Katalonja do “dialog të përhershëm” me Spanjën

Koha Ditore - - BOTË -

“Sot i dërgova letër kryeministrit Mariano Rajoy. Qëllimi kryesor është që qeveria spanjolle të ftohet për krijimin e kushteve për një dialog të përhershëm”, ka thënë Mas në një konferencë shtypi, pas takimit të qeverisë së tij rajonale

MADRID, 11 NËNTOR (REUTERS) - Kryetari i qeverisë rajonale të Katalonjës, Artur Mas, ka propozuar të martën që kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, të nisë dialogun e përhershëm për pavarësinë e Katalonjës, si dhe të ndërmarrë një numër masash për ta fuqizuar ekonominë e saj.

Propozimi i tij ka ardhur pasi që gati dy milionë katalonjas kanë votuar të dielën për shkëputjen nga Spanja, në një votim simbolik, të organizuar, pasi që shteti spanjoll bllokoi përmes gjykatës një referendum formal.

“Sot i dërgova letër kryeministrit Mariano Rajoy. Qëllimi kryesor është që qeveria spanjolle të ftohet për krijimin e kushteve për një dialog të përhershëm”, ka thënë Mas në një konferencë shtypi, pas takimit të qeverisë së tij rajonale.

Mas ka shtuar se dialogu duhet të përqendrohet në mënyrën e mbajtjes së një referendumi formal për pavarësinë e këtij rajoni verilindor që përbën rreth një të pestën e prodhimit ekonomik, si dhe popullsisë së Spanjës. Ai po ashtu ka thënë se shpreson që Rajoy do t’i përgjigjet pozitivisht një liste me 23 hapa, të cilat ia ka kërkuar qeverisë qendrore, në korrik, në mënyrë që të rritet përqindja e të ardhurave që Katalonja merr nga Spanja.

Rajoy ka thënë se është i gatshëm të flasë rreth masave, të pajtohet rreth një sistemi të ri të financimit të 17 komu- niteteve autonome të Spanjës, si dhe të diskutojë për reformimin e kushtetutës, por ka kundërshtuar mbajtjen e një referendum obligues për shkëputjen e rajonit.

Po qe se qeveria qendrore nuk merret me shqetësimet e Katalonjës, atëherë Mas ka thonë se do të punojë për mbajtjen e parakohshme të zgjedhjeve rajonale, të caktuara më 2016, duke i shfrytëzuar si referendum indirekt për pavarësinë.

“Jemi të gatshëm ta përdorim këtë mjet, po qe se nuk marrim përgjigje pozitive nga qeveria spanjolle”, ka thënë ai. “E ndiej obligim që Mariano Rajoyt t’ua hap mundësinë për dialog, por po qe se nuk funksionon një gjë e tillë, atëherë do të vazhdojmë me planet tona”.

Megjithatë, ai e ka përsëritur se zgjedhjet e tilla do të organizohen vetëm nëse partitë katalonjase mund të pajtohen të kandidojnë me një platformë të përbashkët. Për këtë arsye një raund bisedimesh me partitë katalonjase propavarësisë do të nisë në ditët vijuese.

Partisë së Masit të qendrës së djathtë, CiU, i mungon shumica absolute në parlamentin rajonal, derisa gjithnjë i është dashur ndihma e partisë majtiste, ERC, për kalimin e ligjeve. ERC ka thënë pak kohë më parë se do ta tërheqë këtë mbështetje, po qe se Mas vendos që të mos shpallë zgjedhje të parakohshme.

NEW YORK, 11 NËNTOR (REUTERS) - Zyrtarët shëndetësorë në New York kanë bërë të ditur se mjeku që është infektuar me ebola është shëruar plotësisht dhe pritet që sot të dalë nga spitali.

Dr. Craig Spencer ka dalë pozitiv ndaj virusit më 23 tetor, vetëm disa ditë pasi është kthyer nga Guineja, ku ka trajtuar pacientë me ebola.

Lajmi për infektimin e tij ka shqetësuar shumë qytetarë, sidomos kur është bërë e ditur se ai ka hyrë në metro para se të rezultonte pozitiv. Spencer, 33 vjeç, është trajtuar në një njësi të izolimit në spitalin Bellevue të Menhetanit.

Sëmundja vdekjeprurëse ka marrë dhjetëra mijëra jetë njerëzish në Afrikën Perëndimore. Kombet e Bashkuara vazhdimisht po u bëjnë thirrje shteteve të zhvilluara që të ndajnë më shumë fonde për dhënien e ndihmës vendeve afrikane që po përballen me mungesë kapacitetesh për kapërcimin e krizës.

Sulmet ajrore vrasin 6 militantë në Pakistan

ISLAMABAD, 11 NËNTOR (REUTERS) - Zyrtarë të Inteligjencës pakistaneze thonë se një avion amerikan pa pilot dyshohet se ka sulmuar në zonën veriperëndim, afër kufirit me Afganistanin, me ç’rast janë vrarë 6 militantë.

Gjatë këtij viti thuhet se në këtë rajon janë zhvilluar 19 sulme të tilla.

Sipas zyrtarëve, sulmet ajrore kanë goditur një shtëpi dhe një makinë në zonën Data Khel në veri të Vaziristanit, afër kufirit afgan.

Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti, pasi që nuk janë të autorizuar që të flasin për media.

Veriu i Vaziristanit është konsideruar si zonë e sigurt për banorët lokalë dhe trupat e huaja, deri më 15 qershor, kur forcat e Pakistanit kanë nisur një fushatë operacionale, për të eliminuar, ata që akuzohen për orkestrimin e veprave terroriste në Pakistan dhe në Afganistan.

Sipas ushtrisë pakistaneze, ata kanë arritur që të pastrojnë këtë rajon nga militantët, për 80 për qind.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.