.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit në Nish thuhet se pas rishqyrtimit të lëndës, pas ankesës së familjes, ka marrë vendim më 09.10.2014 të aprovohet kërkesa e prokurorit në Prokuple për dënimin e Milosh Lukiqit me pesë vjet burgim për vepër penale-vrasje sipas nenit 47, pika 1 e së drejtës penale të Serbisë.

Agim Maloku, djali i Hamdiut, ka thënë se neni 47 parasheh dënim me burg nga 5 deri në 9 vjet burgim.

“E gjykata e ka dënuar minimalisht me pesë vjet burgim, edhe sipas këtij neni (47), ai do të duhej të dënohej së paku 9 vjet”, ka thënë Agim Maloku.

Ky vendim i Gjykatës së Apelit të Serbisë në Nish është i treti për ishpolicin Lukiq, pasi fillimisht ai ishte dënuar vetëm me 2 vjet me kusht për të njëjtin rast. Rasti ishte kthyer në rigjykim në vitin 2004, pasi familja e të ndjerit kishte bërë ankesë. Ndërsa, më 27 shkurt 2014, Gjykata e Qarkut në Prokuple e kishte dënuar me katër vjet e gjysmë burg Milosh Lukiqin, të cilat mund edhe të mos i kalonte në burg, por të mbrohej në liri. Ndërsa, tash në tetor është hera e tretë që Lukiq merr dënimin me pesë vjet burg efektiv.

Por, familjarët e Hamdi Malokut janë shprehur të pakënaqur edhe me këtë dënim, pasi, sipas tyre, ky është dënim simbolik për ish-policin e njësisë speciale që kishte vepruar në Komunën e Podujevës.

U kërkua që ish-polici të gjykohej në Hagë

“Të enjten e kaluar më ka lajmëruar avokati se është marrë vendimi...Nuk e pritëm mirë hiç, sepse ky është dashur të dënohet për krime të luftës, për çka ka kërkuar edhe familja nëpërmjet avokatit. Bile, avokati ka kërkuar që ai të gjykohej edhe në Hagë, sepse kishte vrarë një plak në pikë të ditës në qytet me dy fëmijë përdore dhe në prezencë të policëve të tjerë. Ndërsa është dënuar vetëm për vrasje”, ka thënë Agim Maloku.

Sipas tij, edhe prokurori i rastit, Dragisha Milenkoviq, kishte kërkuar që Lukiq të dënohej më 9 vjet burg. Por, kryetari i trupit gjykues, Ivan Rakiq, kishte vendosur ndryshe.

“Kemi shpenzuar shumë para, por nuk është arritur qëllimi ynë që vrasësi i babait tonë të dënohet për krime lufte dhe të marrë dënimin e merituar. Për krimet e luftës është dashur të merret shteti, po institucioneve kjo punë nuk po u intereson. Krejt çka kemi bërë ne për t’u dënuar ky vrasës, është bërë privatisht nga familja, pa na ndihmuar asnjëherë institucionet e shtetit tonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.