Humbin jetën në aksident tre pjesëtarë të familjes Hamiti

Koha Ditore - - ARBËRI - Bashkim Shala

KUKËS, 11 NËNTOR - Tragjedi për familjen Hamiti nga Presheva. Si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik kanë humbur jetën bashkëshortët Bashkim e Zejmihane Hamiti, 54, përkatësisht 52 vjeçe, dhe vajza e tyre, Emrushe Hamiti, 17 vjeçe.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të martën në segmentin e rrugës Kukës-Morin, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur ura e ish-Uzinës së Bakrit në Rexhepaj. Mjeti tip “Golf” me targa të Serbisë VR001GZ, me të cilin udhëtonin 3 anëtarët e familjes preshevare është përplasur me mjetin tip BMW me targa të Kosovës 0185AF, ku udhëtonin dy djem të rinj nga Komuna e Drenasit. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën në vendngjarje tre personat që udhëtonin me automjetin tip “Golf 3”, pikërisht dy prindërit me vajzën e tyre. Ndërkohë që janë plagosur edhe dy personat që udhëtonin me automjetin tip BMW, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Burime të policisë bëjnë të ditur se shkak i aksidentit ka qenë se njëri prej automjeteve ka udhëtuar në korsinë e gabuar në urë, duke kujtuar se ura është katërkalimëshe, por në fakt ajo është vetëm me dy kalime, ku përplasja ka qenë fatale.

Shkurtimi i distancës Tiranë-Prishtinë po kthehet në një segment me kosto të lartë për jetën. Parametrat teknikë të autostradës janë shumë larg parametrave evropianë. Ka probleme me urat e papërfunduara në aksin Kukës-Morin, ndriçimin, mbikalimet, trafikndarëset etj. Dhe këtë rrugë teknikisht mund ta konsiderojmë si një aks të papërfunduar.

Shtatë urat e papërfunduara në segmentin rrugor Kukës-Morin, të cilat janë dykalimëshe, ndërsa rruga është katërkalimëshe, kanë shkaktuar një numër të madh aksidentesh me viktima në njerëz. Pikërisht në të njëjtin vend ku humbën jetën tre pjesëtarë të një familjeje nga Presheva, kanë humbur jetën edhe dy persona kohë më parë dhe janë plagosur disa të tjerë. Shkak ka qenë ngushtimi i trafikut nga katër në dy kalime, ndërkohë që në të shumtën e rasteve ka munguar sinjalistika paralajmëruese, përfshirë edhe në rastin e ngjarjes së ditës së martë. Në shtator të vitit kaluar tre të rinj nga Prishtina humbën jetën pikërisht në një urë dykalimëshe në fshatin Morin si pasojë e ngushtimit të rrugës.

Specialistët japin alarmin “SOS” për shkak të përmasave të shkatërrimit dhe jetëve të humbura në këtë segment rrugor, ku ngjarja tragjike e mesditës së martë është përsëritur pas një viti. Vetëm në segmentin e rrugës nga Morini në Kukës dhe deri në tunelin e Kalimashit janë regjistruar rreth 32 viktima me pasojë vdekjen që nga korriku i vitit 2009, pa llogaritur këtu viktimat në aksin Thirrë-Rrëshen-Milot.

Numri i madh i viktimave, për shkak të ngushtimit të rrugës nga mungesa e urave katërkalimëshe dhe sinjalistikës përkatëse ka detyruar Qeverinë që të vendosë në prioritetet e saj përfundimin e kësaj rruge. Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, ka deklaruar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave se buxheti i vitit 2015 parashikon financimin e plotë të dublimit të shtatë urave në segmentin rrugor të autostradës KukësMorin.

© KOHA Ditore

Automjeti me të cilin udhëtonte familja nga Presheva pas aksidentit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.