13.6 milionë të zhvendosur nga lufta në Irak dhe Siri

Koha Ditore - - BOTË -

“Tani, derisa flasim për afro një milion të zhvendosur brenda dy muajsh, apo 500.000 të zhvendosur brenda një nate, bota nuk po përgjigjet”, ka thënë përfaqësuesi i UNHCR-së, Amin Awad

GJENEVË, 11 NËNTOR (REUTERS) – Rreth 13.6 milionë njerëz janë zhvendosur nga konfliktet në Siri dhe Irak, shumica pa ushqim apo vendstrehim, derisa dimri është shumë afër, ka bërë të ditur të martën agjencia e OKB-së për refugjatë, UNHCR.

Amin Awad, drejtor i UNHCR-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, ka thënë se bota është duke u bërë e shurdhër përballë nevojave të refugjatëve.

“Tani, edhe derisa flasim për afro një milion të zhvendosur brenda dy muajsh, apo 500.000 të zhvendosur brenda një nate, bota nuk po përgjigjet”, u ka thënë ai gazetarëve në Gjenevë.

Në mesin e këtyre 13.6 milionë të zhvendosurve janë 7.2 milionë të zhvendosur brenda Sirisë, ashtu si edhe 3.3 milionë refugjatë jashtë Sirisë; 1.9 milionë të zhvendosur në Irak dhe 190.000 që kanë ikur jashtë.

Pjesa më e madhe e refugjatëve sirianë kanë shkuar në Liban, Jordani, Irak dhe Turqi, shtete këto që sipas Awadit “po i bëjnë të skuqen shtetet e tjera” me përkrahjen e tyre për familjet e pastreha siriane.

“Shtetet e tjera në botë, posaçërisht evropianët dhe të tjerët, duhet të hapin dyert e tyre dhe ta marrin përsipër një pjesë të barrës”, ka thënë ai.

UNHCR-ja ka bërë të ditur se i mungojnë 58.5 milionë dollarë për t’i përgatitur 990.000 njerëz për dimër, para këto që do t’i mbulonin gjërat esenciale, si rrobat e ngrohta dhe tendat.

Pa fonde për t’i mbuluar të gjitha nevojat e veta, agjencia është duke caktuar prioritetet e veta, duke u munduar që t’iu ndihmojë njerëzve në zonat më të ftohta dhe fëmijëve.

Awad ka thënë se Rusia dhe Kina, që të dyja anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, së bashku me fuqitë e mëdha perëndimore, janë në fund të listës së donatorëve dhe duhet që të kontribuojnë më shumë.

“Politikisht ato nuk mund të jenë indiferente dhe për këtë arsye ndihmat humanitare janë të detyrueshme dhe duhet të merren me seriozitet, po qe se nuk ka zgjidhje politike… Ato duhet të kontribuojnë në njërën apo tjetrën mënyrë, ashtu si të tjerët”, ka thënë ai.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.