Thaçi përgëzon Ramën për qëndrimet e shprehura rreth Kosovës në Serbi

Koha Ditore - - ARBËRI -

PRISHTINË – Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur të martën vizitën e Ramës në Serbi, duke e vlerësuar takimin dypalësh si një hap të frytshëm drejt përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe krijimit të marrëdhënieve më të mira fqinjësore në mbarë Ballkanin. Thaçi ka shprehur besimin se vizita historike dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve të rëndësishme bashkëpunimi do shënojnë një kapitull të ri për krijimin e marrëdhënieve të mira dhe me bazë të shëndoshë ndërmjet dy popujve.

“Përgëzoj veçanërisht homologun Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur, për mbështetjen që i dha dialogut Prishtinë - Beograd si dhe për solidaritetin që dëshmon për bashkëkombësit tanë të Luginës së Preshevës”, ka thënë Thaçi, duke uruar që dialogu i drejtpërdrejtë mes liderëve të dy shteteve për çështjet e hapura, që u zhvillua kësaj radhe, të vazhdojë edhe në të ardhmen me vullnet të mirë, kurajë dhe sinqeritet, pasi që, sipas tij, “dialogu është forma më e mirë për të arritur në një mirëkuptim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.